Hazir MEHMETI: Dy poezi

TEH NATE

nata foli në gjuhë tjetër
mbrehur thika në ashtin e vjetër

tehu i parë në trup të nënës
copëtuar në njëmijë trupa dheu

i thanë: dheu s’duron lindje
farë e vjetër, e vjetër sa dielli ynë

raca jonë s’duron diell, as dritë
kurse nëna vari foshnjën në gji

shkuarje e ardhje netësh trup grirë
lindi e heshti, priti e priti sa fjala plasi

tehu i dytë ra mbi dorën time
ra mbi krahun tim varrë

mos të ngjallet trupi, të vuajë, e mallkuan
të vdes i kënaqur në shpellë morrash

natë e lakuriqëve veshgjatë, mijë stepe
të uritur shkunden e pështynë lisa

tehu i tretë ra në syrin tim

ti s’duhet të shohësh malet, largësitë
as abetaren, as arat tuaja të mbjella me grurë
është mëkat drita e diellit

tehu i mbrehur i radhës
preu hapin tim të gjakosur telave
aty thembra e mbetur relikt, foshnjë e vrarë

je i mallkuar, foli nata e lakuriqëve
i mallkuar, e kuptove, shpëtimin ta sollëm ne
në shpatë sulltani njomur në shurrë deveje

varr mbi Egje e Mesdhe
toka të mbjella skelet Dardanie

tehu i radhës helmues
ra mbi gjuhën time, e bëri shkrumb e hi

Aty e pash me sy vdekjen time
e pash me sy lindjen time
u ngrita sërish në djepin tim

Vjenë, Dhjetor 2024

ZABELI I DELISË

Delli e zuri plakun nën hijen e bungut
pëllumbat fluturim zbriten nga ëndrra
Delia hapi sytë e i tha veti:
edhe një herë, sytë e lodhur mes rrudhave
zemra rrahu miliona herë, njëqind vite
aroma e barit të njomë në freski
ulur si dikur në mriz me delet e tij
eshkën nxori nga xhamadani
arnat folën me radhë:
i pari nga thesi i elbit në mulli
i dyti nga këmisha e gjyshes së tij
i treti erë xhubletë Sokolit
i fundit nga xhepi i shqyer i të atit
arna, arna, bota ishte ndërtuar
nuk dihej numri, aq sa yjtë e qiellit,
aq sa në magje thërrmijat e miellit
aq sa dëshirat e vdekura pa emër
aq sa kokrra arra kishin pikur degëve
– Deli, he Deli djali!
i tha veti ta vriste vetminë
vuri ngadalë eshkën mbi gurxinë
gurxixë e Arës Natanë
rrezet shkëlqyen ylber në gurë
fytyrë e lashtë u duk ngjyrë flamur
bashkë me mallin e dashurisë
mallin e burimit të Kroni i Mollës, e dashurisë
nën Ahun e Ariut fshehur në akull
gurgullimën e ftohtë mbushte kënatë e argatshtisë
sërish dëgjoi gurgullimë grykës së kënatës
dhe thirri:
-Gjergj më ndihmo të lutem
Ta godas gurin, ta ndezi eshkën e tharë!
merre unurin i tha Zëri guximtar
bjeri gurxixës dhe shijoje aromën e saj
tymi i eshkës të jep forcë e shpirt
tymi kaladredha u fsheh në mjekrën e bardhë
E Deli Kurti buzëqeshi rëndë
buzëqeshi për herën e fundit
Aty tek mrizi i madh i Bungut
Bungu i Tabutit me dërrasa të thyera
të kalbura nga kujtimet e rënda
të hidhëta, të hidhëta sa vet vdekja
kujtime arkivoli, kujtime mortore
A ka më zi!
Kur në te i shtrirë djali i ri!
asnjëherë në dasma duvak nuse, e nusëri
aty vdesin kujtimet e kohës
Kujtimet e jetës, arkivol e quajnë tha dikush
Deliu nuk e mori vesh, e dinte, e priste
Unë nuk dëgjoj mirë, i tha zërit
harxhova çdo gjë, ia fala të gjitha jetës
fshatit tim, arave dhe maleve
drita e syve u shter, pritje për fëmijë
pa trashëgimtarë njeriu vërtetë vdes
Bardha iku herët mëngjesin me vesë
Thanë se do ta takoj sërish, ndoshta në botën tjetër,
thanë se u bë Zanë që kërkon djalin
thanë se shkoi ta ushqen Malin
Im bir pa struka, pa hap e shikim
Edhe pak, edhe dy hapa, dy hapje sysh
Ku ta dish!
Eh, Zabeli i babëlokut, faleminderit im at
e ruajta, deshën të ma gllabërojnë
tri paqeta fishek më kushtoi
e din shpatulla ime, dëshmi
Ore, a ka mbetur këtu njeri!
Jo, do shtrihem sërish nën hijen e Bungut
do mbledh dasmorët e fundit
do takohem me Bardhen, kush e di
asnjëherë nuk mbusha mendje për perëndi
ec, ore turrec , këngë vjetër, merr pendla të mbetura
nuk kam dritë syri, humbi
tani shoh, kam dritë fuqishëm truri,
Turrec më,
kah do që shkon prapa lenë gerr, gerr
eh, Deli Zabeli, Zabel Delia
të humbi gjuhë dhe nami i vjetër
erdhi kohë e vështirë, kohë tjetër.
Mali më pret në rrugën time
athua ka takuar nënën e tij, është rritur ai
gjepura të vjetra budallai, i tha veti Delia
Zabeli i Delisë do ta falë, fshati ta gëzon
fëmijët do lozin, era do fryn ndryshe
ku ta dish, vjen ëndrra e pritur
varret do ngjallen, shqiponjat flasin shqip
aty mësonjëtorja në Dreni, ani pse në robëri
mullai me shalle të huaj, fjalë bajate
askush se kuptonte, askush nuk e donte
Mësuesi porosi, me gjuhën e huaj
por, mbillej fara e re e pritur shekujve
A-B-C – do vjen e vuajtur sa motet tona
ngarkuar në qerren e vjetër në thasë të dhintë
mësuesi me flamur thërret – Zabeli i Delisë
flamur varur në gjoks e shpirt i ardhmërisë
Eu, Zabeli i Delisë, Delia i Zabelit!
fli i qetë nën trungun e bungut
jeto takimet me Bardhën e Malin
aty gjithmonë ke falënderim e lavdi.
Deli, o Deli, Djali i Ri!
dielli tjetër lind sot, përjetësi e pritur
katundi festë e gëzime jeton
ti i heshtur kudo në dheun, tokën tënde
lavdia përjetësisht stinëve të rrethon.

Tetor 2024