Fjala përmbyllëse e librit “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim”

Ky libri publicistik, siç thotë edhe recensuesi i tij, prof. Ahmet Qeriqi, është një vepër që hedh dritë mbi një periudhë të caktuar të zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë e më gjerë, përmes një protagonisti në krye të një organizate, që ka lënë gjurmë në historinë tonë më të re, sikur ishte Skënder Ibishi dhe organizata atdhetare, PKMLSHJ (Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi).

Në këtë libër një pjesë e vëmendjes është përqendruar rreth organizatës ilegale Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, e cila në literaturën dhe dokumentacionin e kohës njihet me akronimin PKMLSHJ.

Në bazë të trajtimit të thelluar të dokumenteve të kohës, qofshin këto burime të brendshme të ilegales apo ato zyrtare të shtypit të kohës, zanafilla e organizatës mund të qëmtohet nga mesi i viteve ‘70-të. Bërthama organizative që do të çojë deri te themelimi i PKLMSHJ-së, që krijua në vitin 1975. Përgatitjet për të vënë themelet organizative të PKLMSHJ-së zgjatën nga viti 1975 deri në vitin 1978, pa të cilat nuk do të ekzistonte PKLMSHJ-ja. Shumica e themeluesve të organizatës ishin ende studentë në Fakultetin Juridik të Prishtinës.

Kështu, disa kuadro të reja shqiptare edhe në ushtri, në sigurim, në polici, në politikë, në universitet, në shkolla, në ekonomi etj., që i njihnin pikëpamjet e njëri-tjetrit, ngaqë i takonim kryesisht një gjenerate që demonstratat e vitit 1968 i përjetoi në rininë e hershme dhe që i kishin të freskëta kërkesat që u realizuan vetëm pjesërisht, nuk ishin të kënaqur me pozitën politike të popullit shqiptar në ish-RSFJ, ndaj kërkonin rrugë për ta çuar më tej çështjen e avancimit politik e shtetëror-juridik të shqiptarëve në(n) ish-Jugosllavi.

Fakti se disa nga krerët e kësaj organizate kanë vepruar edhe brenda strukturave të Shërbimit dhe Policisë e Ushtrisë së Jugosllavisë, ishte keqinterpretuar nga grupe e klane të caktuara, pavarësisht se organizatat ilegale kudo në botë kishin synim parësor depërtimin në strukturat e shtetit, me qëllim për të mbledhur më shumë informacione dhe për të maskuar veprimet, sikurse ka ndodhur në këtë rast.

Veprimtaria në vend dhe në mërgatë e drejtuesve dhe e pjesëtarëve të tjerë të ish-PKMLSHJ-së, prore ka pasur ndikimin e vet dhe i ka shërbyer çështjes, pavarësisht mjegullës së dendur që ka mbretëruar në radhët e grupeve të ndara e të përçara, por kurrë nuk ka munguar gatishmëria për unifikim e bashkëveprim. Në këtë drejtim, PKMLSHJ-ja, edhe sa i përket bashkimit të radhëve të veprimtarisë brenda e jashtë vendit, nuk ka qenë pengesë dhe nuk ka vepruar në dëm të çështjes, përkundrazi.

Recensuesi më tej thekson: “Nxjerrja në dritë e këtij libri shërben për të plotësuar mungesën që ka ekzistuar deri tani për jetën dhe veprën e Skënder Ibishit me shokë e shoqe, e po aq edhe të vetë organizatës, e cila përpos që është luftuar ashpër nga pushteti jugosllav, është vënë në dyshim padrejtësisht nga grupe e klane të caktuara, qofshin ato subjekte të sistemit apo edhe pjesë të ilegales. Por realiteti i ka përgënjeshtruar thashethemet, ndërsa faktet e argumentet, që janë baza shkencore e çdo studimi, i mbështet në realitetin e zhvillimeve të caktuara, të faktuara e të dëshmuara në një kohë apo periudhë të caktuar.

