Heshtja e thyer: Sahit Kastrati dhe Kontributi i tij në luftë për çlirim dhe Bashkim Kombëtar

Heshtja e thyer: Sahit Kastrati dhe Kontributi i tij në luftë për çlirim dhe Bashkim Kombëtar

Për librin Sahit Kastrati në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar të autorit Ibish Neziri

Fatmir Arifi, studiues

Metodologjia e punës

Kur mbaron së lexuari librin me titull “Sahit Kastrati në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar”, të autorit Ibish Neziri, të krijohet një ndjesi në dy rrafshe: në rrafshin e parë, autori i kësaj monografie për herë të parë ka ndriçuar një pjesë të jetës dhe luftës së një figure prej atdhetari dhe luftëtari, siç ishte Sahit Kastrati, të cilën historiografia shqiptare nuk e ka trajtuar fare deri më tani.

Për këtë mund të thuhet se janë disa arsye, nga të cilat mund të veçohen heshtja e gjatë nga ata që e kanë njohur dhe nga familjarët, sigurisht për shkak të akuzave të rënda që i janë vënë në kurriz, vdekja e hershme e bashkëveprimtarëve dhe mungesa e dokumenteve arkivore. Ndaj dhe kjo figurë prej atdhetari dhe luftëtari të zot, me vlera kombëtare nga historiografia shqiptare, nuk është trajtuar asnjëherë, me pak përjashtim krejtësisht periferik, pa e pasur për objektiv studimi këtë figurë.

Heshtja e gjatë që kishte mbuluar emrin e Sahit Kastratit është thyer më në fund përmes kësaj monografie, e cila ndriçon jetën dhe veprimtarinë e tij si një atdhetar dhe luftëtar i zoti, në përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sahit Kastrati, ndonëse për dekada ishte lënë në hije nga historiografia shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet e asaj kohe. Kjo monografi, përmes metodologjisë së hollësishme dhe përdorimit të burimeve të shumta, nxjerr në pah jo vetëm figurën e tij, por edhe kontributin e tij të çmuar në historinë kombëtare.

Në rrafshin e dytë, në këtë libër, nga pikëpamja metodologjike, vlerë të veçantë merr narracioni që përdor autori, i cili në kuadër të këtij studimi gërsheton tri metoda shkencore: metodën historike, analizën krahasuese dhe metodën kualitative.

Për përdorimin e këtyre tri metodave autori ka qenë i kushtëzuar, për faktin se deri në shkrimin e këtij libri nuk është gjetur asnjë dokument arkivor lidhur drejtpërdrejt me Sahit Kastratin. Për më tej, në disa të dhëna, kryesisht në mediet dhe literaturën nga Mali i Zi dhe Serbia,të cilat autori i has gjatë hulumtimit, e më vonë edhe në dokumentet arkivore, që pas një kërkimi intensiv autori i gjen, emri i Sahit Kastratit nuk është i shënuar me korrektësi nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, figurimi i dy njerëzve me të njëjtin emër e mbiemër Hoxha, të cilin që të dy e bartnin si ofiq, ndonëse kishin mbiemra krejtësisht të tjerë, autorin e kushtëzojnë nga pikëpamja metodologjike në përdorimin e këtyre metodave shkencore, në mënyrë që të arrijë sa më afër të vërtetës historike. Përmes metodës historike, autori i kësaj monografie, Ibish Neziri, në disa nga sythat e librit trajton zhvillimet socio-politike nga viti 1920 deri në vitin 1941. Në kuadër të këtyre sythave lexuesi gjen tipologjinë e politikës serbo-malaziase për kolonizimin e Kosovës, si dhe spastrimin etnik të viseve shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, që janë realizuar përmes një sërë marrëveshjesh mes Jugosllavisë dhe Turqisë. Për më tej, në kuadër të këtyre sythave, brenda këtij libri trajtohen vrasjet e shqiptarëve, likuidimet fizike të shumë veprimtarëve dhe atdhetarëve shqiptarë, herë në mënyrë të hapur e herë në mënyrë enigmatike. Po ashtu, përmes metodës historike, autori na çon te të gjitha zhvillimet e ngjarjeve si në kontekstin kohor, ashtu edhe në kontestin hapësinor kur janë zhvilluar këto ngjarje, me ç›rast lexuesi gjithnjë e gjen në kuadër të këtyre zhvillimeve kryepersonazhin e këtij libri, Sahit Kastratin, si dhe shumë nga bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij.

