Iku miku i madh zviceran Willy Knecht, që me qindra faqe i dëshmoi krimet serbe në Hagë

 

 Më 29 Shtator edhe një mik i madh zviceran u shkëput si një meteor nga kjo botë. Ishte ky  specialisti i sigurisë , Willy Knecht nga Bönigeni i Interlakut në Zvicër, i cili u vu në dispozicion të Tribunalit të Hagës që me specialistë të tjerë të hulumtonin varrezat masive, të ekshumonin kufomave në komunën e Kaçanikut e Lipjanit . – Aq shumë e tronditën masakrat serbe sa ai të afrohet edhe më shumë me popullatën e dëmtuar, në mënyrë që të ndihmojë edhe materialisht disa fëmijë shqiptarë në komunën e Kaçaniku

 Teksti e fotot Rexhep Rifati

Mikun tonë të madh Willy Knecht, e vizitova dy herë edhe në shtëpinë tij i shoqëruar nga miku i tij i ngusht Nezir Loku, meqrast na ofroj edhe një pritje tipike alla shqiptare me gjygima të çajit, ndërsa tash përmes Nezirit marrim lajmin se Willy ka ndërrua jetë: “ Me dhembje të madhe ju njoftoj se miku im i shumë i çmuar, por edhe miku juaj Willy Knecht me 29 Shtator 2020 iku nga kjo jetë për të kaluar në përjetësi, unë e kisha mik të mrekullueshëm dhe në mua la shumë kujtime të pashlyera, aq më parë që nga ky mik unë mësova shumë, sidomos për atë çka do të thotë humanizmi dhe drejtësia.

Pusho në paqe Mein Freund Willy»!

Me këtë rast po jam një nga shkrimet e mija të hershme 14 Tetor 2004, për të parë më për së afërmi punën e madhe që bëri për shqiptarët Willy Knecht,, i cili pastaj botoi edhe një libër të veçantë për fshatrat e komunës së Kaçanikut ku ishin kryer masakrat:

 

Nga një misionar në një mik të vërtetë

 

Njoftimin e parë për specialistin e sigurisë, Willy Knecht nga Bönigeni afër Interlakit në Zvicër: se si ai nga një misionar në vitin 1999 në Kosovë, tash të shndërrohet në një mik të vërtetë të shqiptarëve sa edhe të vizitoi disa herë Kosovën edhe shtatë vite pas përfundimit të luftës, na e bëri të ditur mërgimtari Nezir Loku, i cili disa herë e kishte shoqëruar atë në vendlindjen e tij, në fshatin Kotlinë dhe në disa vendbanime të tjera të Komunës së Kaçanikut.

Edhe gjatë vizitës që i bëmë në shtëpinë e tij në një ambient vërtetë piktoresk, tek z.  Willy Knecht, (që përherë në qafë bartë një medaljon me mbishkrimin “UÇK”) hasëm në një pritje bujare të ngjashme me atë që mund të haset edhe në fshatra malore të Kosovës. Pasi na priti me ngrohtësi, duke na gostit edhe me çaj rusi, me gota të ngjashme si edhe në Kosovë, miku zviceran na dërgoi edhe në kabinetin e tij të punës, ka patëm rastin të gjejmë një pjesë të ambientit të Kosovës: gurë, suvenire, mina dhe flamuj shqiptarë si dhe libra në gjuhen gjermane,  si Kanuni i Lekë Dukagjinit, libra për Kosovën apo edhe figura të shqiponjës e të Skënderbeut.

Tejet tronditëse albumet me fotografi

Të dhimbshëm e shqetësues ishin sidomos albumet me fotografi trishtuese nga masakrat serbe në Kosovë, për të cilat fliste në atë mënyrë sa të rrëqetheshin flokët. Në veçanti e kishin goditë rëndë vrasjet e më të rinjve dhe fëmijëve të pambrojtur.

  1. Willy Knecht tregon se si në vitin 1999 vendosi të shkojë në Kosovë: Se si ishte një ditë krejtësisht e zakonshme pune dhe kur Willy Knecht së bashku me një grup specialistësh të sigurisë po merrte pjesë në një aksion në hotelin Victoria në Interlaken dhe i cingëroi telefoni mobil. Ishte prokuroria federale që e pyeste atë nëse do ta pranonte një detyrë të ofruar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës si specialist për zjarre dhe eksplodime, detyrë që do ta ushtronte në Kosovë. Knecht kishte nja pesëmbëdhjetë minuta për të menduar. Nga kjo ofertë e ardhur papritur ka lindur pastaj një detyrë me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa sot ajo është kthyer në një angazhim të fuqishëm personal të tij.