Gjatë trajtimit të kësaj tematike edhe në të ardhmen, historianët, studiuesit e autorët e ndryshëm duhet t’u referohen fakteve e dëshmive faktike dhe të tregohen objektivë, pasi vetëm kështu mund të plotësohet mozaiku i të gjitha këtyre ngjarjeve, përpjekjeve, veprimtarisë atdhetare e revolucionare, si dhe i luftës çlirimtare. Vetëm kështu ky mozaik, si i plotë, i bashkuar dhe i kompletuar, mund t’u shërbejë edhe brezave të ardhshëm për një jetë të përparuar e me mirëqenie!

Lënia në heshtja e ngjarjeve historike apo shtrembërimi e falsifikimi i tyre, përvetësimi dhe ndarja e meritave pa të drejtë, si dhe devijimi nga e vërteta e dokumentuar objektive u hap rrugë deformimeve të ndryshme dhe çon ujë në mulli të armiqve dhe kundërshtarëve të luftës sonë. Ata, edhe ashtu, në publikimet e shumta edhe në gjuhë të ndryshme të huaja, nuk rreshtin të bëjnë shtrembërime të ndryshme, duke u shërbyer me gjysmë të vërteta, por edhe të zhvillojnë teori të ndryshme konspirative mbi shqiptarët, rezistencën, organizimin atdhetar dhe luftën e tyre të drejtë për liri, demokraci, barazi, pavarësi, vetëvendosje, zhvillim e mirëqenie të përgjithshme shoqërore dhe kundër pushtimit, diskriminimit të gjithanshëm, dhunës shtetërore, shtypjes e shfrytëzimit.

Në përmbyllje të këtij libri, e konsideroj të nevojshme të bëj një përmbledhje, një përtëritje të pjesshme, që përshkruan gjendjen, rrethanat e kohës dhe rrugëtimin e organizimit nga bërthama e parë deri në lëvizjen e re politike e shoqërore.

Gjendja politike e shqiptarëve në Jugosllavi, e cila qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore karakterizohej nga pozita e pabarabartë në raport me popujt e tjerë, ndikoi tek organizimet e format e tjera të rezistencës.

Madje, thuhet se këto organizime kishin një koncept ambivalent, për shkak të gjoja antagonizmit ontologjik midis nacionalizmit dhe socializmit. Në lidhje me këtë problematikë, politologu Andrew Heywood provon një përgjigjeje të jashtëzakonshme. Sipas tij, nacionalizmi dhe socializmi mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, përderisa vlerësojnë si të dytë nevojën e “solidaritetit shoqëror” dhe “veprimin e përbashkët”. Madje, ata japin një pasqyrë më të qartë të shfrytëzimit dhe pabarazisë në një vend dhe kohë të caktuar. Prandaj, në një numër të madh vendesh, të cilat sfiduan patronët e tyre kolonialë, lindën lëvizje, që gërshetuan qëllimet për pavarësi kombëtare (nacionalizmin) me ato për revolucion shoqëror (socializmin).

Vetë socializmi specifik jugosllav i Titos proklamonte barazinë e plotë nacionale dhe vëllazërim-bashkimin e popujve të lirë e të barabartë. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë mes dy Blloqeve kundërshtare të shekullit të kaluar, Jugosllavia e Titos luante edhe një rol të ndërmjetëm dhe njihej edhe si prijëse e Bllokut të vendeve të ashtuquajtura të Painkuadruara. Me këtë rast, qeveria e Partia Jugosllave deklarohej dhe mbështeste edhe luftën për dekolonizimin e disa vendeve dhe popujve të pushtuar, të shtypur e të shfrytëzuar. Në të njëjtën kohë, federata jugosllave (që në shqip i bie sllavët e jugut), që në emërtimin e saj privilegjonte në mënyrë ekskluzive vetëm popujt sllavë të federatës, legjitimonte marrëdhëniet e trashëguara dhe të rikrijuara kolonizuese, ku shqiptarët si popullsi autoktone, që dhe për nga madhësia ishin të tretët, privoheshin nga të drejtat që kishin popujt e tjerë sllavë të federatës. Kështu ata përjashtoheshin nga të drejtat e barabarta të proklamuara e të premtuara publikisht për subjektivitet nacional e politik dhe, me këtë, edhe për vetëqeverisje e vetëvendosje, që kishin edhe popujt sllavë numerikisht më të vegjël në ish-federatë.

