Shkruar nga Dr. Xhevat Hasani
Me 1 dhjetor 2025
Në mbrëmjen e 28 Nëntorit të këtij viti 2025 po shikoja një debat televiziv në Televizionin 10 të Kosovës. Debati po mbahej në frymën e Festes së Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe në frymën pavarësimit të Shqipërisë me 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
- Debati mbante titullin simbolik « A do të ketë një Nëntor të Tretë», në kuptimin se a do të ketë një Nëntor të Tretë kur Shqipëria dhe Kosova do të bashkoheshin duke u bërë një shtet.
- Në atë debat si gjithmonë në debate të tilla ishte edhe panelisti kujdestar Halil Matoshi. Ai me ta marr fjalën tha se «nuk ka asnjë shtet në botë që ka dy flamuj», duke treguar kësisoj se ai e donte Kosovën vetëm me flamurin shtetëror të Kosovës, dhe jo edhe me flamurin kombëtar shqiptar!
- Thënia e Matoshit se «nuk ka asnjë shtet në botë që ka dy flamuj», për mendimin tim tregonte se ai (Matoshi) po të kishte fuqi, shqiptarëve të Kosovës do t`ua ndalonte përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.
Por, shyqyr që Zoti njerëzve të këqij nuk iu ka dhënë edhe fuqi aq sa janë të këqij!
- Matoshi edhe në ditën e Festes së Flamurit Kombëtar Shqiptar (në ditën e 28 Nëntorit të këtij viti 2025) doli kundër përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar! Kjo mbase pse ai sipas të gjitha gjasave ka kohë që nuk i takon kombit shqiptar, por i takon një kombi tjetër të cilin e quan «komb kosovar», realisht dhe objektivisht joekzistues.
- Shumica e shteteve në botë kanë një flamur i cili e paraqet edhe flamurin shtetëror edhe flamurin kombëtar të kombit shumicë. Por, çdo rregull i ka edhe përjashtimet e veta. Kosova paraqet përjashtim: Historia ka dashtë që ajo të ketë dy flamuj: Atë shtetëror dhe atë Kombëtar Shqiptar. Kjo sepse derisa shteti quhet Kosovë, populli shumicë i Kosovës i ka përkitur dhe i përket kombit shqiptar.
- Për t`i sqaruar lexuesit se flamuri verdhë e kaltër i Kosovës, paraqet flamurin shtetëror të Kosovës dhe nuk e paraqet flamurin kombëtar të “kombit kosovar” edhe ashtu joekzistues, më poshtë po citoj dy nene të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës:
Në nenin 2.1 të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës thuhet: Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës janë: flamuri, stema dhe himni[1])
Në nenin 2.2 të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës thuhet: Me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti shtetëror i saj[2].
- Te dy këto nene të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës, tregojnë qartë se me flamurin, stemën dhe himnin e Kosovës, përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti shtetëror i saj, dhe nuk përfaqësohet identiteti i “kombit kosovar” edhe ashtu joekzistues, siç përpiqet të na bind Matoshi, Spahiu e ndonjë tjetër si këta.
- Për t`i sqaruar lexuesit se përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar është i lejuar me ligj, më poshtë po citoj dy nene të ligjit për përdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë.
Në nenin 6.1 të ligjit për përdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë thuhet: Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të përdorë flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me legjislacionin tjetër në fuqi[3].
Në nenin 6.2 të ligjit për përdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë thuhet: Qytetarët e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtën, në mënyrë individuale apo si komunitet, të përdorin flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me standardet ndërkombëtare[4].
- Te dy këto dy nene të ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare në Kosovë, tregojnë qartë se në Kosovë qytetarët e gjitha komuniteteve (përfshi këtu edhe qytetarët e komunitetit shumicë shqiptar), e kanë të drejtën e përdorimit të flamujve të tyre kombëtarë qoftë si individ, qoftë si komunitet, gjë që tregon se kushdo që bën thirrje për mospërdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë, vjen në kundërshtim flagrant me nenin 6.1 dhe 6.2 të ligjit për përdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë.
- Kështu derisa ligji për përdorimin e flamujve kombëtarë në Kosovë, i dal nga Kushtetuta e Kosovës, shqiptarëve dhe të tjerëve ua lejon përdorimin e flamujve kombëtarë, Matoshi, Spahiu e ndonjë tjetër si këta, nuk e duan përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë.
- Matoshi, Spahiu e ndonjë tjetër si këta nuk e duan përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë, sepse përdorimi i tij tregon se në Kosovë nuk ka „komb kosovar“ (siç do të donin ata), por ka komb shqiptar, siç ka pasur e ka.
- Sikur regjimi serbo-jugosllav të ishte kaq shumë kundër përdorimit te flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë sa janë Matoshi e Spahiu, ai regjim antishqiptar nuk do t`ua lejonte shqiptarëve të Kosovës përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar as në dhjetorin e vitit 1968.
- Por regjimi serbo-jugosllav duke qenë diçka më pak kundër përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar se sa që janë Matoshi e Spahiu, ai në dhjetorin e vitit 1968 pas demonstratave studentore në Prishtinë dhe në qytete tjera të Kosovës, u detyrua që shqiptarëve të Kosovës t`ua lejoj përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.
- Dhe derisa edhe regjimi serbo-jugosllav është detyruar që shqiptarëve në dhjetorin e vitit 1968 t`ua lejoj përdorimin e flamurit të tyre kombëtar, tani qohen nja dy publicistë e gazetarë deri dje shqiptarë, dhe kërkojnë që flamuri kombëtar shqiptar të mos përdoret nga shqiptarët e Kosovës me përkatësi kombëtare shqiptare!
- Deri në ketë pikë puna ka mbërri vaj medet për ketë shqiptari…!
[1] Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore
https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2517
[2] Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore
https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail aspx?ActID=2517
[3] Ligji për përdorimin e flamujve kombëtar
https://gzk.rks-gov.net/ActDocument Detail.aspx?ActID=2517
[4] Ligji për përdorimin e flamujve kombëtar
https://gzk.rks-gov.net/ActDocument Detail.aspx?ActID=2517




