Është për t’u theksuar fakti, se autori i këtij studimi, në kuadër të metodës historike, për herë të parë i sjell lexuesit të dhëna autentike të veprimtarisë së Brigadës së Parë Sulmuese (Partizane) të Bokës dhe të UNÇJ-së (Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë). Dekonstruktimin shkencor të veprimtarisë së kësaj brigade famëkeqe, e cila ka zhvilluar një terror të egër mbi popullsinë civile në Rrafshin e Dukagjinit, në Drenicë dhe gjithandej nëpër Kosovë, autori ka arritur ta bëjë përmes Ditarit të Luftës së kësaj brigade, i përbërë nga shënimet për lëvizjet dhe operacionet luftarake, nga urdhëresat, relacionet e raportet e ndryshme, të bëra në baza ditore nga njësi dhe komandantë rangjesh të ndryshme të kësaj brigade, duke filluar nga kryeshefi i shtabit, Vojin J. Janjeviçi e tjerë, që autori ka arritur t’i nxjerrë nga Arkivi Ushtarak Historik i Jugosllavisë.

Për historiografinë shqiptare ky studim është një kontribut i paçmuar. Këtë ditar në dorëshkrim, autori e ka përdorur në këtë libër monografi jo si tërësi, por vetëm ato pjesë që konsistojnë me zhvillimet në Kosovë, në mesin e së cilave gjendet edhe veprimtaria e Sahit Kastratit dhe e bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij. Në kuadër të metodologjisë historike, autori i këtij libri na sjell të dhëna edhe për angazhimin e Sahit Kastratit në brigadat partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, të cilat kishin depërtuar në Kosovë, për të ndihmuar në çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi dhe Jugosllavisë. Në kuadër të metodës së analizës krahasuese, sidomos në trajtimin e këtyre dokumenteve nga disa arkiva të ndryshëm: Arkivi i Kosovës, Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, Arkivi Ushtarak Historik i Jugosllavisë në Beograd, Arkivi Shtetëror i Maqedonisë Veriore në Shkup, Arkivi Shtetëror i Malit të Zi në Cetinjë dhe arkivat ndërkomunalë në Beranë dhe Bjello Pole, si dhe në degën e Arkivit Shtetëror të Malit të Zi në Podgoricë, autori Ibish Neziri me ftohtësi të thellë ka bërë analizën krahasuese mes këtyre dokumenteve për të njëjtën çështje. Në kuadër të kësaj metode, autori qëllimisht nuk e ndërton narracionin e kësaj monografie të ndarë në kapituj, por e shtrin në disa sytha, të cilët janë komplementarë për nga informacioni njëri me tjetrin, me qëllim që personazhin e tij, Sahit Kastratin, të mos e ndajë nga zhvillimet e përgjithshme. Analizën krahasuese në kuadër të këtij libri, studiuesit dhe lexuesit i gjejnë në sythat e procesit gjyqësor të Sahit Kastratit dhe bashkatdhetarëve e bashkëluftëtarëve të tij, respektivisht në aktakuzë.

Në trajtimin e këtij dokumentacioni, lexuesi do të shohë për herë të parë, pas 80 vjetësh, se si është ngritur një akuzë tërësisht e sajuar si kundrejt Sahit Kastratit, ashtu edhe kundrejt shumë shqiptarëve të tjerë, në bazë të së cilës janë dënuar me vdekje dhe janë ekzekutuar me proces të përshpejtuar shumë atdhetarë shqiptarë, gjë që autori Ibish Neziri na e argumenton mbi bazën e dokumenteve arkivore. Po ashtu, përmes kësaj metode krahasuese, autori Ibish Neziri nxjerr në pah pas 80 vjetësh edhe një masakër, “Masakrën e Velikës”, e cila në bazë të kësaj metode dhe numrit të të vrarëve, i cili dallon nga një autor te tjetri, madje me një ndryshim prej gati 50 për qindësh, duket të jetë e sajuar nga OZNA apo KOS-i, që padrejtësisht t’u mvishet shqiptarëve, gjegjësisht Divizionit SS “Skanderbeg”, por edhe Sahit Kastratit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Autori duke mos mundur në asnjë mënyrë dhe me asnjë dokument autentik ta vërtetojë, madje, siç e thotë edhe në fillim, duke shkuar edhe vetë në vendin e ngjarjes, ndodhjen e kësaj masakre e dekonstrukton, pa e përjashtuar mundësinë për ndonjë të vrarë nga ky fshat nga gjermanët për hakmarrje, por jo nga shqiptarët. Edhe ky fakt është kontribut i çmuar për historiografinë, me ç’rast dekonstruktohet dhe argumentohet se nuk janë shqiptarët kryerësit e krimit në Velikë. Për sa i përket metodës kualitative të këtij libri monografik, autori Ibish Neziri i rri besnik ndjekjes së saj. Për të shkruar një monografi, metoda kualitative është e domosdoshme, sidomos kur shkruhet për një personalitet, ku mungon informacioni bazë, mungojnë dokumentet arkivore, mungojnë dëshmitarët e kohës si pasojë e ciklit jetësor. Në ndjekje të kësaj metode për të ndriçuar sa më shumë personalitetin e Sahit Kastratit, autori i kësaj monografie shkencore ka përdorur kujtimet e dëshmitarëve të kohës. Bazuar në rrëfimet e këtyre dëshmitarëve, në libër përshkruhet origjina e familjes, fëmijëria e Sahit Kastratit, oda si institucion i edukimit, mësimet dhe përgatitja e tij intelektuale, mosha e ndërgjegjësimit të tij atdhetar etj. Për më tej, autori ka përdorur gazetat e mundshme të kohës, literaturë shqiptare, malaziase, serbe, boshnjake, madje edhe gjermane, por dhe shkrimet e portaleve të periudhës moderne. Gjithnjë në kuadër të kësaj metodologjie, ashtu si për çdo lexues dhe për çdo studiues, është me vlerë që për çdo argument dhe interpretim, ky libër shoqërohet me citate nga burime të shumta e faksimile, gjë që nuk lë hapësirë për asnjë keqinterpretim. Kështu që ky libër, syth pas sythi, ka arritur ta ndriçojë deri në një masë të madhe fgurën e atdhetarit dhe të lu»ëtarit të Lëvizjes 19Kombëtare Shqiptare, Sahit Kastratit, për të cilin deri më sot ka munguar pothuajse çdo e dhënë.