Në prag të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në(n) Jugosllavi, krahas subjektit monist, Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe atyre republikane e krahinore (LKJ: LKK/LKS/LKMZ/LKM), si dhe organizatave satelite të saj, që vepronin në kuadër të sistemit dhe ishin plotësisht në shërbim të pushtetit, ishin duke vepruar pandërprerë, edhe pse në fshehësi, jo vetëm për shkak të sistemit politik monist, por edhe për shkak të pozitës edhe më tej koloniale, disa grupe e organizata ilegale atdhetare, ku ndër më të njohura në prag të vitit 1981 do të veçojmë LNÇK/LNÇKVSHJi, GMLK/OMLK, ORA/PKMLSHJ dhe grupe të shumta formale e joformale të shtresave të ndryshme shoqërore.

Vlen të thuhet se në këtë periudhë u formua organizata e parë shqiptare PKMLSHJ, që theu shabllonet e mëhershme të ilegales, duke kërkuar republikën shqiptare në kuadër të Jugosllavisë. Po ashtu, gjatë kësaj faze do të shtrohej si imperativ i kohës një çështje shumë e rëndësishme për ilegalen shqiptare, siç ishte ai i unifikimit të organizatave e grupeve ilegale në një lëvizje unike”. (Sabile Kiçmezi Basha)

PKMLSHJ/LRSSHJ-ja duhet parë e kuptuar si rezultat të rrethanave kohore e sistematike në Europën Juglindore dhe më gjerë. Përgatitjet për të vënë themelet organizative të PKLMSHJ-së zgjatën nga viti 1975 deri në vitin 1978, pa të cilat nuk do të ekzistonte PKLMSHJ-ja. Shumica e themeluesve të organizatës ishin ende studentë në Fakultetin Juridik të Prishtinës.

Përfundimisht, ideja për krijimin e PKMLSHJ-së erdhi menjëherë pas Kongresit të 10-të të LKJ-së, ku pritej të shtrohet për zgjedhje edhe kërkesa e fundit e parealizuar e demonstratave të vitit 1968 për krijimin e Republikës së Kosovës.

Meqë populli shqiptar në ish-RSFJ nuk kishte një organizatë politike unike, që këtë çështje ta trajtonte si unike, u pa si e domosdoshme që Kosovës i duhej një parti politike e pavarur dhe e barabartë me partitë politike të popujve të tjerë në ish-RSFJ, dhe të pavarur e të barabartë edhe me Partinë e Punës së Shqipërisë (PPSH). PPSH-ja e kufizonte aktivitetin e vet politik brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe çdolloj angazhimi i saj rreth çështjes së Kosovës, për bashkësinë ndërkombëtare ishte përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër. Angazhimi i Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës kufizohej vetëm në të drejtat e minoriteteve, që ishte tepër pak për të shëruar plagën e madhe të Kosovës, e cila ishte gjysma e Shqipërisë. Nuk durohej ndarja e dyfishtë e Kosovës: një herë e ndarë nga shteti amë dhe pastaj e ndarë dhe nën sundimin e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo jo vetëm që shkaktonte diskriminim nacional e politik, por mundësonte edhe shfrytëzimin dhe diskriminimin e vazhdueshëm ekonomik.

Statusi politik si “pakicë kombëtare” për popullin shqiptar nën pushtimin e Jugosllavisë ishte i padrejtë. Klasifikimi i popullit shqiptar në Jugosllavi në kategorinë politike të “pakicave kombëtare” ishte në kundërshtim me situatën reale, sepse populli shqiptar që jetonte në territoret e tij etnike i treti për nga numri në federatë dhe më numerik se sa tre popuj të njohur që kishin shtetësinë e tyre në formë Republike.

