Gjuha Shqipe – palca e kombit!

Nuk guxojmë ta lëmë punën tonë të shenjtë në gjysmë kur shohim me sytë tanë çdo ditë me qindra dhe mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët kanë lindur dhe po rritën larg atdheut, larg farë e fisit, larg trojeve shqiptare, Kosovës, Shqipërisë…, të cilët kanë kaq shumë nevojë për gjuhën e nënës.

Nxënës të dashur, prindër dhe ju kolegë të nderuar kudo ku ndodheni, kudo ku keni filluar me punën tuaj fisnike në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, në emër të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)  ju përshëndesim dhe ju dëshirojmë shëndet, forcë dhe guxim, që edhe këtë vit shkollor të punojmë më shumë, të veprojmë më shumë se sa kemi bërë vitin e kaluar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta arsyetojmë sakrificën tonë të deri tanishme. Nuk guxojmë ta lëmë punën tonë të shenjtë në gjysmë kur shohim me sytë tanë çdo ditë me qindra dhe mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët kanë lindur dhe po rritën larg atdheut, larg farë e fisit, larg trojeve shqiptare, Kosovës, Shqipërisë…, të cilët kanë kaq shumë nevojë për gjuhën e nënës.

Detyra jonë është që të bëjmë ç` mos që të përhapin dritën e diturisë në gjuhën e nënës për fëmijët shqiptarë dhe për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta mësojnë gjuhën shqipe sepse vetëm kështu i shërbejmë atdheut. Pothuajse në të gjitha shtetet e botës perëndimore dominon toleranca dhe mirëkuptimi ndaj gjuhëve të para, gjë që na jep edhe neve këtë mundësi të punojmë dhe të veprojmë sepse nesër mund të bëhet shumë vonë.

Mësuesit, intelektualët, veprimtarët e çështjes kombëtare shihen në ditët më të vështira. Atëherë kur njerëzit kanë nevojë për ta. Fjalët nuk na ndihmojnë edhe aq. Puna dhe vepra në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe dhe ruajtjes së kulturës kombëtare dëshmon përkushtimin dhe atdhetarizmin tonë.

Ne jemi shumë mirënjohës institucioneve vendore të disa shteteve në botë, të cilat jo vetëm për gjuhën shqipe, por për të gjitha gjuhët e para japin mundësi dhe hapësirë, që ato të mësohen në mënyrë të rregulltë. Prandaj nëpërmjet këtij falënderimi t`i përvjelim mëngët dhe të punojmë sepse nesër nuk mund ta arsyetojmë profesionin, punën dhe kohën që e kemi pasur apo e kemi në dispozicion. Ne, nuk guxojmë të presin vetëm nga të tjerët, por duhet të bëjmë më shumë në shërbim të gjeneratës së re, e cila ka shumë nevojë për gjuhën amtare. Në këtë mënyrë shpëtojmë me mijëra fëmijë nga asimilimi i përditshëm dhe me angazhimin tonë iu japim bashkërisht mundësinë të ruajnë kulturën kombëtare. Dhe po në këtë rrugëtim motivojmë të gjithë fëmijët shqiptarë që sa më mirë ta mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe shkollohen sepse njeriu sa më shumë gjuhë që njeh aq më shumë vlen.

Shpresojmë që edhe në këtë vit shkollor 2022/23 në rrugëtimin tonë të përbashkët të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) do të na bashkëngjiten edhe më shumë mësuesë, veprimtarë dhe prindër shqiptarë, me qëllim që të dalim faqebardhë.

Dhe … vetëm ata që i shërbejnë gjuhës, dhe kulturës kombëtare mund ta kuptojnë rëndësinë  e arsimit shqip! – Prandaj të punojmë bashkërisht sepse kështu e nderojmë veten, vendin ku jetojmë dhe veprojmë dhe mbi të gjitha Atdheun, i cili sytë i ka të kthyer vazhdimisht nga ne. Suksese!

Zyrih,19 gusht 2022,
Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)
Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar