Integrim nga mëngjesi në darkë

Banorët e Fricktalit dikur emigronin shkaku i jetës së vështirë në vend, sot aty jetojnë njerëz nga mbi 100 vende të ndryshme. Rreth 2’000 banorë të tij flasin shqip. Institucionet dhe shoqëria janë thellësisht të angazhuara për integrimin e emigrantëve. Zyra «mit.dabei-Fricktal» qëndron në frontin e parë.

Në viset e Fricktalit në Aargau e prek historinë dhe të ardhmen. Monumente të ruajtura nga kohërat e romakëve dhe qytete të tëra si monumente kulture të magjepsin me sharmin që kanë. Koncerne zvicerane me nam në botë i kanë vendosur aty zyrat dhe teknologjinë e tyre. Rajoni është pjesë e lëvizjeve botërore të popullsive. Emigrantë të vjetër e të rinj gjejnë aty strehë dhe mirëqenie. Mijëra refugjatë të arratisur nga zonat e luftës dhe krizave të tjera në botë janë vendosur në këto komuna. Zyra publike dhe organizata të njohura e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë rrethinë.

Dikur emigrantë, sot nikoqirë

Rajoni i Fricktalit shtrihet në jug të lumit Rajna, në lindje të qytetit të Baselit. 32 komunat e tij përfshihen në qarqet e Rheinfeldenit dhe të Laufenburgut. Ai kap një sipërfaqe prej 284 kilometrash katrorë dhe numëron rreth 85’000 banorë.

Më 1799 Napoleon Bonaparti e çliroi Fricktalin nga administrimi 400 vjeçar austriak. Tre vjet më vonë e shpalli atë kanton më vete nën protektoratin e tij, pak muaj më pas ia ngjiti Konfederatës Helvetike dhe sërish pas një viti e shkriu atë në kantonin e sapofomuar të Aargaut.

Në shekullin e 19-të Fricktali ka njohur kohë të vështira. Emigracioni më afër e më larg, nganjëhrë i detyruar nga autoritetet, e ka shoqëruar atë për një periudhë të gjatë. Pas Luftës së Dytë Botërore rajoni njeh një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, sidomos në saje të idustrisë farmaceutike.

Tani Fricktali është shndërruar në strehë të mijëra emigrantëve. Dhjetëra gjuhë të ndryshme fliten nga banorët e tij të rinj. Numri i të huajve në këtë rajon, sikurse edhe në rrafsh federal, shkon në rreth 25 për qind. Mbi 2’000 prej tyre janë shqiptarë nga vise të ndryshme. Dhe, njëlloj, institucionet dhe shoqëria janë të angazhuara për integrimin e tyre.

Integrimi fillon me bisedën e mirëseardhjes

Prej dhjetë vjetësh në rajonin e Fricktalit e ushtron aktivitetin e saj zyra profesionale e integrimit «mit.dabei-Fricktal». Në fakt tetë vjet ajo ishte një projekt, që funksiononte në kuadër të Zyrës së Integrimit të Aaraut (AIA). Prej dy vjetësh është emancipuar në një qendër të mirëfilltë rajonale të integrimit dhe angazhon katër specialistë. Frida Tapia, Flavia Berger, Aurelia Munz dhe Kujtim Shabani presin dhe përcjellin klientë nga mëngjesi në darkë.

«mit.dabei-Fricktal» është e vendosur në ambientet e Shtëpisë së Kuqe në Rheinfelden. Objekti ka 200 vjet dhe mbrohet si monument kulture. Aty frekuentojnë çdo ditë banorë të rajonit për një shërbim të specializuar. Klientët e saj janë emigrantë dhe vendas, janë të sapoardhurit në Zvicër dhe autoritet – shkollat, komunat, organizata të ndryshme – të cilët në punën e tyre ndeshen me çështje të natyrës së migrimit dhe integrimit.

Zyra i informon të sapovendosurit në rajonin e Fricktalit mbi tema të rëndësishme të jetës në Zvicër, si: banimi, sigurimet shoqërore, punësimi, shkollimi, nostrifikimi i diplomave etj. Po patjetër edhe mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre si banorë të Zvicrës. Integrimi i emigrantëve në rajon fillon praktikisht me «bisedën e mirëseardhjes» – një format shërbimi, të cilin zyra e promovon veçanërisht. Ajo i fton të gjithë të përfshirët, sidomos familajarët e të saporardhurve dhe autoritetet komunale, t’i orientojnë rishtarët për një bisedë të tillë.