Kushtetuta federative më 28 shkurt të vitit 1974, për herë të parë, njohu dhe lejoi një kushtetutë për krahinën e Kosovës. Por nën sundimin e dyfishtë të Federatës dhe Republikës së Serbisë. Domethënë, Krahina Autonome e Kosovës ishte element konstituiv i Federatës dhe njëkohësisht element konstituiv i Serbisë! Kështu, në njëfarë mase edhe subjektivizmin e Kosovës, gjë që faktikisht avanconte paksa, por jo mjaftueshëm, subjektivizmin e Kosovës dhe pozitën e shqiptarëve. Pra, pozita e pabarabartë dukej hapur dhe askush nuk mund të mohojë mospërputhjen ndërmjet aspiratave të arsyeshme e të drejta të shqiptarëve dhe statusin faktik të kufizuar politik e kushtetues të shqiptarëve dhe të Kosovës në këtë federatë. Derisa pozita politike e shqiptarëve në pjesën qendrore të Kosovës është përmirësuar disi, pozita politike e shqiptarëve në rajonet shqiptare nën sundimin e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore nën sundimin e drejtpërdrejtë të Serbisë nuk ka ndryshuar pas rënies së Rankoviqit!

Rritja e numrit të nxënësve dhe studentëve dhe e nivelit të tyre arsimor, si dhe dalja e kuadrove të para nga Universiteti i Prishtinës, politikat më të favorshme të punësimit të shqiptarëve nëpër institucione, zhvillimi i aktiviteteve kulturore e artistike, të ndërlidhura edhe me shënimin e ngjarjeve historike kombëtare e shoqërore të shqiptarëve, si dhe, në përgjithësi, bashkëpunimi në rrafshin arsimor e kulturor me Republikën e Shqipërisë, nuk ishte në favor të nacionalizmin serb, i cili përpiqej me çdo mjet të pengonte afirmimin politik e shoqëror të KSA-së të Kosovës dhe komunikimin e bashkëpunimin e natyrshëm të munguar për dekada të tëra mes shqiptarëve të ndarë dhunshëm. Anashkalimi i kërkesave për adresim dhe zgjidhje të problemeve të trashëguara diskriminuese dhe nevojës për barazi të proklamuar, si dhe mangësitë e ngecjet e tjera nga koha në kohë, shënoheshin jo rrallë me protesta punëtorësh e studentësh. Kështu, edhe demonstratat e11 marsit 1981 nisën fillimisht si protesta sociale, për shkak të cilësisë së dobët të ushqimit e kushteve të vështira në konvikte, në të cilat morën pjesë edhe studentë të kombësisë serbe e malazeze, por edhe studentë të tjerë të huaj që studionin në Universitetin e Prishtinës.

Në vijim, këto protesta shpërthyen si manifestim popullor për barazi, me kërkesën kryesore: për republikë të shqiptarëve në ish-RSFJ. Më pas, më 2 prill në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme (u vendosën 45 mijë ushtarë jugosllavë). Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë jozyrtarisht vazhdoi deri në ndryshimet sistemore në të gjithë Bllokun e ashtuquajtur Lindor.

Në vitin 1981 u shtrua kërkesa për konstituimin e Kosovës në Republikë. Në prapavijën e kërkesës qëndronte besimi, se problemi shqiptar në Jugosllavi esencialisht reduktohej në të drejtën për t’u konstituuar si plotësisht i barabartë me të tjerët, si shtet me të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që gëzonin republikat (shtetet) në bashkësinë e republikave (shteteve) jugosllave. Besohej se e drejta e konstituimit të Kosovës në Republikë, logjikisht, do të duhej t’i paraprinte bashkimit të kombit dhe, njëherazi, do të ishte në funksion të stabilitetit politik të Jugosllavisë dhe të Ballkanit në përgjithësi”. (Ukshin Hoti)

