Hora e Arbëreshëvet, kryeqendra e identitetit arbëror

Hora e Arbëreshëvet (“Piana degli Albanesi” afër Palermos në Sicili, themeluar më 30 gusht të vitit 1488, më mirë se çdo vendbanim arbëresh ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.- Hora me mbi 6.500 banorët, shquhet edhe si kryeqytet i arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Rilindjes, siç ishin poeti e Zef Skiroi, gjuhëtari Lekë Matrënga, ndërsa në mesin e atyre që e vizituan ishin edhe Ismail Qemajli e Ismail Kadare

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në vazhdën e prezantimeve të vendbanimeve arbëreshe, pas tri katundeve të poetëve tanë në Kalabri, të De Radës, Zef Serembës e Jul Varibovës, kësaj të hëna, kaluam në Sicili, për tu njohur me njërin nga vendbanimet më të mëdha arbëreshe, themeluar 533 vjet më parë: qytezën Hora e Arbëreshëvet (“Piana degli Albanesi”, që gjendet 24 kilometra larg Palermos në Sicili.

Sa i përket historikut: Hora është themeluar më 30 gusht të vitit 1488, ndërsa banorët u shpërngulën në ishull në vitin 1480, kur osmanët sulmuan trojet shqiptare në Adriatik. Aktualisht Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Ndërsa që simbolet, flamuri kombëtar valëvitet në shumë objekte private e publike, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Horës (fotoja kryesore e këtij shkrimi). Edhe në këtë lokalitet të madh arbëresh, krahas bustit të Skënderbeut, në të njëjtin shesh gjendet edhe shtatorja e Shën Terezës, që paraqesin pikat më të frekuentuara të vizitorëve.

Horen e Arbëreshëve e vizitova nga data 23-28 mars 2017, ku edhe njoha nga afër jo vetëm këtë vendbanim të hershëm arbëresh me mbi 6.500 banorë, që njihet si kryeqytet i arbëreshëve, por edhe pash nga afër sesi këtu më mirë se në çdo lokalitet arbëresh ruhen me shumë dashuri e fanatizëm gjuha, tradita dhe simbolet kombëtare, e të gjitha këto kulmohen me traditën e bujarisë deh mikpritjes shqiptare.

Mikpritja e rrallë dhe e paparë

Por ajo që të shoqëron e të emocionon në çdo hap në Horën e Arbëreshëve është mikpritja e rrallë dhe e paparë. Këtë vlerë të trashëguar prej shekujsh, mikpritjen dhe zemërgjerësie patëm rastin ta përjetojmë nga afër bashkë me shumë bashkëkombëse nga trojet etnike dhe mërgata më parë në vet Horen në një program festiv, në kohën kur edhe zhvillohej ndeshja mes kombëtareve shqiptare dhe italiane dhe kur edhe vëllezërit arbëresh erdhën me autobus në Palermo për të anua për Kombëtaren e Shqipërisë, atdheut të të parëve të tyre.

Gjatë pritjes te kryetari i Bashkisë, doktor Vitos Skalia, rastisi që me disa nëpunës të komunikoja mjaft mirë shqip. Po këtë ditë, më 24 mars 2017, në godinën e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, nxënësit e Shkollës “Skanderbeg” shfaqën një program festiv për nder të kombëtares shqiptare që atë mbrëmje ballafaqohej në një ndeshje futbolli me kombëtaren italiane. Ishe ky një program shumë mbresëlënës që u duartrokit gjatë nga pjesëmarrësit e shumtë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë nga shumë shtete të Evropës. Mësuam se nxënësit në Hora kanë në program dy orë mësim në javë në gjuhën shqipe, në kuadër të orëve shtesë të mësimit të rregullt në gjuhën italiane.

Por ajo që të shoqëron e të emocionon në çdo hap në Horën e Arbëreshëve është mikpritja e rrallë dhe e paparë. Këtë dukuri të trashëguar prej shekujsh, mikpritjen dhe zemërgjerësinë, unë me shoqëruesit: vëllezërit Jakup e Islam Reka dhe Agim Pepaj, e përjetuam në çdo hap e në çdo cep të Hores.

Kudo gjurmë të dukshme e identitetit të fortë etnik

Gjurma më e dukshme e identitetit të fortë etnik është gjuha arbërore, e folur prej krejt banorëve. Këtë të folme e dëgjuam nga banorë të moshave të ndryshme gjatë gjithë vizitës, por edhe e pamë të shënuar në emra rrugësh, dyqanesh e sheshesh. Arbërishtja, edhe më tej jeton si gjuhë amtare dhe është mjet kryesor komunikimi. Me një fjalë, qytetarët përdorin sistemin dygjuhësh, shqipen dhe italishten. Megjithatë, gjuha (“gluha” në arbërisht) e vendit është gjithmonë në rrezik, sidomos për fëmijët, që gjuhën amtare në shkollë e kanë dytësore.

