Gjuha shqipe- palca e kombit

SONY DSC

 

 U përmend në Kuvendin e LAPSH-it “Naim Frashëri” në Zvicër, më 28 Mars 2010, ku problemet me të cilat ballafaqohet mësimi plotësues mbetën nën hijen e asaj se kush do të zgjidhet koordinator i këtij subjekti, përderisa nuk gjendet një zgjidhje adekuate institucionale.- Portali prointegra.ch, në vazhdim do të botojë shkrime nga arkivi im, për të pa ecejaket e shqiptarëve në Zvicër në fusha të ndryshme. Sot Kuvendi i Lapsh-it mbajtur në Solotorn, pikërisht dhjetë vjet më parë, shkrim autentik. Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Fakt i pamohueshëm është se shqiptarët në Zvicër paraqesin njërin ndër komunitetet më të mëdha, por edhe komunitetin me përfshirje më të vogël të fëmijëve në mësimin plotësues amtar. Sepse, aktualisht ka vetëm diçka mbi 3 mijë nxënës, apo rreth 12 për qind të të gjithë nxënësve potencial për këtë lloj shkollimi. Por,  mesa u pa në Soloturn më 28 mars 2010, në Kuvendin zgjedhor të LAPSH-it “Naim Frashëri”, ky nuk ishte shqetësim kryesor as i vet atyre që veprojnë brenda këtij subjekti.

Edhe vetë fjala e Koordinatorit të përgjithshëm, Mahir Mustafës, ishte më tepër një regjistrim i aktiviteteve të zhvilluara brenda periudhës katërvjeçare të dy kuvendeve, ku pos tjerash shihej se ky asociacion një mbështetje të veçantë i ka kushtuar edhe punës me studentët shqiptar, deri në kurorëzimin e kësaj shoqate me një union të përbashkët studentor në nivel të Zvicrës. Peshën e këtij tubimi e shtoi prania e tre ambasadoreve tanë në Bernë: nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të cilat iu drejtuan me fjalë përshëndetëse të pranishmëve :

 Mehmet Elezi , Ambasador i Shqipërisë në Bernë,  i cili duke përshëndetur  tha se Qeveria shqiptare vlerëson jashtëzakonisht shumë punën e mësuesve tanë në mërgatë, me përpjekje të vazhdueshme që të mbajnë për gjallë gjuhën, traditën dhe identitetit tonë kombëtar, ndonëse veprojnë në kushte shumë të kufizuara materiale e me një buxhet më se të mangët. Sepse pa ruajtjen e gjuhës shqipe në Zvicër, siç nënvizoi ambasadori Elezi,  nuk mund të ketë shqiptarë, ndërsa që vet gjuha shqipe paraqet palcën e kombit shqiptar.

 Naim Malaj, Ambasador i Kosovës në Bernë: Jemi të vetëdijshëm se çështjet e arsimit e të kulturës duhet të kenë mbështetjen më të madhe të shtetit të Kosovës, pasi shtrohet pyetje se çka do të bëj shteti për qytetarët e vet në mërgatë, të cilët paraqesin edhe një potencial ekonomik, kadrovik e intelektual. Ne si ambasadë ende jemi ne konsolidim e sipër, ndërsa që në të ardhshmen do të duhej të kishte një atashe kulture, roli i të cilit do të ishte edhe koordinimi me çështje të arsimit e kulturës. Në këtë kuadër edhe në Parlamentin e Kosovës pritet të miratohet Ligji për mërgatën i cili do ti konkretizojë detyrat dhe obligimet ndaj mërgatës. Më tej ambasadori Malaj, potencoi se derisa nuk arrihen këto synime, duhet vazhduar me këtë formë të angazhimit, për çka edhe duhet vlerësuar këtë punë vullnetare përplot angazhim e sakrifica të mësuesve tanë.

 Ramadan Nazifi, Ambasador i Maqedonisë  në Bernë: Nuk ka dyshim se nuk do të japim përkrahjen tonë morale, qoftë edhe në vij institucionale. Por në këtë rast kur kemi të bëjmë me arsimimin e edukimin e fëmijëve nga gjitha viset, duhet të veprojmë si një subjekt i përbashkët. Mërgata nga Maqedonia në Zvicër përbëhet kryesisht nga shqiptarët ( me rreth 68 mijë shqiptarë), ndaj edhe interesimi ynë për arsimimin e tyre në gjuhën amtare nuk do të mungojë.

Rexhep Sadrija, pronar i Agjencisë “Kosova-Reisen” dhe donatori i vazhdueshëm i LAPSH-it,  përgëzoi të pranishmit për punën e madhe e me vlerë të shumëfishtë që po e bëjnë për fëmijët tanë në fushën e edukimit e arsimimit kombëtar dhe u zotua se edhe më tej do të mbështesë këtë lloj arsimi që paraqet një shtyllë të fortë për ruajtjen e qenies sonë në dhe të huaj.

Pas këtyre përshëndetjeve, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua edhe më tepër në atë se kush do të jetë koordinator i ri i këtij asociacioni. Por, kur filloi propozimi, disa nga kandidat më serioz (edhe për kontributin e dhënë me vite), u tërhoqën nga kandidimi, ndaj edhe në listë ngelën vetëm dy vetë, prej të cilëve në bazë të votave fitoi Hamëz Morina, arsimtar në kantonin e Argaut. Po ne ketë kuvend Nezir Mehmetaj paraqiti një raport financiar, ku u pa se me që buxhet të kufizuar vepron ky subjekt arsimor, që mezi mbijeton vetëm nga ndihma e prindërve dhe e disa donatorëve, por jo edhe nga mbështetja institucionale e shteteve prej nga vijnë mërgimtarët tanë, siç ngjet me mjaft komunitete të tjera që jetojnë në Zvicër.