Historiani Qerim Lita, bazuar në hulumtimet e tij mbi demonstratat e vitit 1981 në arkivin shtetëror të ish-Republikës së Maqedonisë, ndër të tjera shkruan: “Është e rëndësishme të theksojmë se, në dallim nga dita e parë, demonstratat që u organizuan më 26 mars, pastaj ato të 1-3 prillit, patën një përmbajtje me karakter politik. Në kuadër të demonstruesve qe formuar shtabi për organizimin e demonstratave. Për shkaqe sigurie, anëtarët e shtabit vepronin ilegalisht dhe një numër shumë i vogël kishin njohuri për ekzistimin e tij. Krahas veprimtarive të ndryshme informative e organizative, shtabi përpiloi edhe listën e parullave, që do të përdoreshin gjatë demonstratave të 1, 2 e 3 prillit 1981, por edhe më vonë. Disa prej përmbajtjeve të këtyre parullave janë: “Kërkojmë punë-kërkojmë bukë”, “Poshtë dallimet sociale”, “Poshtë borgjezia”, “Poshtë burokracia”, “Poshtë eksploatimi i Kosovës”, “Poshtë hegjemonizmi”, “Poshtë kolonializmi”, “Kërkojmë pavarësi”, “Kërkojmë kushte”, “Poshtë mashtrimi”, “Kërkojmë barazi”, “Kërkojmë Republikë”, “Kërkojmë bashkimin e mbarë trevave shqiptare në një Republikë”, “Poshtë kolonialistët”, “Poshtë tradhtarët”, “Nuk ka paqe pa liri”, “Nuk ka barazi pa pavarësi”, “Nuk ka barazi pa Republikë” etj.

Në parim dhe në veprim nuk kishte asgjë të dënueshme në atë koncept politik, edhe pse dihet që ajo nuk i kishte bërë fare përshtypje regjimit. Përkundrazi, kjo organizatë ishte trajtuar thellësisht si armiqësore, nacionaliste e irredentiste, si të gjitha të tjerat, madje edhe më e rrezikshme, sepse ajo rezervohej si fillim nga kërkesa për bashkim me Shqipërinë, dhe këtë qëndrim do të mbante edhe me shumë anëtarë e simpatizantë. Pjesëtarët dhe drejtuesit e kësaj organizate kanë qenë ndër caqet kryesore të pushtetit dhe mekanizmave të tij, i cili nganjëherë nga prapaskena ka arritur të nxisë edhe eksponentë të grupeve e organizatave të tjera ilegale kundër PKMLSHJ-së dhe veprimtarëve të saj, deri edhe nëpër burgjet ku ata vuanin bashkë dënimet e padrejta për shumë e shumë vite. Kjo tregon se jo të gjithë veprimtarët e të burgosurit politikë kishin pjekurinë dhe njohurinë e duhur për të gjykuar drejt, sepse jo të gjithë kishin nivel të duhur arsimor e intelektual, si dhe përvojën e duhur për të kuptuar se një organizatë mund të kishte një qëndrim më liberal në dukje, sikur ishte kërkesa e PKMLSHJ-së për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi”, thekson ndër të tjera recensuesi i librit, prof. Ahmet Qeriqi.

Dihet se demonstratat e pranverës së vitit 1981 mobilizuan edhe bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani, ku vepronin, si dhe drejtuesit e organizimeve atdhetare e revolucionare. Ndërkohë, këta drejtues, konkretisht ata të OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së në Zvicër dhe Gjermani edhe – siç kuptohet më vonë – përkundër disa kundërthënieve të caktuara organizative dhe pengesave që u krijoheshin nga rrethet e rrjetet e tyre organizative, ia arritën të përafroheshin dhe të bashkërenditnin aktivitetet publike e protestat, të cilat i organizonin bashkë.

PKMLSHJ-ja ishte e vetmja organizatë politike e kohës, që përmes programit të saj shtronte çështjen e republikës. Programi i saj partiak u përkrah nga populli dhe u shndërrua në kërkesë gjithëpopullore. Udhëheqësit shtetërorë e partiakë jugosllavë në të gjitha nivelet, bashkë me udhëheqësinë krahinore, jo vetëm që refuzoi kërkesat për barazi shoqërore e kombëtare, por i shpalli ato armiqësore, duke u vënë atyre atribute të paqena dhe duke i shtrembëruar dhe etiketuar në mënyra të ndryshme.

Më 14 prill 1981, PKMLSH-ja, edhe për të hequr mjegullën që pushteti dhe Partia Jugosllave përpiqej të krijonte në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm në lidhje me kërkesat e drejta të demonstruesve, i dërgoi një notë KQ-së të LKJ-së dhe qeverisë jugosllave, me ç’rast mori përsipër përgjegjësinë për organizimin e demonstratave dhe ritheksoi edhe njëherë kërkesat ultimative.

