Në shtator 2024, në Boston të SHBA-ve, Gisela Perren-Klingler u dekorua me “Çmimin e Mentorit të Dalluar“ të ISTSS (Shoqërisë Ndërkombëtare për Studimet e Stresit Traumatik). Çmimi nderon dhe promovon përpjekjet dhe arritjet e jashtëzakonshme të individëve që vazhdojnë të shërbejnë si edukatorë të suksesshëm në fushën e stresit traumatik.
Osman Osmani, 20.11.2024
Unë kam pas nderin të jem njëri nga nxënësit e saj shqiptarë. Falë edhe trajnimit tim parësor në Zvicër në psikotraumatologji, të udhëhequr nga Gisela Perren-Klingler e të organizuar nga AOZ (Organizata e Azilit për Kantonin e Cyrihut), më pas edhe u punësova në Shërbimin Psikosocial të kësaj Organizate, ku për 10 vite të plota kam punuar si bashkëpunëtor projektesh.
Më pas bashkë me drejtuesin e Shërbimt Psikosocial të AOZ-it, kolegun e mikun Christof Meier, gjithmonë me mbështetjen e Gisela Perren-Klingler, për disa vite radhazi kemi trajnuar shumë migrant: e e refugjat: e, ndër ta edhe bashkëkombës: e tjerë tanë. Krahas punës në ketë shërbim dhe studimeve në Shkollën e lartë për animacion sociokulturor (HFSSKZ) unë në IPST të Gisela Perren-Klingler kam përfunduar edhe një kurs pas diplomimi në lëmin e Programimin Neurolinguistik, ku jam pajisur me certifikatën e trajnuesit të Debrifingut psikologjik. Nga këto trajnime ka pas lindur ideja dhe nevoja që të përpilohet një doracak për punonjësit social dhe kujdestarët në lëmin e azilit (i ribotuar e përditësuar) me titullin “Ressourcenarbeit in der Flüchtlingshilfe” (e shqipëruar si “Puna me resurse në ndihmën refugjatëve”. Këtë libër ka vite që e kam përkthyer, por pasi që është i pa përditësuar në shqip, ende nuk është i publikuar.
Një libër tjetër të preferuar nga Gisela Perren-Klingler (bashkautore) për personelin arsimor “Të mësojmë me të gjitha shqisat” e kemi përkthyer bashkë me veprimtarin e mirënjohur, doktorin e imunologjisë Xhevat Hasanin dhe ua kemi bërë të qasshëm edhe mësuesve e arsimtarëve shqiptarë, parasëgjithash në Kosovë: https://zeflushmarku.edu.mk/libra/Mesojme_lib.pdf
Për të mësuar më shumë mbi personin e Gisela Perren- Klingler, parapëlqeva të huazoj një shkrim përmbledhës të autores Nathalie Benelli në “Lajmëtari i Valisit” të 8 tetorit 2021, faqe 15, të cilin për lexuesit tanë e kemi përshtatur dhe plotësuar edhe me disa të dhëna tjera.
E mandatuar nga IKRK (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq)
Ka vite që drejtuesja e IPTS (Institutit Psikotrauma Zvicër) dhe e shumë botimeve e publikimeve nga lëmia e psikotraumatologjisë, Gisela Perren-Klingler është e pensionuar.
“Nuk do të them saktësisht sa kohë ka që jam pensionuar” flirton ajo me moshën e saj. Ajo e shijon ndjenjën e së dielës. Por ajo nuk dëshiron të heqë dorë plotësisht nga më pak punë. Absolutisht në asnjë mënyrë. “Rehatia është e mërzitshme,” thotë Gisela Perren-Klingler, Dr. med., trajnuese në psikiatri dhe psikoterapi e specializuar në psikotraumatologji. Ajo krahas gjermanishtes flet frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe hebraisht.
Krahas punës në ambulancën e saj psikiatrike në Zvicër, ajo u angazhua edhe jashtë vendit me detyra të ndryshme nga KNKK (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq). Në këtë kuadër pati një mision nga KNKK në burgjet e Uruguait. Ato që ajo më pas përjetoi do të ndikonte gjithë jetën e saj.
Në burgjet e Uruguait takon të burgosur politikë. Shumica e femrave ishin torturuar. Në mesin e shumë të burgosurve kishte femra mjeke. Angazhimi social i të cilave, posaçërisht nëse shprehej me idetë e majta, mjaftonte që ato të torturoheshin. Takimet me këto gra e dërmuan. Papritur ajo po ndihej keq, nuk mund të flinte më dhe nuk mund të hante më. “ Nga vuajtjet e tilla psikologjike njeriu do infektohej, kontaminohej”, shpjegon Gisela Perren-Klingler.