Gjatë vizitës në Katedralen e “Shën Mitrit Dëshmor i Madh”, ligjërohej shqip. Kisha është e ngritur më 1590-ën dhe stoliset me një abazhur me shqiponjën dykrenore. Sa për ilustrim, po ju rrëfej me dy rreshta për rëndësinë që arbëreshët i japin gjuhës së tyre të lashtë:

“Arbëresh’ këngë thoni,

gluhën e lartë të mos e harroni…!”

Mbishkrimet, toponimet dhe simbolet tek Hora e Arbëreshëve

Si në Kalabri, ashtu edhe në Sicili, vizitori shqiptar ndien kënaqësi që has në aq shumë mbishkrime, toponime dhe simbole kombëtare shqiptare. Madje, në Sicili, në Horën e Arbëreshëve has edhe në më shumë shenja të natyrës shqiptare, duke filluar nga godina e Bashkisë, ku krahas flamurit italian, valon edhe flamuri kombëtar shqiptar.

Në Horë spikat posaçërisht shqiponja dykrenore, qoftë në rrugë, sheshe, kisha e përmes flamujve edhe në restorante e shtëpi banimi. Hora gjithashtu ka stemën e vet me shqiponjë, e në këmbë kallinj gruri, simbol rrite e bereqeti*.

Simbolin e shqiponjës e hasëm edhe në kishën arbëreshe në kryeqytetin e Sicilisë në Palermo, themeluar që në vitin 1547. Në gjuhën shqipe banorët përjetësojnë në rrugët e këtushme edhe emra shkrimtarësh e studiuesish të njohur që ka dhënë Hora e Arbëreshëve.

Veshje tradicionale përplot “shpirt” e kolorit

Gjatë vizitës që i bëmë Horës së Arbëreshëve, ajo që tërhiqte më së shumti ishte veshja karakteristike, sidomos veshja e femrave. Kostumet përplot “shpirt”, kolorit e bukuri përbëjnë një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore të arbëreshëve të kësaj ane. Për më shumë se pesë shekuj të arbëreshëve në Sicili, kjo veshje mund edhe të ketë pësuar ndryshime dhe kjo e bën të vështirë rindërtimin e saj sipas origjinës.

Veshjet, megjithatë janë një pasuri dhe vlerë e pakontestueshme. Ato kryesisht barten në festa familjare e tradicionale. Llojet e veshjeve tradicionale të grave i hasëm edhe në festën e organizuar në godinën e Bashkisë së Horës, edhe në rrugë, por edhe në muzeun e kësaj qyteze.

Shkrepa disa foto aty ku arrita t’i fiksoja në këto mjedise, por disa nga fotot m’i huazoi miku im arbëresh, studenti i dramaturgjisë dhe skenografisë nga Hora, Jaren Martide, apo si fotograf me emrin Mario Calivà, dhe me këtë rast e falënderoj shumë.

Takim vëllazëror me albanologun Matteo Mandalà

Siç takova në Frasnitë të Kalabrisë intelektualin e shquar Antonio Bellusci, në Hora të Arbëreshëve takuam profesorin e letërsisë shqipe dhe drejtuesin e Njësisë Shkencore të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, prof. dr. Matteo Mandalà. Ai është autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti, dhe atë shqiptare në përgjithësi. Ai është i njohur në përmasa ndërkombëtare jo vetëm si studiues i artit dhe i letërsisë arbëreshe, shqiptare, por edhe si studiues i rendit parësor të letërsisë së Ismail Kadaresë dhe të disa autorëve bashkëkohorë.

Mandalà nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është pranuar anëtar i jashtëm i Asamblesë, kurse nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Nga faqja e Hora e Arbëreshëvet / Piana degli Albanesi mësojmë se ndër Arbëreshët e famshëm të këtushëm shquhen:

 

Zef Skiroi (1865 – 1927), poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

