Hazir MEHMETI: NJË LIBËR HISTORIK PËR GJIMNAZIN “EQREM ÇABEJ” NË VUSHTRRI

                     

(Galip Avdiu “Gjimnazi i Vushtrrisë (1963 -2020)”, Monografi)

                                                            E ardhmja është në duart e mësuesit

                                                                                                        Hygo

                                     Histori robërie…

Robëria e gjatë shekullore shkatërroi, traditën, religjionin, shkollimin, kulturën e gjithë jetën shqiptare. Trevat shqiptare jetuan për të mbijetuar nga shfarosja e cila preku deri në palcë kombin shqiptar. Shpresa për liri lindi me ringjalljen e shkollës në gjuhën shqipe e përkrahur nga Austro-Hungaria që herët, por e ngulfatur nga pushtuesit turq, grekë, serbosllav, malazez deri pas Luftës së Dytë Botërore kur u lejua mësimi në gjuhën shqipe. Kjo periudhë, edhe pse në robëri, do jetë e shkrua me shkronja të arta në historinë e mësimit shqip. Krejt kjo falë veprimtarisë së patriotëve shqiptarë të asaj kohe shumë nga të cilët e pësuan me burgime të gjata dhe izolim deri në Goli Otok-un famëkeq.

Pjesë e kësaj historie sa e dhembshme po aq krenare, është edhe komuna e Vushtrrisë e njohur si vendlindja e të madhit Hasan Prishtina.  Mësimi në gjuhën shqipe krahas gjuhës serbo-kroate zuri fill në shkollat fillore të qytetit dhe rrethinën e komunës së Vushtrrisë me territorin e saj që nga Shala në verilindje deri në Drenicë në perëndim.  Të fillosh mësim ku popullata ishte 98% analfabete në një varfëri ekstreme kishte sfida të shumta, krahas propagandës serbo­çetnike e prirë nga kisha ortodokse serbe e cila e drejtoi shekujve gjenocidin mbi shqiptarë dhe nuk u pajtua asnjëherë se shqiptarët kanë gjuhën e tyre, kulturën e tyre, janë autokton në truallin e tyre që nga Dardania Ilire.

Pas disa vitesh të shkollimit fillor, hapet shkolla e mesme e para në Vushtrri, ku orët e mësimit do mbahen në gjuhën shqipe nga kuadri i shkolluar dhe qendra tjera, shumica e të cilëve në gjuhën serbokroate, ndonjë prej tyre në katedrën për albanologji. Rrethana politike armiqësore në Gadishull e dëmtuan shumë progresin e shqiptarëve për të cilin shkolla shqiptare është kushti i parë. Aksioni i armëve i drejtuar nga Aleksander Rankoviqi ishte epoka më e errët e robërisë e shqiptarëve në Jugosllavi. Mbi 300 mijë shqiptarë shpërngulur për Turqi, mijëra të mbytur e të gjymtuar nga torturat burgjeve jugosllave, ku mësuesit dhe intelektualët tjerë përbenin pjesën më të madhe të tyre.

           Gjimnazi “Eqrem Çabej”…

Shkolla në gjuhën shqipe ishte arma me të cilën u fitua liria e mohuar shekujve. Kështu ishte edhe në Vushtrri ku në vitin 1963 do hapen paralelet e para të gjimnazi dhe të Shkollës Normale (mësuesisë), me mësim edhe në gjuhën shqipe.

Këtë histori të lavdishme e nxori në dritë Profesor Galip Avdiu, i cili ishte nxënës i gjimnazit dhe tani mësimdhënës në gjimnazin “Eqrem Çabej” në librin e tij monografik “Gjimnazi i Vushtrrrisë 1963 – 2020”.  Kush mund të shkruan më bindshëm dhe argumentues e më mirë se sa ai i cili si nxënës përjetoi shtypjen e pushtuesit, sulmet policore e të njësive speciale ushtarake kundër nxënëseve e mësimdhënësve të tij, se sa autori i librit?

Në takimin me Galipin, rikujtuam shumë ngjarje kur ai ishte nxënë dhe tani kur ai profesor gjimnazi. Me ne ishte edhe redaktori i librit Prof. Bedri Tahiri, autori i 52 veprave letrare e historike, i cili, mes tjerash shkruan: “Libri monografik “Gjimnazi i Vushtrrisë (1963-2020)”, i autorit Galip Avdiu, paraqet një mozaik të shkëlqyer ngjarjesh brenda një periudhe prej afër gjashtë dekadash, të shtjelluara me një kujdes e zell të shtuar, pa kaluar kurrë në monotoni, nga se autori është treguar shumë lakonik, praktik, konkret, konciz dhe i papërsëritshëm. Diskursi shkrimor i këtij libri, të krijon mundësi që përveç si monografi, ai lexohet edhe si studim historik, edhe si publicistikë, edhe si narracion, edhe si kronikë, sepse të gjitha këto elemente gërshetohen dhe shkrihen mjaft mirë në tipin e një simbioze të bukur stilistikore e shumëdimensionale.”

Shkrimi mbi jetën e shkollës është nder dhe përgjegjësi e madhe për autorin. Është nder dhe vlerësim për të gjithë ata që sakrifikuan për themelimin e shkollës shqipe,për mbijetesën e saj nga sulmet armike serbe.  Autori  i ri Galip Avdiu me sukses ia ka arritur të realizon një mision të shenjtë në shërbim të kujtesës kombëtare gjeneratave.

Pak biografi…

 Galip Avdiu u lind në Kollë të Vushtrrisë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, kurse Universitetin në Prishtinë në drejtimin për histori. Ka mbaruar kurse nga lëmi i historisë: Workshopo on Oral History: Mthodology and Pracktice; Western Historiography in the 20 Centry.. etj.  Aktualish është mësimdhënës i historisë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri.  Është aktiv në jetën shoqërore e politike në vend.

Vushtrri,18 shtator 2022.