Nga tmerret e kryera edhe ne burrat e rritur qanim me të madhe

Në kohën kur Knecht kishte udhëtuar për herë të parë në regjionin e goditur nga lufta, komisioni i ekspertëve të cilit ai i takonte kishte një detyrë të tmerrshme por të rëndësishme. Specialistet duhej të hulumtonin varrezat masive, të ekshumonin kufomat, të bënin obduksionin e tyre dhe në fund, me ndihmën e familjarëve, të bënin identifikimin e tyre. “Ne u jepnim familjarëve mundësinë që të bënin përshëndetjen e fundit me viktimat, të afërmit e tyre. Kjo përshëndetje fizike ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe madje edhe kur familjarët mund të shohin i vetëm një kafkë ose një skelet dore të të vrarit”, thotë Knecht. Kjo punë i mundësoi atij një kontakt të ngushtë me popullatën e Kosovës. “Ne ishim pikërisht në vendin e ngjarjes dhe e pamë mjerimin e këtyre njerëzve. Ne e dinim se cilët familjarë të tyre në ç`mënyrë ishin vrarë”.

Willy dhe kolegët e tij ndjenin pulset e popullatës

Knecht dhe kolegët e tij e ndjenin pulsin e popullatës, mësonin për problemet dhe nevojat e tyre. Nga këto kontakte ka burimin angazhimi i sotëm i Knechtit i cili ndihmon persona të caktuar dhe merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dërgimin e ndihmave për ta. “Është ndihmë vërtetë e drejtpërdrejtë dhe unë e shoh se ajo ka vërtet efekt”, thotë Knecht, i cili ka ndihmuar edhe disa fëmijë e sidomos djaloshin Faton Qorri , tash 17 vjeçar të cilit serbët në moshën 10- vjeçare ia ekzekutuan babën e dy vëllezërit, ndërsa kur Fatoni tentoi të ikë me motrën 8- vjeçare, snajperistët ia goditën për vdekje. Ja si e përshkruan ketë rast :  Në një fshat tjetër po kërkonim mbetjet e viktimave të luftës. Nga një varrezë e vogël masive nxorëm dhjetë kufoma. Derisa po punonim, na ra në sy një djalë dhjetëvjeçar që po vinte te ne përmes fushës së minuar. Përkthyesi na njoftoi se Fatoni, kështu quhej djaloshi, po shprehte dëshirën që të shihte edhe një herë (të vrarë, sigurisht) babain e tij. A guxonim të rrezikonim? Ne e lejuam djaloshin t`ia thotë lamtumirën të atit dhe shpejt e morëm vesh rastin e tij. Trupat serbe kishin grumbulluar fshatarët në oborrin e shkollës, ku ata duhej të dorëzonin gjërat e vlefshme dhe të shkonin në drejtim të malit. Së pari ata zgjodhën disa burra nga ky grumbull dhe i vranë para syve të të tjerëve. Motra e vogël e Fatonit po ikte së bashku me vëllain  e saj kur një snajper e qëlloi atë duke e shkëputur nga duart e Fatonit.

Pak më vonë banorët e fshatit na lutën që të zhvarrosim kufomën e një fëmije të varrosur në oborrin e një gruaje që jetonte vetëm. Ajo e kishte varrosur vetë atë prapa shtëpisë . Ne, katër veta shkuam atje dhe sërish papritur na paraqitet Fatoni. Atje morëm vesh se kufoma që po zhvarrosej ishte pikërisht e motrës së tij të vogël, të vrarë me snajper. Ky përjetim edhe për ne që vetë jemi prindër ishte tepër i rëndë. Ne, burra të rritur po qanim me të madhe!”

 

Dhunë e ushtruar si në kushtet e mesjetës

 

Njerëzit atje kanë filluar të flasin për tmerret që kanë parë, për dhunën , torturat, frikën që kanë përjetuar, për vdekjen etj. Por urrejtja për serbët është të thuash e papranishme. “Unë nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë fjalë të keqe për serbët. E vetmja që duan shqiptarët është pavarësie. Ata duan të ndahen politikisht nga Serbia”. Viktimat nuk mund të harrojnë kurrë atë që kanë përjetuar, por ata mund të lirohen nga pak nga traumat. Vetë Knecht-i është duke përpunuar tash gjendjet traumatike nëpër të cilat ka kaluar gjatë misionit të tij profesional. Ne atëherë patëm vizituar një bodrum ku ishin bërë tortura në një stacion policor. Duke parë atë ne mendonim: kjo gjë nuk mund të jetë e vërtetë, dhunë e ushtruar si në kushtet e mesjetës. Sot njerëzit kanë filluar të flasin për këtë.