  • Lekë Matrënga(1567– 1619), shkrimtar dhe prift ortodoks, shkrimtari i parë i arbëreshëve, i cili ka filluar letërsinë shqiptaro-toske.
  • At Gjergji Guxeta(1682– 1756), Shërbëtori i Perëndisë, Apostull i Arbëreshëve të Sicilisë, njeri i madh, i cili mbrojti ritin ortodoks: ai themeloi “Seminarin Shqiptar” të Palermos, “Kongregacionën të priftërinjve arbëreshë i ritit ortodoks” dhe promotor i themelimit të “Kolegjit për vajzat arbëreshe”.
  • Gjergj Nikollë Brankati(1675– 1741), prift ortodoks dhe shkrimtar.
  • Imzot Zef Skiro(1690– 1769), kryepeshkopi ortodoks i Dioqezës së Durrësit dhe misionar në Himarë.
  • Gjergji Stasi(1721– 1801), i parë Peshkop i ritit bizantin për arbëreshët e Sicilisë (1784) dhe Peshkop titullari i Lampaskot.
  • Frangjisk Parrino(1754– 1831), prift i ritit ortodoks, shkrimtar dhe poet.
  • Luc Dolce Gliqini(1765– 1850), poet popullor.
  • Kostantin Kostantini(1782– 1837), poet dhe jurist.
  • Frangjisk Salluti(1809– 1892), politikan, ai ishte themelues i “Konviktit Arbëreshë” në Palermo për nxënësit shqiptarë të Sicilisë.
  • Zef Muzàka(1837– 1910), prift i ritit bizantin, shkrimtar dhe publicist.
  • Dhimitër Kamarda(1821– 1882), prift, studiues shqiptar i ciklit të lartë, historian, filolog dhe filozof, i cili shkroi monumentet e para sistematike shkencore të kulturës shqiptare.
  • Françesko Muzaka(1852– 1931), politikan, themelues i “Lidhjes Kombëtare Shqiptare” (1902), më vonë “Lidhja Italo-Shqiptare” së Palermos.
  • Shaveri Masi(1855– 1910), politikan.
  • Nikola Barbato(1856– 1923), mjek dhe politikan, në mesin e themeluesve të Dhomatet e gjindevet çë shërbejën (Lëvizjes së Punëtorëve) të Sicilisë, figura më e madhe i socializmit në Itali në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
  • Zef Skiroi(1865– 1925), poet, historian, gjuhëtar, publicist dhe patriot shqiptar, me i madhi përfaqësues i traditës letrare dhe kulturore Arbëreshe të Sicilisë.
  • Imzot Pal Skiro(1866– 1941), Peshkop i ritit ortodoks i shqiptarëve në Sicili, publicist, shkrimtar dhe përkthyes, i njohur për zbulimin e Mesharit i Gjon Buzukut.
  • At Nilo Borxhia(1870– 1942), murg bizantin, bibliofil, shkrimtar dhe teolog në Manastirin i Grotaferratës.
  • Zef Kamalò(1871– 1946), jurist dhe drejtor socialist.
  • Tani Petrota(1882– 1952), prift bizantin, albanolog, filolog, ekspert në letërsinë greke dhe shqipe, i pari profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos.
  • Sepa Peta(1882– 1959), prift i ritit bizantin, mjek i terapisë dhe mësues i madh i traditave, i besës dhe i gjuhës së parardhësve të tyj.
  • Rozolino Petrota(1894– 1969), politikan, gazetar, është duke luftuar për pavarësinë e Shqipërisë dhe përmirësimi i kushteve të arbëreshëve të Sicilisë.
  • At Zef Valentini(1900– 1979), teolog, albanolog, bizantolog, historian, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos.
  • At Marku Peta(1921– 2007), murg bizantin, mësuesi dhe dijetar. Arkimandrit i Manastirit të Grotaferratës (1994-2000) ishte një dijetar i rëndësishëm i pakicës murgërore italo-shqiptare bizantine.
  • Steu Pleshia(1921– 2013), prift i ritit grek-bizantin, shkrimtar, teolog dhe dijetar i kulturës shqiptare.
  • Imzot Sotìr Ferrara(1937), Peshkopbizantin të Eparkisë së Horës e Arbëreshëvet.
  • Paolo Peta(1942– 1999), ndër studiuesit arbëresh më interesantë të historisë së Shqipërisë të këtyre dekadave të fundit.
  • Zef Skiro Di Maxho(1944), poet dhe dramaturg, përfaqësuesi i shquar bashkëkohor i letërsisë arbëreshe-shqiptare.
  • Zef Skiro Di Maxho (Giuseppe Schirò Di Maggio),  i lindur në 1944, është një poet dhe dramaturg arbëresh i Piana degli Albanesi.
  • Prof. dr. Matteo Mandalà., Drejtues i Njësisë Shkencore të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti, dhe atë shqiptare në përgjithësi.
  • Mario Caliva (Jaren Martide), poet, dramaturg, shkrimtar, autorë i disa veprave, por edhe fotograf e gazetar, që i takon brezit të ri.
  • Në mesin e njerëzve të famshëm të cilët kanë vizituar Horën e Arbëreshëvet ka qenë Ismail Qemali Vloradhe Ismail Kadare.

 (Me këtë rast po postoj disa foto nga vet Hora bashkë me disa nga mikpritja tradicionale  arbëreshe)