Humbje ndjenjash – Cikël poetik

Humbje ndjenjash

Njëherë kur isha fëmijë
Në një shtëpi shëndeti
Pakëz duke ma prerë gishtin
Për të më marrë ca pika gjaku
Pata humbur ndjenjat
U pata rrëzuar
E shpejt u pata ngritur bashkë me to
Tash shpesh
Shoh veten duke humbur ndjenja
Pa më rënë të fikët

Frymëzim fëmijëror

I shoh fëmijët
Bëhem si ta
Mbi çati veturash
Po marr borë
Dhe po e gjuaj
Hënën

Qielli u akullëzua

Nga ftohtësi
E madhe
E njerëzve
Qielli u akullëzua
Dhe po e mban peng
Diellin

Rrëfimth mëngjesor

E dërgoj djalin e madh në shkollë
Kam kohë të ec përreth një orë
Më duhet të kthehem përsëri në shkollë
Në një orë konsultimesh
Për suksesin, sjelljet e mbarëvajtjen e tyre
Vendos që gjatë kësaj kohe mos të kthehen në shtëpi
As të ulem diku në ndonjë kafene
Para një kroi që ndodhet
Para pllakës përkujtimore të një dëshmori
Dikush mbush dy bidonë dhjetëlitërsh
Më pas një nxënëse një shishe ujë
Që e vë në njërin xhep të jashtëm e anësor të çantës
Unë lag një faculetë e pastroj këpucët
Laj duart e syve u hedh ujë