Këshillimet lidhur me çështje të përvetësimit të gjuhës gjermane, të përfshirjes shoqërore, integrimit në tregun e punës, lejes së qëndrimit, shëndetësisë, financave etj. e përbëjnë vëllimin më të madh të punës së Zyrës. Specialistët e saj zhvillojnë çdo ditë biseda informuese dhe këshillimore me klientët e tyre. Ato shkojnë nga 15 minuta, por ka edhe të tilla që zgjasin deri një orë dhe më tepër. Ndonjëherë ka nevojë për më shumë se një takim për të njëjtën çështje, po nganjëherë të njëjtët njerëz duken me më shumë çështje.

Për shkëmbimet me klientët Zyra ka krijuar një rrejt «personash kyç». Ata ndihmojnë në komunikimin e zyrës me emigrantët, qoftë duke përkthyer në bisdeat me klientë që vijnë nga komuniteti i tyre, qoftë duke i vënë ata në dispozicion të institucioneve rajonale për një shërbim të tillë. «Personat kyç» janë pothuajse pjesë e të gjitha oranizimeve të Zyrës, si konceptues të këtyre paraqitjeve, po edhe si zbatues të tyre.

Një dimenzion i veçantë i Zyrës është Pika e Koordinimit të Vullnetarëve (KFA). Dhe janë mbi 100 veta, të cilët angazhohen – falas – për integrimin e emigrantëve në rajon. Zyra ka një pasqyrë të ofertave vullnetare për persona nga fusha e refugjatëve në rajonin e Fricktalit; bën ndërlidhjen dhe shkëmbimin ndërmjet vullnetarëve, komunave, autoriteteve, kujedestarëve të qendrave të azilit dhe institucioneve; ofron asistencë profesionale, kryesisht në temën e azilit dhe të projekteve; sensibilizon dhe e promovon punën vullnetare etj.

Të gjitha këto dhe shërbime të tjera për klientët janë falas!

Kërkohet «person kyç» për shqip

Zyrën «mit.dabei-Fricktal» e financon Kantoni Aaargau përmes Programit Kantonal të Integrimit (KIP) në masën 50 përqind. Gjysmën tjetër e mbulojnë kontributet e komunave bartëse të rajonit të Fricktalit. Dhe numri i këtyre komunave për vitin 2023 shkon në 22, që përbën pak mbi dy të tretën e numrit të përgjithshëm në komunave të rajonit.

Zyra e Integrimit administrohet nga Lidhja Komunale e Fushave Sociale të Qarkut të Rheinfeldenit (GSBR), e cila i ka edhe gjashtë zyra të tjera. Ajo i administron financat dhe e rregullon funksionimin kadrovik e programor të Zyrës. «Unë interesohem për rrafshin strategjik…», pohon drejtori i Lidhjes, Thomas Henzel, dhe shton për kooperimin me drejtuesit e zyrave: «GSBR-në e udhëheqim bashkë». Duke qenë se të gjtha zyrat kanë natyrë sociale, «ka familje, ose klientë, të cilët figurojnë në dokumentacionin e më shumë zyrave të GSBR-së», rrëfen Drejtori.

Në statistikat e «mit.dabei-Friktal» figurojnë edhe shërbimet e kryera në gjuhën shqipe. Numrat e aktiviteteve të Zyrës – «bisedat e mirëseardhjes» me emigrantë rishtarë në rajon, këshillimet e emigrantëve dhe të vendasve lidhur me temat e integrimit, angazhimet e vullnetarëve dhe të «personave kyç», takimet dhe paraqitjet publike – kapin shifra mbresëlënëse.

«mit.dabei Fricktal» i mirëpret t’i bashkangjiten edhe komunat tjera të rajonit të Fricktalit si bartëse. Grupi i saj është i hapur për të gjitha komunitetet e emigracionit për t’i shërbyer me informata dhe këshilla. Në gjuhën shqipe madje kërkohet për momentin edhe një «person kyç», i cili përkthen në shqip dhe angazhohet për projektet e Zyrës. Gjithsesi, Thomas Henzel shprehet në intervistën për lokalen Neue Fricktaler Zeitung: «Njerëzorja duhet të zërë më shumë vend në sistemin tonë.» www.mitdabeifricktal.ch