„Iu harroftë emri!“ – është ndoshta mallkimi më i rëndë që ka shpikur kultura shqiptare. Kjo nëmë shkon më larg se t’i dëshirosh tjetrit vdekjen. Sepse njeriu mund të vdesë dhe prapë t’i kujtohet emri.
Por, ka njerëz që u harrohet emri edhe për të gjallë!
Shkrimtari nobelist amerikan John Steinbeck ka shkruar një libër ku e tematizon ëndrrën amerikane dhe punën e rëndë në ferma, „Mbi njerëzit dhe minjtë“. Një ndër personazhet më të spikatura të këtij romani është një grua çapkëne: Gruaja e Curleyt. Po, ky është emri i saj gjatë gjithë kohës, deri në fund të ngjarjes, kur atë e mbyt njëri padashur. Ndërsa të tjerët e mbysin me dashje çdo ditë nga pak, duke e thirrur „Gruaja e Curleyt“.
Ky nuk është emërtimi që autori e ka zgjedhur thjesht për arsye stilistikore për këtë grua. Ky është transmetim i mendësisë së një segmenti shoqëror, apo i të gjithë shoqërisë në një periudhë kohore në Amerikë. Kështu gruaja del e paidentitet, thjesht një pronë e burrit.
Jeta në fshatrat tona di gjithashtu të jetë e mundimshme. Den babaden ka qenë e tillë. Edhe këtu njerëzit ndjekin ëndrrat e tyre, si shkollimin e një fëmijë që shkon mirë me mësime, ndërtimin e një shtëpie të re, apo edhe ngrehjen e një ferme. Sikurse personazhet e Steinbeckut. Dhe në këto peripeci grave shpesh iu bie një hise e madhe, mbase më e madhe se burrave.
Kush nuk ka pasur rastin të jetë dëshmitar i vitalitetit dhe flijimit të gruas së katundit, e njeh atë nga shkolla, apo leximi. S’ka shqiptar që nuk i njeh vargjet e Çajupit: „Burrat nën hije / Lozin kuvendojnë / Pika që s’u bie / Se nga gratë rrojnë“. Me një frymëzim të rrallë gruas së fshatit i ka kënduar sidomos Dritëro Agolli: “E si të mos këndojmë, poetë, / për ato që kanë ditur në jetë / të lindin kreshnikë e perri / në maternitet e në shtëpi, / në mal e në arë, / duke prerë dru / e duke hedhur farë“.
Dhe prapë gruaja nuk po e zë vendin e saj në shoqërinë shqiptare. Jo vetëm në katund. Kjo mbase është edhe arsyeja e aktualitetit të këtyre ligjërimeve poetike. Tani mund t’i kalërojmë imagjinatës dhe të pyesim, sesi do ta quante John Steinbeck gruan e – të themi – Filanit, sikur t’i referohej ambientit shqiptar në Maqedoni. Hm… Mendoj se do ta quante „Filanica“. Kjo shprehje e neveritur dhe kaq e përhapur, për ironi, parasëgjithash në mesin e vetë garave, është treguesi më domethënës për katandisjen e statusit të gruas në shoqërinë shqiptare. Ajo shfaqet pa identitet, sikurse gruaja e Curleyt. Një pronë e burrit. Një aneks i tij. Kjo është prova sesi dikujt mund t’i harrohet emri për të gjallë, edhe kur e meriton t’i mbahet në mend për jetë të jetëve.
Pa qenë e domosdoshme për këtë kontekst, le të na lejohet të përsiasim shkurt për origjinën e kësaj shprehjeje. Si profan në fushën e etimologjisë së fjalëve, më duket se sufiksi „ica“ në emrat e grave tek ne është një trajtë e adaptuar nga sllavishtja. Ndonëse shprehje të tilla, kryeprerë!, i ndesh edhe në Shqipëri: Mitica, për nusen e Mitit; apo xhaxhaica, për gruan e xhaxhait. Por, vendi ku gruaja është masovikisht emërharruar, e reduktuar në një „icë“ të burrit, janë vendbanimet e shqiptarëve në Maqedoni. Edhe atë në Maqedoninë më perëndimore të Veriut.
Tani më kujtohet leksioni i parë mbi rrymën në lëndën e fizikës në gjimnaz: „Gjëja e parë që duhet të mësoni për rrymën,“ – na thoshte ptofesori i lëndës – „është të mos i thoni strujë!“. Sidoqëtëjetë, gjëja e parë që duhet mësuar për njohjen e dinjitetit të gruas, është respektimi i identitetit të saj. Dhe kjo nuk është shumë!
Ps:
Këtë tekst e kam botuar në librin „Ditari Unik“ më 2013. E risjell sot, më 15 tetor, për Ditën Ndërkombëtare të Grave në Viset Rurale.