Diaspora shqiptare në Zvicër është ende në ndërtim e sipër

Potencuan ekspertët e njohur zviceran nga fusha sociale, në Forumin ekonomik  mbajtur në Lozanë në organizim të Instituti zviceran për studime shqiptare (ISEAL).- Ndërkaq që u bisedua edhe për fushat e bashkëpunimit në relacionin Zvicër- Kosovë, sidomos në sferën investimeve dhe të kuadrove 

Rexhep Rifati

Instituti zviceran për studime shqiptare (ISEAL),me seli në Lozanë, nga dita në ditë po e zgjeron veprimtarinë e tij edhe atë sidomos në lëmin e trajtimit të temave me interes jo vetëm për komunitetin e madh shqiptar në Zvicër, por edhe për trojet shqiptare. Temat që trajtohen nga personalitetet eminente shkencore dhe nga fusha e artit dhe kulturës edhe atë jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe ajo zvicerane e të tjera kanë një peshë të veçantë edhe për relacionet zhvillimore në raport me trojet shqiptare.

Ditë më parë, gjegjësisht, më 8 nëntor, në lokalet e Universitetit të Lozanës, ky që udhëhiqet nga personalitete , që drejtojnë komitetin e tij siç janë  Victor Ruffy, Peter Knoepfel, Francis Cousin dhe Driton Kajtazi. ISEAL e në bashkëpunim e partneritet edhe me Ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) si dhe me Shoqatën e inxhinierëve shqiptarë në Zvicër, e pjesëmarrës të tjerë organizoi një tubim studimor ku u trajtuan probleme të rëndësishme ekonomike që ndërlidhen me mërgatën dhe Kosovën. Kjo ngjarje e cila moderua nga Jehona Osdautaj, presidente e Shoqatës zvicerane të studentëve shqiptarë në Universitetin e Lozanës dhe Alain Maillard, gazetar në RTS, nxori në skenë studiues zviceranë e shqiptarë me tema e referate shumë analitike e përmbajtëse , që pikësynim kishin këmbimin e pikëpamjeve dhe të përvojave mbi çështjen e diasporës shqiptare në raport me ndihmën që duhet ofruar vendeve të origjinës e në veçanti Kosovës.

Në fillim përmes një fjale hyrëse, që i referoheshin kësaj problematike e paraqiti Driton M. Kajtazi, drejtor i ISEAL-it, me pikësynim rreth rritës së investimeve në Kosovë, si dhe ndihmës edhe me kuadro shkolluara e të specializuara në Zvicër.

Në mesin mysafirëve, ishte i pranishëm edhe ministri i diasporës, Ibrahim Makolli i cili duke u shpreh falënderime pjesëmarrësve të këtij forumi ekonomik e në veçanti miqve të spikatur zviceran, të cilët po tregojnë interesim kaq të madh për të ndihmuar në forma të ndryshme zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Kosovës. Makolli veçmas u ndal tek përparësitë që kanë investimet në Kosovë, pa i lënë anësh edhe vështirësitë në këtë rrugëtim, që kërkon angazhim permanent.

Në trajtesën e tij hulumtuese, Claudio Bolzman, profesor në Shkollën e Lartë të Punës Sociale, HES-SO/Gjenevë, potencoi se diaspora shqiptare është ende në ndërtim e sipër, ndërsa që gjenerata e parë ka pasur një ndikim të kufizuar në zhvillimin e vendit për shkak të të ardhurave të ulëta dhe të punës që ata kryenin me shumicë dërrmuese si punëtorë të thjeshtë, por gjithashtu edhe për shkak të mungesës së strukturave përkatëse.
Ai përmendi se deri më tash, se investimet janë përqendruar në fushën e ndërtimit, restaurimit dhe hortikulturës,  fusha këto të cilat janë të lidhura direkt me punësimin e shqiptarëve brenda Zvicrës

Po gjatë këtij forumi ekonomik u paraqit nevoja për struktura të cilat ndihmojnë diasporën për të investuar në vendet e tyre të prejardhjes. Me një studim nga fusha e investimeve  dhe zhvillimit, me theks të veçantë në Shqipëri, u prezantua doktori i  shkencave Igli Tashi. Ai vuri në dukje se tendenca e fondeve për vendin e origjinës ishte në rënie. Diaspora shqiptare e Shqipërisë është kryesisht në Itali dhe në Greqi, edhe pse kriza është një faktor shpjegues,  prapëseprapë tendenca e ndihmës financiare nuk është ciklike dhe mund të zgjasë edhe shumë kohë. Ndërsa kjo ndihmë financiare llogaritej për 10% në 22% të GDP-së deri në vitin 2002, ajo ngrihej vetëm deri në 7.5% për vitin 2010. Ndaj edhe sipas Tashit, Shqipëria duhet të krijojë një strategji investimesh për diasporën e saj.

Ndërsa në tryezën e rrumbullakët pjesëmarrësit bënë sugjerime kryesisht për zhvillimin e Kosovës. Kështu, Virginie Carniel, nënkryetare  e shoqatës  Business and Professional Women Club (BPW),  ish-drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik të kantonit të Neuchâtel-it, u fokusua tek kushtet e rrethanat ekzistuese , kurse Rexhep Gashi, drejtor i Shoqatës së inxhinierëve shqiptarë në Zvicër, veçmas vuri në pah kuadrin akademik shqiptarë në rritje por edhe nevojën  për trajnimin e inxhinierëve nga trojet shqiptare në partneritet me universitetet zvicerane dhe Institutet Federale të Teknologjisë. Në debat gjatë grupeve të punës kontribute të veçanta dhanë edhe presidenti i Shoqatës Shqiptare-zvicerane, Rolf Alter, si dhe Ahmet Asani, nga rrjeti i sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër, të cilët potencuan se ende mungon interesimi nga shtetet e prejardhjes sidomos kur është në pyetje potenciali kadrovik nga radhët e shqiptarëve në Zvicër.