Gjatë varrimit në Wittikon të Cyrihut, si dhe në një mbledhjen komomorative në Killwangen, fjalë rasti për personalitetin e tij prej intelektuali e gazetari, mbajtën bashkëpunëtorë, miq dhe përfaqësues institucionesh nga Kosova e diaspora.
Qindra mërgimtarë shqiptarë nga Zvicra dhe shtetet tjera të afërta, me dhembje e pikëllim morën pjesë në varrimin doajenit të gazetarisë shqiptare dhe doktorit të shkencave humane, Llukman Halili. Varrimi i tij u bë në në Wittikon të Cyrihut (më 16 Qershor 2020 ), ku për jetën dhe veprën e tij folën gazetari Dashnim Hebibi, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, si dhe doktor, Dërgut Aliu, i ardhur nga Prishtina, që mbajti një fjalë kushtuar biografisë së Llukman Halilit, përfshi edhe aktivitetin e tij politik, në Luginën e Preshevës si dhe në Kosovë e diasporë.
Ndërsa në ora 18 në Hotel “Meierhof” në Killwangen u mbajt në mbledhje komomorative, ku pos që iu shprehën ngushëllime familjarëve disa nga personalitete e jetës publike e institucionale folën për figurën e Llukman Halilit, si personalitet shumëdimensional i cili krahas se në gazetari e publicistikë ishte mjaft veprues edhe në shkencë, kulturë e politikë. Por mbi të gjitha ishte një figurë shumë e dashur dhe përafruese që përherë dinte të krijonte shumë miq e shokë rreth vetes. Si në varrim ashtu edhe në mbledhjen përkujtimore krahas konsujve të Republikës së Kosovës në Gjenevë e Cyri, Ramadan Avdiut e Shukrije Ramadanit, merrte pjesë edhe Donika Gërvalla e bija e heroit Jusuf Gërvalla e cila gjithashtu me një fjalë rasti nderoi figurën e gazetarit Llukman Halili.
Duke shpreh keqardhjen që për shkaqe objektive, dje nuk munda të jem prezent në përcjelljen e kolegut, shumë të afërte e dashur për mua, me këtë rast po jap disa rreshta për jetën e tij prej një profesionisti, intelektuali e atdhetari:
Llukman Halili u lind më 1956 në Tërrnoc të komunës së Bujanocit, ndërsa që shkollimin e lartë e kreu në Universitetin e Zagrebit, në shkencat politike. Shkollimin pasuniversitar do ta vazhdojë deri në vitin 2013, kur edhe fitoi titullin e Doktorit të Shkencave Humane në Universitetin e Zarës, po në Kroaci.
Krahas studimeve ai e vazhdoi punën edhe në gazetari e publicistikë, madje si në mediat e shkruara ashtu edhe në ato audio-vizuale, duke u bërë një emër i njohur para publikut shqiptarë, qoftë si gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës, sidomos nga vitet e 80-ta dhe 90-ta në Kosovë, për të vazhduar me të njëjtin vrull edhe në mediat e shkruara me të migruar në diasporë. Gjithashtu shquhet edhe si bashkëpunëtor në mediat e jashtme ashtu edhe në mërgatë: në agjencinë e lajmeve kroate HINA, Radio Zagrebi, apo edhe si asistent profesor në Universitetin e Varshavës në Poloni.
Dr.sc. Llukamn Halili, i cili jetoi në Zvicër ka botuar edhe një numër të madh të shkrimeve, si dhe është autor i disa librave dhe punimeve shkencore. Ndër librat e tij është edhe libri “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë” botuar nga Zëri në vitin 1993 me bashkautor Blerim Shalën, libri “10 vjet për Kombin” me bashkautor Dashnim Hebibi, me të cilin asnjëherë nuk u ndan dhe bashkërisht realizuan dhe udhëhoqën shumë media dhe projekte mediale. Llukman Halili ishte i pari korrespondent i RTK-së (ish-RTP) jashtë vendit nga Palestina, por edhe gazetari i parë që raportoi për ndryshimet e para në Shqipëri në ditët e para të demokracisë. Ndër intervistat që do mbahen mend ishte edhe një intervistë e tij me Nënën Terezë
Ndërsa që për disa vite ishte edhe redaktorë i gazetës “Bota sot” në Zvicër si dhe në gazetën e portalin Dialog Plus, ku edhe kisha bashkëpunua me te nga pozita ime prej gazetari, duke pas me Llukin, siç e quanim zakonisht ne kolegët, një bashkëpunim shumë të mirë.
Ajo që ishte pjesa më e mirë për të gjithë ne shokëve e kolegëve me te ishte pjesa e lirë jashtë redaksive, kur çdo ndejë me te ishte kënaqësi dhe relaksim, sepse ai jo vetëm me humorin e tij të lehtë, por edhe horizontin dhe dijen që posedonte, hapte tema me peshë politike, kombëtare, duke pas edhe një vizion të qartë për shumë zgjidhje të tyre.
Krejt në fund ajo që nuk do ta horroj kurrë ishin periudhat kur kemi punua në redaksi të ndryshme dhe ndejat përbashkëta me shokë, miq e kolegë.
( Falënderoj kolegun Musli Saiti nga Syri TV për fotot nga varrimi e mbledhja përkujtimore )