Gjurmë të një të vërtete të hidhur

Duhet të jenë të shumtë ata që iu kujtohet. Kur na hynin në klasë nja dy-tri infermiere dhe thonin: „Hajde tani do të bëjmë një vaksinë!“. Në maqedonisht. Sikur s’kishte ndonjë shqiptare që dinte të bënte vaksinë! Sikur këto po ngisnin Apollo 16-ën. Pa pritur e pa kujtuar! A na thonin, a s’na thonin për çfarë do ta bënim atë. Nuk e mbaj mend t’na kishin paralajmëruar ndonjëherë një, a dy javë përpara për vaksinën. Aq më pak të merrnin pëlqimin e prindërve.

Dhe mësuesit ndalonin. Dhe na hynin ethet në bark. Dhe matematika na dukej lule. Varësisht në cilën klasë, ndonjëri ia plaste të qarit. Alamet mësueset tona bëheshin shërbëtore të infermiereve. Ato ua çonin nxënësit e tyre infermiereve një nga një. Si cjapin te kasapi. Apo nuk e kishin një dorë të rëndë infermieret. As u qeshte buza kurrë. Apo kështu na dukej neve? Dhe ndiheshim të ngushëlluar kur mësueset tona na i zbulonin e mbulonin krahët e hollë nga veshjet një mbi një.

Por, më e frikshmja ishte kur ndonjëri prej nxënësve jepte alarmin duke pëshpëritur: „Çuna, vaksinën na e bëjnë që të mos lindim fëmijë!“ Ne fëmijëve! Ky avaz vazhdoi deri në gjimnaz. Dhe gjithmonë kur na vinin infermieret, na shkonte ndërmend kjo. Po nga vinte kjo? Ua kishin thënë të mëdhenjtë. Po këta nga e dinin? Kush ua kishte pohuar atyre? Kush do ta tradhtonte një sekret të tillë, edhe të ishte e vërtetë? Po kujt do t’i shkonte ndërmend të shpikte diçka të tillë, sikur të mos kishte diçka dikund?

Shqiptarët priren të besojnë se diçka e tillë ka ndodhur vërtet. Por, një mikut tim gazetar zviceran nuk i hynte në kokë që, për shembull, ishin helmuar nxënësit në shkolla. Ata në Tetovë ishin kolegët e mi të shkollave të mesme. Sigurisht unë nuk mora kampionet e gjakut… Po bashkëmoshatarët e mi që bënin si pula pa kokë, diçka kishin. Diçka të rëndë. Plumb! Helmimet e nxënësve në Kosovë kanë marrë dhenë. Kampionet e gjakut që i kishte siguruar një perëndimor atje, i ishin vjedhur në hotelin ku kishte bujtur në Slloveni!

Regjimi në Kosovë fliste për „histeri“ dhe „induksion kolektiv“. Në Tetovë – për „aktrim“! Edhe sikur t’ishin zbardhur ato kampione gjaku, dhe të kishin dalë provat – e kuqja mbi të bardhën – të mos e gënjejë mendja dikënd se xhelatët do ta pranonin krimin. Janë kapur xhahilë me zë e figurë, dhe jo vetëm nuk pranojnë faj, por kërtilen akoma! Vetëmse është kënaqësi gjaksorëve t’ua plasësh njëherë të vërtetën në surrat. Për viktimën s’ka melhem më të mirë. Për mizorin s’ka helm më të keq!

Helmimin e mallkuar ma kujtoi vaksina. Kurse vaksinën ma kujtoi një libër. „Europeana“ quhet ai. E ka shkruar një autor nga Çekosllovakia, Patrik Ouředník (1957). Babai i tij ishte një farmacist sllovak, ndërsa nëna profesoreshë franceze me origjinë italiane. Përpara se të mërgonte në Francë (1985), ku punon si ligjërues universitar, kolumnist dhe përkthyes, Ouředník ka qenë magazinier, postier, hidraulik dhe gjëra të tilla! Pasmesnatën e 2 dhjetorit të këtij viti filmi i realizuar mbi këtë libër u dha nga kanali franko-gjerman „arte“.

„Një histori e shkurtër e Evropës në shekullin e njëzetë“ është nëntitulli i tij. Një libër jokonvencional. Diçka si historitë e Noel Malcolmit për Bosnjën dhe Kosovën. Diçka si „Shekulli im“ i Günter Grassit. Ngjarje që nuk i lidh kronologjia, a rëndësia. Zbulimi i çamçakëzit afirmohet njëlloj si zbulimi i bombës atomike… Libri fillon me Luftën e Dytë Botërore dhe vazhdon me Luftën e Parë Botërore! Dhe në gjysmën e dytë i kthehet fillimit të Luftës së Parë Botërore!

Nga fillimi i Luftës së Parë ai kalon te ndërhyrja e NATO-s në Kosovë! „Popullata shqiptare“ quhet një nëntitull, që vjen pas atij „Fundi i botës së vjetër“, që e ndjek atë „Konspiracionistët“. Ai rrëfen: Lufta e Parë shpërthen në Sarajevë pas atentatit të organizatës ilegale „Dora e zezë“ mbi princin austriak… Dhe Austria i shpalli luftë Serbisë, dhe Gjermania i shpalli luftë Rusisë… Dhe policia austriake arrestoi pesë konspiracionistë… Dhe tre prej tyre vdiqën gjatë luftës, dhe dy prej tyre u shpallën heronj pas luftës… Dhe njëri u bë profesor i filozofisë në Universitetin e Beogradit.

Pastaj: Dhe ky më 1937 i propozon qeverisë jugosllave shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës, sepse ata nuk ujdisin në asnjë federatë jugosllave, dhe kur vdiq më 1990 serbët i mbyllën shkollat shqipe në Kosovë, dhe i ndaluan gazetat, dhe i shkrinë partitë, dhe formuan milici që t’u tregonin shqiptarëve se s’kishin vend në Jugosllavi. Dhe mënyra më e mirë për këtë ishte terrori, djegja e shtëpive, plaçkitja e dyqaneve e kështu me radhë. Dhe qeveritë perëndimore vendosën se këtu bëhej fjalë për gjenocid dhe nisën sulmet ajrore mbi Serbi…

Por kjo nuk është e tëra. Sikur e ka zakon autori, që ta vendosë Lindjen te Perëndimi dhe fundin te fillimi, në gjysmën e parë të librit ka një shënim që t’i ngre flokët përpjetë: „Në vendet komuniste, për sterilizimin e individëve inferiorë mjaftonte një rekomandim i mjekut, dhe në Jugosllavi, Rumani dhe në Çekosllovaki shqiptaret dhe gratë rome sterilizoheshin fshehtas, dukeqenëse qeveritë në këto vende ishin të mendimit se shqiptarët dhe romët në kampin socialist po shtoheshin në mënyrë të shpërpjestuar.“

Kjo shkon aq shumë me atë të mësipërmen, dhe ajo me atë të mësipërmen tjetër… Shkon. Mjerisht autori nuk jep ndonjë burim se nga e ka këtë të dhënën e fundit. Ajo e akademikut serb, të cilin e diktojnë të gjithë, është e njohur. Nuk ka burime as për fakte të tjera që sillen në 140 faqet e këtij libri. Në njëfarë mënyre, krejt çka thuhet, merret e mirëqenë. Tani një burim për këtë përbën vetë libri që po i referohem: Patrik Ouředník: Europeana. Eine kurze Geschichte Europas im zwanzigsten Jahrhundert. Czernin Verlag, Wien 2003.