Ka nisur festivali „Etno Fest“ në Kukaj të Prishtinës

Mbrëmjen e së mërkures ka nisur edicioni i nëntë i festivalit “Etno Fest”, qëllimi i së cilit është ruajtja e traditës dhe së kaluarës tonë historike. Drejtori i këtij festivali Fadil Hysaj ka hapur zyrtarisht festivalin me fjalët “Mirë se ju ka pru Zoti, shtëpia është e juaja”, duke falenderuar për të gjithë ata qytetarë që kishin shkuar për të përcjellë programin kulturor dhe artistik që ofron EtnoFesti.

Në këtë festival, përpos ambienteve tradicionale që ofrohen, gjithashtu edhe ushqimi ka karakter tradicional. Në natën e parë të festivalit është shërbyer fli me djathë shtëpie e speca, ashtu sic kanë ngrënë të parët tanë në sofrat e mëdha të odave shqiptare.

“Bukë e kripë e zemër” thotë një fjalë e urtë popullore. Zemërgjerësia dhe mirësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptarë, e ka lënë anash përmbajtjen e sofrës, por e ka lartësuar buzëqeshjen dhe mikëpritjen që është servuar gjithmonë.

Nata e parë e etnofestit është karakterizuar me ekspozitat etnologjike, etno punëtori, performancë me çifteli nga Fatmir Makolli, Doruntina Rexhepi e Hava Bekteshi dhe nga grupi “Çiftelia”, laboratori Etnokontemporan nga Liburn Jupolli, si dhe performancë nga grupi “Bitolski ćalgiji” nga Manastiri i Maqedonisë së Veriut.

Gjatë programit të natës së parë të etnofesti, me muzikë polifonike dhe valle prezantua edhe grupi i grave ’10 Shqiponjat e Tërbaqit” nga Himara e Shqipërisë.

Festivalit  i Arteve dhe Kulturës tradicionale “Etno fest”, po mbahet në fashit piktoresk  Kukaj të Prishtinës dhe do të zgjas deri më 25 gusht 2019.

Foto: Atdhe Mulla