Garana është një fshatë në komunën e Kërçovës, 6 km afër qytetit. Në hartën gjeografike është i shënuar me emrin Strellc. Banorët quhen Garanas. Siç u informuam nga kryetari i shoqatës Garana-Zvicër, Dr. med. Faik Elezi, javën e kaluar në Tiranë u porosit skulptura e Skënderbeut në kalë (bronz 3 m), bazamenti 2-3 m, gjithsej 5-6 m.
Vitin e ardhshëm është i paraparë inaugurimi i këtij monumenti edhe atë më 28 Nëntor 2025. Falë bashkëpunimit ndërmjet mërgatës me shoqatat Garanase Zvicër&Amerikë, afaristëve në diasporë dhe fshat, Bashkësisë lokale, forumit rinor dhe bashkëfshatarëve, ky vendbanim ka vendosur që ta stolis qendrën e fshatit me figurën më të lart kombëtare (Skënderbeun).
Javën e kaluar në Tiranë mjeku dhe kryetari i shoqatës Garana-Zvicër Dr. med. Faik Elezi me nënkryetarin e bashkësisë lokale Bashkim Koça, si dhe afaristët &sponsoret Mefail Ibishi, Bal Koça, Dini Nuredini dhe Valbon Aliu nënshkruan kontratën për fillimin e punimeve nga skulptori i mirënjohur Fiqiri Kasa. Gjithashtu vitin e ardhshëm do të ndërtohet edhe Bashkia me zyra për bashkësinë lokale si dhe me një sallë të madhe për kuvend. Muret e brendshme të Bashkisë do përbëjnë edhe shënime historike që nga kohët e lashta ilire e deri te pjesëmarrja ne luftën e fundit të UÇK në vitin 2001.Mësojmë gjithashtu se ky projekt realizohet falë kontributit të gjithë bashkëfshatarëve, të cilët në mjaft raste kanë kontribuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës së fshatit të tyre, që ai sot të ketë një pamje sa më të mirë.
Nga shtegtimet e mija nëpër Maqedoninë e Veriut, nuk kam dijeni të jetë ngrit në një fshat shqiptar të këtij shteti një monument i tillë për Heroin Tonë Kombëtar, ndaj edhe duhet përshëndet ideatorët dhe sponsorët e këtij projekti madhor.