Katër muaj më pas, më 14 gusht 1981, PKMLSHJ-ja i dërgoi një letër KQ-së të LKJ-së dhe qeverisë jugosllave, duke ftuar LKJ-në për bisedime si partner dhe si parti të barabarta. Ajo publikoi shumë materiale propagandistike, si “Teoria dhe praktika e revolucionit”, “Instruksione për veprim praktik”, revistat “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut” etj., ku ndër të tjera shpjegoheshin zhvillimet dhe kërkesat.

Kjo organizatë, pavarësisht si ka qenë trajtuar nga lakuesit e pretenduesit e të vërtetave të veta fiktive, ka qenë një ndër organizatat më masive dhe më me ndikim në Kosovë, sidomos para dhe gjatë protestave e demonstratave të marsit, prillit e majit të vitit 1981 e deri në njëvjetorin e tyre dhe bashkimin më 17 shkurt 1982 në Lëvizjen për Republikë (LRSSHJ). Faktet dhe dokumentet e kohës tregojnë se deri te bashkimi në Lëvizjen atdhetare të kohës (LRSSHJ), erdhi me iniciativën dhe platformën e PKMLSHJ-së.

Zyrtarët shqipfolës në kuadër të sistemit jugosllav, si pjesë përbërëse e mekanizmave të pushtetit, në luftën e tyre speciale kundër kërkesës këmbëngulëse për Republikë të rinisë, studentëve e shumicës së popullit shqiptar, herë hapur e herë fshehur, aludonin se p.sh.: demonstratat e shqiptarëve për Republikë i kanë organizuar herë UDB-ja e Serbia, herë KGB-ja e Rusia e deri edhe Bullgaria. Ata ndonjëherë theksonin gjoja njëfarë rreziku nga “armiku i brendshëm reaksionar në bashkëpunim me atë të jashtëm imperialist”, duke sjellë njëfarë përfundimi, siç thoshin ata, se ishin të nxitura e të organizuara nga Shqipëria dhe PPSH-ja.

Udhëheqësve shtetërorë e partiakë jugosllavë kur ua lypte puna, me dhelpëri, në vendet që dominoheshin nga politika të djathta, atakonin kërkesat dhe lëvizjen tonë politike e sociale si ultra të majtë, ndërsa në vende që dominoheshin nga politikat e majta, këtë lëvizje e quanin si reaksionare e ultra të djathtë. Madje për këtë qëllim ata bënin publikime e shkrime të veçanta, të cilat i shpërndanin sipas këtyre nevojave.

Pas qëndrimeve përkrahëse të protestave në Kosovë, që kishte bërë udhëheqja politike e Shqipërisë, udhëheqësit e Jugosllavisë fajësuan edhe Shqipërinë se kishte nxitur demonstratat irredentiste në Jugosllavi. Kjo mbështetje nga shteti shqiptar kontribuoi, që grupet e organizatat e rezistencës të unifikonin deri diku qëndrimet në kërkesa. Udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës, edhe përkundër faktit se ata karshi kërkesave të drejta për barazi nacionale e politike u treguan oportunistë, madje edhe u dënuan dhe u përpoqën t’i luftojnë ato, por megjithatë, nga qeveria e udhëheqësja partiake jugosllave u detyruan të japin dorëheqje ose edhe u shkarkuan. Demonstratat e mars-prillit 1981 u mbytën në dhunë, por rezistenca nuk ndaloi. Përkundrazi, ajo u intensifikua. Kërkesa për republikë u shndërrua në një lëvizje politike e popullore, që krijoi edhe mekanizmat e saj çlirimtarë.

