Ish Normalja e Elbasanit që farkoi mësues për të gjitha trevat shqiptare  

Në nismë shkolla pati 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria, nga të cilët gjysma nga Kosova e Çamëria.- Po në këto dhoma muze krahas 5000 dokumenteve origjinale e fotokopjeve ruhen edhe fotot e mësimdhënësve e nxënësve, që u bënë pishtarë drite në të gjitha trevat shqiptare 

Teksti: Rexhep Rifati& fotot Shkëlzen Rexha

Në kuadër të shtëpive – muze, kësaj radhe nga një dhomë muze në ish- shkollën normale të Elbasanit. Këtë muze e vizitova në kuadër të 50 vjetorit të maturës sime në Normalen e Ferizajt. Ndaj edhe me këtë rast vendosa pse të mos e vizitoj shkollën e parë normale , atë të Elbasanit. Shoqëruar nga Jakup Reka e Shkëlzen Rexha, vizituam edhe godinën ku nga 2-9 shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit me delegatë nga trevat shqiptare, që i dha vizë hapjen së shkollës Normale në Elbasan, që e filloi më 1 dhjetor të po atij viti. Në nismë shkolla pati 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria. Gjysma ishin nga Kosova e Çamëria.

Me rastin  e vizitës më 9 Qershor 2016, në njërin nga katet e kësaj shkolle, na u hapën dy dhoma mësimi të kthyera në muze ku ruhet një fond prej mbi 5000 dokumentesh origjinale e fotokopje. Janë aty rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave të normalistëve, si dhe një violinë që për njëzetë vjet (1919-39) u shërbeu nxënësve në lëndën e muzikës. Karakteristike tjetër ishte se në këtë shkollë nxënësit mësonin edhe një himen shkollore e që kjo ishte Kënga e Normales së Elbasani.