Jubileu i një biblioteke të Cyrihut, ndërlidhet me punën e një drejtuese shqiptare

Pikërisht më 14 Shtator 2019, Biblioteka Pestalozzi Hardau Cyrih, shënon solemnisht dhjetëvjetorin e themelimit. Dhe ky jubile ka rëndësi të veçantë për ne shqiptaret, sepse pos që në te ka një fond prej mbi 2 mijë librash shqip, po në krye të këtij institucioni që nga themelimi është intelektualja me prejardhje nga Tirana, Suela Jorgaqi, ndaj edhe rriten e kësaj biblioteke me libra mbi dhjetë gjuhë të huaja, mund ta lidhim me angazhimin e kësaj zonje shqiptare.

 Teksti e fotot Rexhep Rifati

Nga vizita që i bëra kësaj biblioteke, drejtoresha e saj , zonj. Suela mësova se jubileu do të shënohet përmes një program të përzgjedhur, festiv, që i dedikohet moshave të ndryshme e në veçanti të rinjve dhe  fëmijëve. Ndaj edhe do të ishte me interes që aty të vijnë edhe fëmijët tanë. Ndërsa që adresa e bibliotekës është: PBZ Bibliothek Hardau, Norastrasse 20, 8004 Zürich.

Gjatë kësaj vizite, Drejtuesja e kësaj biblioteke, Suela Jorgaqi nënvizoi se në këtë institucion ka një fond të konsiderueshëm librash në mbi dhjetë gjuhë të ndryshme, dhe se në mesin e tyre edhe një fond i konsiderueshëm i librit shqip, përfshi edhe revistat dhe video-filmat shqip, ndaj edhe ky fond do të duhej shfrytëzuar më shumë nga shqiptarët që jetojnë në këtë kanton e më gjerë.

Në cilësinë e mikpritëses, Suela Jorgaqi, përgjegjëse e bibliotekës interkulturore “Pestalozzi” e cila ka mbaruar për gjermanisht në Universitetin e Tiranës dhe pastaj në Zvicër ka studiuar “Shkencë informacioni”, përkujtoi se biblioteka që drejton nga ajo zhvillon një varg aktivitetesh në disa gjuhë të komuniteteve që jetojnë në këtë metropol zvicerane: shqip, italisht, turqisht portugalisht, serbokroatisht, turqisht, në gjuhën tamile e të tjera. Për këtë qëllim edhe janë siguruar mësues që mbajnë orë të veçanta, filluar nga më të vegjlit, duke u treguar atyre edhe përralla e tregime në gjuhën e tyre amtare.

Një nga aktivitetet e suksesshme për vogëlushët shqiptarë janë animacionet për nënat dhe fëmijët. Në këtë drejtim është bërë një punë shumë e madhe dhe se një meritë të veçantë për këtë drejtuesja e kësaj biblioteke ia dedikon udhëheqëses së këtyre kurseve, Trëndelina Jahës, me prejardhje nga Struga, pasi ajo i përkushtohet shumë këtyre kurseve dhe fëmijët janë tepër të lidhur me të.

Po në këtë bibliotekë interkulturore mbahen edhe kurse të ndryshme, shfaqen video-filma dhe demonstrohen edhe aktivitete të tjera në gjuhë të ndryshme. Me një fjalë kjo bibliotekë është një vend i këndshëm pikëtakimi për pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këtë mjedis shumë kulturor. Lokalet e kësaj biblioteke prej vitesh, falë faktit se ajo udhëhiqet prej një intelektualeje shqiptare shumë të zellshme dhe bashkëpunuese, janë shfrytëzua edhe për promovimin e librave të autorëve shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Ndaj edhe gjatë kësaj vizite ajo apeloi për organizime të tilla më të shpeshta apo edhe për ndonjë panair libri nga shtëpitë botuese shqiptare apo autorët e ndryshme , madje edhe pa pagesë do të jenë lokalet e këtushme.

Sa i përket autorëve shqiptarë, Suela përkujton se aty gjenden emrat më të njohur të letrave tona, duke filluar nga Ismail Kadare dhe deri te Fatos Kongoli e vazhduar me Brunilda Zllamin, Ben Blushin, etj. Njerëzit kanë mundësi të bëjnë edhe rezervime librash online dhe interesi për libra shqip sikur po shtohet disi, ndonëse akoma nuk lexohet në masën e duhur.

Do theksuar gjithashtu se kjo bibliotekë është bërë e afërme dhe e dashur edhe për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë mjedis shumë kulturor, pavarësisht nga vendi i prejardhjes.