Ish- Presidentja Atifete Jahjaga bisedoi me gratë e suksesshme shqiptare në Zvicër

663

Sot në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih ishte për një vizitë ish- kryetarja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me që rast u takua një grup grash shqiptare që jetojnë dhe veprojnë me sukses në fusha të ndryshme të jetës ekonomiko- shoqërore në kantone të ndryshme të Zvicrës.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në këtë takim me karakter njohjeje e bashkëbisedimi, të organizuar nga Konsullata e Kosovës ne Cyrih,  respektivisht zonja Shukrije Ramadani-diplomate, këshilltare për kulturë, mirëseardhje ish-presidentes Jahjaga  dhe gjitha pjesëmarrëseve iu dëshiroi Shefi i Konsullatës në Cyrih, Sami Kastrati, ndërsa që e pranishme në këtë bisedë ishte edhe konsullja Ajmane Veseli.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishin Nënkryetarja e parlamentit të Lucernit -Ylfete Fanaj, deputetja-Arbela Statovci, Biznesmenja-Krenare Morina, shkencëtarja-Fatlume Sadiku, arkitektja Shqipe Bytyqi, Bardha Rexhepi- Mustafa nga fusha e sigurisë dhe komunikacionit e të tjera. Thuaja se secila nga këto femra pjesëmarrëse në këtë bisedë shpjeguan në pika të shkurta rrugëtimin e tyre jetësor deri te një karrierë profesionale.

Zonja Atifete Jahjaga, pasi potencoi kontributin e mërgatës si në fazën e  paraluftës, gjatë luftës dhe në periudhën e pasçlirimit , veçmas vlerësoi rolin e gruas në mërgatë po edhe në Kosovë, që paraqet një faktor shumë të rëndësishëm, por që ende nuk e ka zënë vendin e duhur në shoqërinë kosovare. Gjithashtu foli për resurset e mëdha që ka Kosova për zhvillim të mëtejshëm, aq më parë që më tepër se gjysma e popullsisë i përket moshës së re, shumë premtuese.

Gjithashtu u ndal tek fondacioni që drejton për shkollimin e studentëve kosovarë jashtë vendit e në veçanti në Shtetet e Bashkuara, ku përfituan mbi 200 sa studentë, me kusht që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe kontributin e tyre ta japin në Kosovë.

Me këtë rast zonjës Jahjaga i dhurova librin tim mbi arritjet e shqiptarëve në Zvicër.