Hora e Arbëreshëvet, gëzuar 533 vjetorin e ditëlindjes!

Pikërisht sot është 533 vjetori i themelimit të qytezës Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi, themeluar më 30 gusht të vitit 1488, të cilën edhe pata rastin ta vizitojë për tri ditë rresht, ku edhe njoha nga afër jo vetëm këtë vendbanim të hershëm arbëresh me mbi 6.500 banorë, që njihet si kryeqytet i arbëreshëve, por edhe pashë nga afër sesi këtu më mirë se në çdo lokalitet arbëresh ruhen me shumë dashuri e fanatizëm gjuha, tradita dhe simbolet kombëtare.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Hora është themeluar më 30 gusht të vitit 1488, ndërsa banorët u shpërngulën në ishull në vitin 1480, kur osmanët sulmuan trojet shqiptare në Adriatik. Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.

Sa u përket simboleve, flamuri kombëtar valëvitet në shumë objekte private e publike, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Horës. Si zakonisht, në fshatrat arbëreshe, busti i Skënderbeut bashkë me shtatoren e Nënë Terezës, janë ndër pikat më të frekuentuara të vizitorëve.

Kudo gjurmë të dukshme e identitetit të fortë etnik

Gjurma më e dukshme e identitetit të fortë etnik është gjuha arbërore, e folur prej krejt banorëve. Këtë të folme e dëgjuam nga banorë të moshave të ndryshme gjatë gjithë vizitës, por edhe e pamë të shënuar në emra rrugësh, dyqanesh e sheshesh. Arbërishtja, edhe më tej jeton si gjuhë amtare dhe është mjet kryesor komunikimi. Me një fjalë, qytetarët përdorin sistemin dygjuhësh, shqipen dhe italishten. Megjithatë, gjuha (“gluha” në arbërisht) e vendit është gjithmonë në rrezik, sidomos për fëmijët, që gjuhën amtare në shkollë e kanë dytësore.

Gjatë vizitës në Katedralen e “Shën Mitrit Dëshmor i Madh”, ligjërohej shqip. Kisha është e ngritur më 1590-ën dhe stoliset me një abazhur me shqiponjën dykrenore. Sa për ilustrim, po ju rrëfej me dy rreshta për rëndësinë që arbëreshët i japin gjuhës së tyre të lashtë:

“Arbëresh’ këngë thoni,

gluhën e lartë të mos e harroni…!”

Mbishkrimet, toponimet dhe simbolet tek Hora e Arbëreshëve

Si në Kalabri, ashtu edhe në Sicili, vizitori shqiptar ndien kënaqësi që has në aq shumë mbishkrime, toponime dhe simbole kombëtare shqiptare. Madje, në Sicili, në Horën e Arbëreshëve has edhe në më shumë shenja të natyrës shqiptare, duke filluar nga godina e Bashkisë, ku krahas flamurit italian, valon edhe flamuri kombëtar shqiptar.

Në Horë spikat posaçërisht shqiponja dykrenore, qoftë në rrugë, sheshe, kisha e përmes flamujve edhe në restorante e shtëpi banimi. Hora gjithashtu ka stemën e vet me shqiponjë, e në këmbë kallinj gruri, simbol rrite e bereqeti*.

Simbolin e shqiponjës e hasëm edhe në kishën arbëreshe në kryeqytetin e Sicilisë në Palermo, themeluar që në vitin 1547. Në gjuhën shqipe banorët përjetësojnë në rrugët e këtushme edhe emra shkrimtarësh e studiuesish të njohur që ka dhënë Hora e Arbëreshëve.

Veshje tradicionale përplot “shpirt” e kolorit

Gjatë vizitës që i bëmë Horës së Arbëreshëve, ajo që tërhiqte më së shumti ishte veshja karakteristike, sidomos veshja e femrave. Kostumet përplot “shpirt”, kolorit e bukuri përbëjnë një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore të arbëreshëve të kësaj ane. Për më shumë se pesë shekuj të arbëreshëve në Sicili, kjo veshje mund edhe të ketë pësuar ndryshime dhe kjo e bën të vështirë rindërtimin e saj sipas origjinës.

