Ka ndërruar jetë profesori Riza Cavolli

Ka ndërruar jetë gjeografi i njohur, Prof. Dr. Riza I. Çavolli.

Prof. Dr. Çavolli, ishte njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj të fushës së Gjeografisë në vendin tonë, përmes shumë librave dhe punimeve shkencore të botuara ndër vite.

Opusi profesional dhe shkencor i Prof. Dr. Riza I. Çavolli përbëhet nga më shumë se 21 libra universitarë dhe para-universitar, 85 njësi bibliografike, artikuj, studime dhe punime shkencore.

Prof. Dr. Riza I. Çavolli, studimet i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Beograd në vitin 1956. Titullin magjistër e fitoi në vitin 1972, dhe nga viti 1975 ka gëzuar titullin Doktor i Shkencës.

Prof. Dr. Riza I. Çavolli filloi rrugëtimin e tij akademik, si mësimdhënës i gjeografisë në Gjimnazin e Pejës, e pastaj edhe si zëvendësdrejtor i shkollës. Përgjatë karrierës së tij Prof. Dr.

Çavolli ka kryer funksione të shumta si: këshilltar për lëndën e gjeografisë në Entin Krahinor për Përparimin e Shkollave në Prishtinë, Kryetar i Shoqatës së Gjeografëve të Kosovës, Dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, ndërsa u pensionua ne vitin 1991.

Edhe pse i pensionuar, deri në vitin 2004 ishte i angazhuar si ligjërues në Katedrën e Gjeografisë.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (datë 02.11.2019) në orën 12:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Mbledhja komemorative do të mbahet të hënën në FSHMN në orën 12:00.