HAPET SHKOLLA SHQIPE NË SION (SITTEN) TË KANTONIT TË VALISIT

Të hënën, me datën 27 shtator 2021 Shkolla Shqipe hapi dyert për fëmijët shqiptarë edhe në Sion (Sitten) të Kantonit të Vallisit

Mësuese Jonida Bërdëllima së bashku me nxënësit  e Shkollës Shqipe në Sion të Kantonit të Wallisit, prindërit, dhe koordinatorin e “Shkollës shqipe në Zvicër”, Vaxhid Sejdiun.

Tani më Shkolla shqipe në Zvicër është një realitet që na gëzon të gjithëve. Pas një pune dy vjeçare ajo vazhdon me sukses rrugëtimin e saj kudo ku ka shqiptarë, duke iu bërë thirrje vëllazërore prindërve shqiptarë që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në klasat e sapo hapura, jo vetëm në Kantonin e Cyrihut, Bernës, St. Gallenit, Baselit, Zug-it, Waadt, Thurgau-t, Grabünden-it, Luzern-it, Solothurn-it, Schaffhausen-it, Apenzell-it, por gjithandej Zvicrës, me qëllim që dita e re të sjell sa më shumë fëmijë në orët mësimore të gjuhës shqipe.

Gjatë këtyre dy  viteve dhe pse nën presionin e kushteve të pandemisë kjo shkollë arriti rezultate të dukshme falë punës së  Këshillit pedagogjik nën drejtim e mësuesit Dr. Vaxhid Sejdiut.

Dhjetëra e dhjetëra shkolla të hapura në mbarë Zvicrën dhe mbi 50 shkolla të reja të cilët janë në hapje e sipër dëshmojnë një përkushtim të veçantë të kësaj shkolle jo vetëm në organizimin e saj por edhe në qasjen e këtij problemi shumë të rëndësishëm për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, kudo ku jetojnë ata.

Mësuese Jonida Bërdëllima, para nxënësve, të cilët shfletojnë librat me një buzëqeshje të veçantë.  

Pas disa javëve punë dhe angazhim rreth hapjes së pikës shkollore në Sion të Kantonit të Wallisit, edhe zyrtarisht filloi mësimi. Një meritë  e veçantë i takon edhe veprimtarit të çështjes kombëtare z. Ukë Shala, i cili ishte ndër më të lumturit që nipat dhe mbesat e tij, tani edhe në Sionin  e largët do të mësojnë në gjuhën amtare.

Dhe me të drejtë u konstatua në këtë mbrëmje se “Gjuha ruhet aty ku shkruhet” dhe në të ardhmen është më se nevojshme hapja e jo vetëm një pike shkollore por e disa pikave shkollore në gjuhën shqipe sepse numri i fëmijëve shqiptarë është i madh dhe nevoja për ta mësuar gjuhën amtare është më se e domosdoshme.

“Shkolla Shqipe në Zvicër” pothuajse çdo javë po na sjell nga një shkollë të re. Prandaj kemi shumë arsye për t`iu gëzuar punës dhe angazhimit të mësuesit Vaxhid, i cili së bashku me kolegët/et e tij, si dhe bashkëveprimtarët e shkollës shqipe – prindërit po na gëzojnë në vazhdimësi.

Vlen të përmendet edhe mbështetja  institucionale e Ambasadës së R. së Shqipërisë dhe të R. së Kosovës, fakt, të cilin e gëzon kjo shkollë dhe mësuesit e saj në punën e tyre të përditshme.

Shkolla shqipe – Zvicër
Sektori për informim