Veshjet, megjithatë janë një pasuri dhe vlerë e pakontestueshme. Ato kryesisht barten në festa familjare e tradicionale. Llojet e veshjeve tradicionale të grave i hasëm edhe në festën e organizuar në godinën e Bashkisë së Horës, edhe në rrugë, por edhe në muzeun e kësaj qyteze.

Shkrepa disa foto aty ku arrita t’i fiksoja në këto mjedise, por disa nga fotot m’i huazoi miku im arbëresh, studenti i dramaturgjisë dhe skenografisë nga Hora, Jaren Martide, apo si fotograf me emrin Mario Calivà, dhe me këtë rast e falënderoj shumë.

Takim vëllazëror me albanologun Matteo Mandalà

Siç takova në Frasnitë të Kalabrisë intelektualin e shquar Antonio Bellusci, në Hora të Arbëreshëve takuam profesorin e letërsisë shqipe dhe drejtuesin e Njësisë Shkencore të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, prof. dr. Matteo Mandalà. Ai është autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti, dhe atë shqiptare në përgjithësi. Ai është i njohur në përmasa ndërkombëtare jo vetëm si studiues i artit dhe i letërsisë arbëreshe, shqiptare, por edhe si studiues i rendit parësor të letërsisë së Ismail Kadaresë dhe të disa autorëve bashkëkohorë.

Mandalà nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është pranuar anëtar i jashtëm i Asamblesë, kurse nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Mikpritja e rrallë dhe e paparë

Por ajo që të shoqëron e të emocionon në çdo hap në Horën e Arbëreshëve është mikpritja e rrallë dhe e paparë. Këtë vlerë të trashëguar prej shekujsh, mikpritjen dhe zemërgjerësie patëm rastin ta përjetojmë nga afër bashkë me shumë bashkëkombëse nga trojet etnike dhe mërgata më parë në vet Horen në një program festiv, në kohën kur edhe zhvillohej ndeshja mes kombëtareve shqiptare dhe italiane dhe kur edhe vëllezërit arbëresh erdhën me autobus në Palermo për të anua për Kombëtaren e Shqipërisë, atdheut të të parëve të tyre.

Gjatë pritjes te kryetari i Bashkisë, doktor Vitos Skalia, rastisi që me disa nëpunës të komunikoja mjaft mirë shqip. Po këtë ditë, më 24 mars 2017, në godinën e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, nxënësit e Shkollës “Skanderbeg” shfaqën një program festiv për nder të kombëtares shqiptare që atë mbrëmje ballafaqohej në një ndeshje futbollistike me kombëtaren italiane. Ishe ky një program shumë mbresëlënës që u duartrokit gjatë nga pjesëmarrësit e shumtë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë nga shumë shtete të Evropës. Mësuam se nxënësit në Hora kanë në program dy orë mësim në javë në gjuhën shqipe, në kuadër të orëve shtesë të mësimit të rregullt në gjuhën italiane.

Por ajo që të shoqëron e të emocionon në çdo hap në Horën e Arbëreshëve është mikpritja e rrallë dhe e paparë. Këtë dukuri të trashëguar prej shekujsh, mikpritjen dhe zemërgjerësinë, unë me shoqëruesit: vëllezërit Jakup e Islam Reka dhe Agim Pepaj, e përjetuam në çdo hap.

Nga faqja e Hora e Arbëreshëvet / Piana degli Albanesi mësojmë se ndër Arbëreshët e famshëm të këtushëm shquhen:

Zef Skiroi (1865 – 1927), poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

Me këtë rast po postoj disa foto nga vet Hora bashkë me disa nga mikpritja tradicionale  arbëreshe