Ndaj kjo monografi nga Ibish Neziri është hartuar me shumë kujdes, me një strukturë logjike, ku ka bërë një realizim shumë të mirë të paraqitjes së zhvillimeve si në kohë, ashtu edhe në hapësirë dhe, në kuadër të këtyre zhvillimeve, ka dhënë edhe kontributin e kësaj figure atdhetare.

Sfidat e autorit

Me autorin e kësaj monografie, Ibish Nezirin, që nga fillimi kam pasur një konsulencë të dendur lidhur me ndriçimin e veprimtarisë atdhetare të Sahit Kastratit. Për asnjë studiues sfidë nuk është të shkruajë një studim, qoftë monografik apo të ndonjë zhanri tjetër, por sfidë është disponimi i lëndës. Lidhur me personazhin që ka trajtuar, sfida e parë e autorit ka qenë hulumtimi nëpër arkiva apo literaturë të ndryshme, duke qenë se kanë dalë emra të njëjtë… të devijuar për nga natyra e gjuhës dhe e shkrimit, si p.sh.: Sahit Kastratoviq, Sahit Hoxha, Sahit Oxha, Sait Oxha… nga një krahinë krejtësisht tjetër. Në mungesë të të dhënave bazë, duke filluar nga emri i saktë, hulumtimi nëpër arkiva, gjetja e dokumenteve të duhura, përzgjedhja dhe krahasimi i tyre, njësoj sikurse edhe gjetja e shfletimi i literaturës për të ofruar sa më shumë një të vërtetë të mundshme, është sflitëse për çdo studiues. Si konsulent gjatë punës në këtë libër dhe jo pa qëllim, më është dhënë mundësia nga autori të konsultoja çdo dokument që ai ka gjetur lidhur me këtë libër. Herë-herë, dokumentet e gjetura nëpër arkiva nuk ofronin asnjë të dhënë, madje krijonin edhe mëdyshje e çoroditje, mirëpo autorin prej më shumë se 8 vjetësh e ka karakterizuar një punë këmbëngulëse për ta ndriçuar sa më mirë figurën e një luftëtari dhe atdhetari të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të lënë në heshtje, siç ishte Sahit Kastrati.

Si përfundim, duke e analizuar dhe vlerësuar punën sflitëse që ka bërë studiuesi Ibish Neziri, dhe duke pasur parasysh mungesën e të dhënave të drejtpërdrejta për Sahit Kastratin, mund të them se ka arritur ta përmbushë detyrën e marrë përsipër dhe ta ndriçojë jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit Sahit Kastrati 80 vjet pas pushkatimit të tij në një cep të pushtuar të atdheut dhe ta kthejë atë mes nesh përmes këtij libri.

Gjuha e veprës

Gjuha e përdorur në hartimin e kësaj monografie është e thjeshtë, që nënkupton përdorimin e një stili të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të lehtë për t’u kuptuar. Ky libër është hartuar mbi bazën e gjuhës standarde shqipe, por për të ruajtur vërtetësinë e dokumenteve dhe autenticitetin e tyre, autori i sjell ato dhe citimet e të afërmve të personazhit kryesor në gjuhën në të cilën ato janë shkruar dhe të folmen e përdorur. Por interpretimi dhe analizimi i tyre është dhënë në një standard të pastër gjuhësor, me një stil të qartë dhe leksik të duhur e të përzgjedhur për natyrën e këtij libri si monografi. Autori ka përdorur një gjuhë dhe stil të tillë, duke shmangur leksikun e ngarkuar, fjalitë e përbëra me pjesë të ndërkallura dhe zhargonin specifik për studime të tilla, për ta bërë sa më të lehtë dhe të kuptueshëm leximin e kësaj monografie për çdo lexues. Duke ndjekur këtë rrjedhë shkrimi dhe këtë stil gjuhësor, ky libër është i qartë, i kuptueshëm dhe efikas për çdo lexues dhe audiencë të gjerë.