Ndodh një lloj traumatizmi mëkëmbës (zëvendësues). Por ky lloj traumatizmi nuk njihej ende në vitet 1980. Për te në atë kohë vishte vetëm dy mundësi: ose të zhytej në këtë vuajtje ose të luftonte kundër saj. Ajo vendosi ta përballonte këtë vuajtje me dije.
Gisela Perren-Klingler ishte një nga gratë e para evropiane që në SHBA u trajnua në temën e Sindromit të stresit post-traumatik. Ajo atje mësoi si të kujdesej për veten dhe si mund të mbrohej që të mos tërhiqej edhe vet në vorbullën e përjetimeve traumatike. Ajo më pas vet zhvillojë teknika të caktuara, përmes të cilave njerëzit mund të përpunojë ngjarjet traumatizuese. Gisela Perren-Klingler e kuptoi se sa e rëndësishme ishte edhe për shërbimet e urgjencës, zjarrfikëset, shërbimet mjekësore, policinë dhe ushtrinë ose mjekë të urgjencës, psikologët dhe mësuesit, për t’u dhënë atyre veglat e nevojshme, që shërbejnë për tu mbrojtur nga stresi post-traumatik. “Salduesve u jepen syze mbrojtëse, punëtorët, që ngritin ngarkesa të rënda, veshja përkatëse dhe këpucë të përforcuara. Personelit në shërbimet e urgjencës, që përballen me situata stresuese, gjithashtu u nevojiten masat mbrojtëse.”
Misione burgjesh gjithandje nëpër botë
Gisela Perren-Klingler, krahas punës në ambulancën psikiatrike ne Zvicër, ishte me mision nëpër burgje në mbarë botën, në Uruguai, Ugandë, Izrael, Evropë, nisi projekte të ndryshme për shëndetin mendor pas ekspozimit ndaj ngjarjeve kritike dhe trajnoi psikoterapistë në të gjithë botën. Parandalimi i pasojave dhe dëmtimeve të përhershme, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë, pas ngjarjeve kritike ishte një shqetësim i madh për të. Ajo gjithashtu shkroi katër libra praktik mbi këtë temë. Gisela Perren-Klingler bëri jetë intensive.
“Në moshën 70-vjeçare, e shtyva veten në pension”, thotë ajo. Thjeshtë kjo do të thotë se ajo është tërhequr nga puna në ambulancë. Mirëpo, ajo nuk hoqi dorë nga puna e saj si presidente e një komisioni ndërkombëtar për të drejtën ndërkombëtare humanitare deri në moshën 73-vjeçare. Ajo ende nuk dëshiron të tërhiqet. Por me kalimin e viteve, asaj iu desh të mësonte të menaxhonte më mirë fuqitë e saja. Ajo ende trajnon terapistë. “Kam mbjellë fara me shumë djersë dhe punë dhe tani shoh si po rriten filizat”, thotë ajo për suksesin e punës së saj.
Për shkak të pandemisë, ajo nuk ka qenë në gjendje të udhëtojë në Amerikën Jugore dhe Qendrore për një kohë të gjatë. Por kjo nuk e pengon atë të vazhdojë leksionet dhe trajnimet e saj. “Tani jap mësim online nëpërmjet (aplikacionit) Zoom”, thotë Gisela Perren-Klingler. Pyetjes se pse mbetet ende aktive, ajo i përgjigjet: “Duhet të mbështesësh njerëzit që vuajnë dhe preken nga gjëra të neveritshme apo traumatike. E di që nuk mund të shëroj askënd, por mund të ndihmoj në mbylljen dhe shërimin e plagëve psikologjike dhe fizike”.
Në sirtarin e saj, Gisela Perren-Klingler Ka një biletë avioni për në Meksikë. Sapo masat e Koronës ta lejojnë, ajo dëshiron të shkojë përsëri atje. Ajo nuk dëshiron të vizitojë tempullin Maya ose rrënojat e Jukatanit. Ajo dëshiron të udhëtojë në Meksikë për tu angazhuar në përmirësimin e situatës së të burgosurve të traumatizuar dhe të mbijetuarve të torturës.
Ajo ka ende shumë punë për të bërë. Javën e ardhshme do të ketë ligjërata dhe supervision në Bazel. Ajo dëshiron vetëm një gjë për të ardhmen: “Shpresoj që të ketë aq shumë paqe në botë sa edhe nipërit e mbesat mi të kenë guximin të lindin fëmijë”.