Gëzuar 87 vjetorin, At Antonio, Ty që në Departamentin amerikan i dole zot Kosovës!

Sot në ditëlindjen Tënde të 87- të, nuk kemi si mos të nderojmë vëlla, Antonio Belushi Bellusci), Ty që për ne shqiptarët kudo që jemi, je një pikë referimi e pelegrinazhi me  Bibliotekën Arbëreshe “A. Bellusci”, me mbi 10 mijë ekzemplarë, ndërsa që ne shqiptarët e Kosovës të jemi borxh, që Ti nga pozita e një misionari, politologu, intelektuali e atdhetari në Departamentin amerikan u vure në mbrojtje të Kosovës, duke u  ballafaquar me klerikë serbë, që i denonconin shqiptarët si dhunues e vrastarë. 

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Për të satën herë në këtë dekadë, më 22 Gusht 2021 u gjenda sërish në katundin e vjetër arbëresh, Frasnitë të Kalabrisë, ku cak i vizitës ishte At Antonio Belushin. Nda edhe kësaj radhe me bashkëshoqëruesin tim, profesorin Michele Greko, po nga një fshat fqinjë me Frasnitën, deshëm që vëllain tonë të madh t`ia  bëjmë një “befasi”, pa paralajmërim, ndodhi e kundërta ai derisa afroheshim te shpija e tij, ishte në rrugë për në meshë, ndërsa që në kokë bartte një kapelë me flamurin e Kosovës.

Ndaj edhe e lamë një takim pasdite pasi që do të ketë kohë për të na prit e gostit si gjithnjë me motrën Rinë, vetëm dy vjet në mos ma e re- 85 vjeçare, por që ende i shkon zëri pushkë kur pret mysafirët me të vëllain me këngë të vjetra arbëreshe. Edhe kësaj radhe, Atë Antonio Bellusci, gazetar–shkrimtar-pedagog dhe etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar dhe atdhetar i devotshëm, që ka arrit jo vetëm të bëjë emër respektiv anë këndë shqiptarisë por, edhe të krijojë një bibliotekë unike me një kapital prej më se 10 mijë ekzemplarësh të rrallë, por edhe një odë mikpritjeje tradicionale ku miku nderohet me përqafime, lot e këngë arbëreshe, që përherë të krijojnë emocione e nostalgji, në ballkonin e shtëpisë kishte ngrit flamurin kombëtar dhe atë të shtetit të Kosovës. Ishte vërtetë Diçka madhështore të pritesh me një zemër aq të madhe e me valëvitje flamujsh që stolisnin bibliotekën që në gjirin e saj ruan një thesar që nuk mund ti përcaktosh vlerë.

Vizita e gushtit të sivjetmë pati edhe diçka shumë të veçantë e specifike, pasi përherë të parë at Antonio na dërgoi të varrezat e Frasnitës, ku janë varrosë të parët e tij, e ku ka ngrit edhe varrin e vet monumental shoqëruar me vargjet e Varibobës. Derisa unë si dhuratë i dërgova një foto ku vëllai ynë arbëresh është me një fëmijë në krah gjatë një feste ai më dhuroi dy vepra me shumë vlerë që i kushtoheshin ngulimeve arbëreshe dhe personalitetit të tij.

Si edhe herëve të tjera të shkosh në Kalabri e të mos e vizitosh këtë figurë të shquar arbëreshe të shekullit 21 është, është sikur të mos kesh ambicie për të pa njeriun që krahas tjerave mbrojti interesat e Kosovës edhe në Departamentin Amerikan, e krahas kësaj të jesh edhe mysafir i tij duke shijuar për pak çaste gjithë atë thesar çmueshëm që ruhet në shtëpinë tij Bibliotekën madhështore A. Bellusci, që ruan një nga vlerat më të veçanta të kulturës sonë ndër shekuj, jo vetëm të botës arbëreshe, por edhe asaj shqiptare përgjithësisht.

Ndaj edhe me këtë rast bashkë me Redaksinë e portalit tonë “prointegra.ch” vëllait Antonio i urojmë 87 vjetorin e lindjes me shëndet të mirë dhe vullnet e vitalitet për punë të mëtejme krijuese- atdhetare.