Duke folur për mundësitë tjera për të ndihmuar kosovarët Willy Knecht thotë: “me 200 deri 300 euro atje mund të arrihet shumë”. Persona privatë nga rrethi i të njohurve të tij e mbështesin atë financiarisht,  por edhe Lions-Club i Interlakenit ku ai bën pjesë. Ai e thotë zëshëm mendimin e tij se vetëm një për qind e shpenzimeve që bën Swisscoy zviceran do të ishte një ndihmesë e madhe për popullatën e varfër në Kosovën e jugut po tu shpërndaheshin atyre. Knechtit i ka ndodhur madje që banorët e  fshatrave që ka vizituar të mos marrin të hollat që ai u ofronte. “prandaj unë u blija atyre p.sh. ndonjë dele. Kështu unë “kam” tashmë pesë dele dhe së shpejti do të jenë sigurisht më shumë.

 Nami i keq i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër – i padrejtë

Knecht dëshiron që Kosova të mos zhduket nga kujtesa e Evropës perëndimore. “Luftërat harrohen kaq shpejtë. Në Zvicër flitet për Kosovën vetëm nga arsyeja se atje janë të stacionuara trupat zvicerane”, thotë ai. Ai do të ishte i lumtur sikur shqiptarët të gëzonin një nam më të mirë në Zvicër. Këtë ai e shpjegon me mungesën e gatishmërisë së zviceranëve për t`i integruara ata. Jo rrallë ai dëgjon që tu i thonë njerëzit se “çfarë dëshiron ai te “plehërishtat” në Kosovë. Knecht e kundërshton ashpër këtë qëndrim duke thënë: Njerëzit atje jetojnë në kushte shumë modeste, por kjo nuk do të thotë se u mungon kultura jetësore. Dhuna dhe kriminaliteti nuk bie në sy.

Kush është  Willy Knecht?

Willy Knecht është i lindur në vitin 1943 dhe ka mbaruar specializimin për preparator anatomik në Universitetin e Bazelit. Në vitet 1965/66 ka mbaruar edhe shkollën policore në Bernë. Ka punuar për shumë vite në polici në ndjekje të aktiviteteve kriminale të narkotikëve. Më tutje ka kryer kualifikime shumëvjeçare si ekspert për zjarre, eksplodime dhe bomba. Nga viti 1982 deri në vitin 2003 kur del në pension është drejtues i sektorit special për këtë fushë.

Në Kosovë me urdhrin e eprorëve të tij të cilët e kishin angazhuar për të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar në shërbim të Tribunalit të Hagës për të zbuluar krimet e luftës, ai ka shkuar menjëherë pas çlirimit të Kosovës, së bashku me trupat e NATO-s dhe me refugjatët shqiptarë që ktheheshin nga eksodi.

Dy pleqtë e djegur për së gjalli

Rasti i parë i hetimit kishte të bëjë me vrasjen e dy pleqve nga serbët. Ata nuk kishin mundësi të lëviznin pa mjete ndihmëse por serbët i kishin detyruar të ecnin ashtu deri në një vend që kishin caktuar. Atje pastaj i kishin torturuar dhe i kishin plagosur në mënyrë që të vuanin sa më shumë para se të vdisnin. Dy pleqtë i kishin lutur që t`i vrisnin për tua shkurtuar dhimbjet por serbët i kishin marrë ata i kishin vendosur në një shtëpi dhe ia kishin futur flakën shtëpisë, duke i djegur të gjallë që të dy në vuajtje të tmerrshme. Si mund ta dimë ne këtë në mënyrë kaq të saktë? Një djalë i ri kishte mundur të shpëtonte me kohë dhe kishte hipur në një pemë të lartë prej nga e kishte vrojtuar tërë ngjarjen e tmerrshme. Ne pastaj patëm mundësi t`i sigurojmë gjurmët më të rëndësishme dhe shpresojmë, se sikur edhe në të gjitha rastet tjera, përgjegjësit një ditë të vuajnë dënimin.

 

 

Njëqindvjeçarja që përjetoi tri dëbime

Ja se si e shpjegon Willy Knecht lidhjen e tij me banorët e një fshati kosovar, lidhje kjo e cila ka nisur në ditët e para të pasluftës dhe të cilën e kultivon edhe sot e atë ditë. “Kurrë nuk mund të harroj se si në ato kushte ata na ofronin ushqim ndonëse nuk kishin as për vete. Një grua shumë e vjetër na tregonte se si ajo gjatë shekullit njëzet e kishte përjetuar tri herë shkatërrimin e fshatit të saj. Gruaja vdiq vitin e kaluar në moshën 103 vjeçe. Unë do ta mbaj në kujtesë atë sepse ajo ishte për mua një simbol i një rezistence të heshtur, me deklaroi gjatë një interviste miku inë që tash prehet në amshim Willy Knecht.

U prehtë në paqe me kujtimet e mira ndër breza, me dëshirën që materialet e tij të tubohen e publikohen aq sa lejojnë rregullat e vet Tribunalit të Hagës.