In Memoriam për gjuhëtarin dhe edukatorin Hajro Hajra
(19.05.1950 -12.07.2024)
Nga Xhevat Hasani, 21 shtator 2024
Nuk është e lehtë të shkruash një `in memoriam` për njeriun që e ke njohur, që e ke pasur shok apo mik dhe me të cilin ke biseduar dhe shkëmbyer mendime për çështje të ndryshme, sepse gjatë shkrimit të një `in memoriami` për një mik apo shok të ngushtë, shpesh na mbërthejnë emocionet të cilat sipas rastit na bëjnë edhe të derdhim lot.
Por më e vështirë është shkruash një `in memoriam` për një njeri të cilin nuk e ke njohur, por që duke e lexuar librin e vetëm që ai ka lënë pas, të ka bërë ta përjetosh si një mik e shok të vjetër dhe për rrjedhoj edhe të ka bërë që ta shkruash për të një `in memoriam`.
I tillë ishte libri i gjuhëtarit Hajro Hajra nga qyteti i Ferizajt, i mërguar në Amerikë në vitet 1998-1999 te Luftës në Kosovë, i cili me përmbajtjen dhe formën e tij si libër xhepi, më bëri që autorin Hajro Hajrën, edhe pse nuk e njihja përsonalisht, ta përjetoja si një mik e shok të ngushtë.
Librin e profesorit të gjuhës shqipe Hajro Hajra me titull: „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“, ma dhuroi diku para tre muajsh ish-i burgosuri politik nga komuna e Vitisë, i mërguar në Zvicër, Skënder Hajdari, të cilin e kam shokë të ngushtë.
Skënderi më tha se Hajro Hajra ishte një shok i tij i ngushtë nga qyteti i Ferizajt, i cili si edhe shumë të tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), ishte dëbuar nga forcat serbe në Maqedoni, nga ku pastaj bashkë me familjen kishte migruar në Arizona, në Amerikë.
Më tej Skënderi më tregoi se profesor Hajro Hajra i kishte kontribuar shumë arsimit ferizajas: E kishte dhënë lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e mesme të Ferizajt, kishte qenë redaktor gjuhësor i revistës „Shkëndija“, si dhe kishte publikuar dhjetëra artikuj studimor lidhur me përdorimin e drejt të gjuhës shqipe.
Profesor Hajro Hajra për shkak të ideve të tij çlirimtare ishte përndjekur nga regjimi serb. Kështu, shtëpia e tij i ishte nënshtruar bastisjeve, kurse Hajro Hajra i ishte nënshtuar arrestimeve.
Edhe bashkëshortja e profesor Hajro Hajrës, Jeta Hajra, kishte qenë e përndjekur politikisht nga regjimi serb, kurse vëllai i saj Fatmir Avdullahu, kishte bërë shumë vite burg politik, për shkak të veprimtarisë së tij ilegale në të mirë të bërjes së Kosovës Republikë.
Viteve të fundit ai kishte një gjendje shumë të rëndë shëndetsore. Në këtë gjendje ai e kishte redaktuar deri në detaje librin e tij me titull: „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“, i cili po shpërndahet falas në Kosovë dhe në mërgatë.
Duke e lexuar librin „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“ e pash dashurin e pashoqe të profesor Hajro Hajrës për gjuhën shqipe dhe jo vetëm kaq. E pash edhe dëshirën e tij po ashtu të pashoqe, që shqiptarët në përgjithësi dhe sidomos folësit e radiove dhe të televizioneve, ta flasin gjuhën shqipe sa më thjesht, sa më bukur dhe sa më pastër, duke mos përdorur ata fjalë të gjuhëve tjera, në vend të fjaleve të barasvlefshme në gjuhën shqipe.
Vetë fjalitë e gjuhëtarit Hajro Hajra të thurura në librin e tij me thjeshtësi, mjeshtri dhe pedantëri, me plotë kolorit, melos dhe ngohtësi, më bënë që ta përjetoja atë si një njeri plotë edukatë, urtësi, maturi dhe dashuri të thjeshtë, jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për miqt e shokët e tij, si dhe për vetë njeriun- njerëzit në përgjithësi, virtyte këto të supozuara nga ana ime për të, që pajtoheshim me ato virtyte të cilat Hajro Hajrës ia përshkruante edhe shoku i tij Skënder Hajdari.
Para dy javëve i telefonova Skënderit dhe po i tregoja se sa shumë më kishte plëqyer libri i Hajro Hajrës: „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“, dhe i propozova që ai ta motivonte autorin, Hajro Hajrën, që t`i shkruante edhe dy libra tjerë të të njëjtë format si libra xhepi: njërin si „Një gramatikë e shkurt e gjuhës shqipe“ dhe tjetrin si „Një sintaksë e shkurt e gjuhës shqipe“, por Skënderi më tha se tani kishin kaluar rreth tri javë ç`prej se gjuhëtari Hajro Hajra kishte ndërruar jetë.
Lajmi për vdekjen e Hajro Hajrës me pikëlloi edhe pse nuk e kisha njohur fizikisht, dhe edhe pse nuk e kisha ndërruar as edhe një fjalë të vetme me të, qoftë edhe me telefon. Kishin qenë virtytet e tij të cilat i kisha „lexuar“ duke e lexuar librin e tij „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“, ato që më kishin bërë mik e shok me të, dhe natyrisht si edhe vdekja e shokëve dhe e miqëve të tjerë, edhe vdekja e tij jo vetëm se më pikëlloi, por edhe bëri që ta shkruaja këtë `in memoriam` në shnjë respekti për të!
Gjuhëtari dhe edukatori Hajro Hajra ka ikur si një një engjëll dhe pëllumb i bardhë nga kjo botë. Ikja e tij e parakohëshme nga kjo botë paraqet një humbje të madhe jo vetëm për familjarët, jo vetëm për shokët dhe miqtë e ngushtë, por edhe për vetë gjuhën shqipe, të cilën ai deshi t`ua ofroj shqiptarëve sa më të përpunuar, sa më pastër e më të kulluar, që ajo shqiptarëve t`u ndrinte në gojë!
Lum kush ikë nga kjo botë si Hajro Hajra me shpirtë, fytyrë e zëmër të bardhë si qelibar! Lum kush ikë nga kjo botë duke lënë pas qoftë edhe një libër të vetëm margaritar, siç e ka lënë edhe Hajro Hajra librin e tij margaritar me titull: „Të flasim dhe të shkruajmë drejt“. Ngushëllime bashkëshortës Jeta Hajra dhe fëmijëve të qiftit Hajra!
Lamtumirë profesor Hajro Hajra!
U kujtofsh ndër breza e mos u harrofsh!
Dy pëllembë tokë t`i ka borxh Kosova!