Të gjitha dokumentet e kohës flasin se këto organizime lindën në mënyrë latente e spontane, pa ndonjë nxitje nga jashtë dhe u rritën e u zhvilluan në përputhje me rrethanat e kohës, falë edhe veprimtarisë të gjithanshme e luftës këmbëngulëse për një jetë më të mirë kombëtare e shoqërore. Lënia jashtë vëmendjes e problemeve më thelbësore që shqetësonin shqiptarët atëkohë, krijonin terren pjellor, prej të cilit lindën organizime ilegale, ku shumë prej tyre u dekonspiruan dhe u zbuluan me kalimin e kohës nga organet e rendit dhe të sigurisë së Jugosllavisë. E gjithë kjo rezultoi me një kosto shumë të lartë edhe për të gjithë federatën dhe të ardhmen e saj, që së fundmi çoi edhe në shkatërrimin e saj.

Ndërsa ngjarjet paralele në Poloni, të shprehura përmes organizimit sindikalist “Solidarność”, dëshmuan mangësitë sistemore dhe dështimin e barazisë shoqërore(me theks përfaqësimin e denjë të interesave të klasës punëtore), në ish-RSFJ demonstratat e shqiptarëve me kërkesat për barazi sociale, nacionale e politike në ish-federatë, të shprehura përmes lëvizjes së re politike për Republikë Shqiptare në kuadër të ish-Federatës, dëshmuan mangësinë demokratike dhe dështimin e sistemit shtetëror në fjalë edhe në rrafshin e barazisë nacionale e politike dhe vetëqeverisjen e proklamuar.

“…nëse barazia dhe republika nuk arrihen në rrugë e me mjete paqësore dhe nëse gjendja përshkallëzohet deri te lufta e armatosur, atëherë nuk ka kuptim bashkëjetesa në një shtet të tillë, siç është Jugosllavia dhe, në një rast të tillë, ne shqiptarët do të angazhohemi për jetësimin e aspiratës së kamotshme shqiptare: bashkimin kombëtar!” (Pjesë nga programi i aprovuar në mbledhjen konstituive të organizatës PKMLSHJ në verë të vitit 1978)

Rrugëtimi i suksesshëm i Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare
Bashkimi i 17 shkurtit 1982, i arritur mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare, përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshëm ideor, nuk rezultoi edhe me bashkim të mirëfilltë fizik në një strukturë të vetme organizative e vepruese, që në fazat fillestare koordinoheshin fare pak mes tyre. Lëvizja atdhetare e kohës vazhdoi ta zhvillojë veprimtarinë e saj fillimisht në dy, e më pas në së paku tri fraksione (grupe interesi politik), e që shoqërohej me fërkime e konflikte për dominim politik. Mjerisht, një bashkim i të gjitha rrymimeve nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik të viteve ’90 në hapësirat shqiptare, por përkundrazi, lëvizja jonë, gjatë rrugëtimit të saj, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesave të tjera të natyrës objektive, u përball pareshtur edhe me situata të luftës së brendshme imponuese e dominuese. Megjithatë, kjo lëvizje arriti të ruajë dhe të zhvillojë një vazhdimësi, e cila në fund rezultoi edhe me luftën e armatosur, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shpalljen e pavarësisë vetëm të Kosovës, si ish-Krahinë Autonome të ish-RSFJ-së, ndërsa viset e tjera shqiptare nën Republikat e Tjera Jugosllave mbetën edhe më tej të ndara e të shtypura.

Ky bashkim kaloi disa faza të caktuara konsolidimi, duke pasur edhe transformime të njëanshme emërtimesh nga LRSSHJ në LPRK/LPK, në përputhje me rrethanat zhvillimore dinamike, që mjerisht reduktuan kërkesat me karakter të emërtuar kombëtar në emërtim të imponuar administrativo-gjeografik.

Ky rrugëtim është përcjellë me prirje përvetësimi edhe të kërkesave programore, veprimeve të caktuara, deri edhe të veprimtareve e veprimtarëve (shokëve e shoqeve), për të cilët nuk është ditur publikisht përkatësia organizative. Ndaj nuk është për t’u çuditur me deformimet e caktuara aktuale dhe përdhosjen e vlerave nga individë e klane të caktuara, që në etapa të caktuara kanë arritur të dominojnë lëvizjen. Së fundi, edhe si pasojë e këtyre sjelljeve, si vjedhjeve, zaptimeve, plaçkitjeve e grabitjeve, thuajse ka zënë vend një mendësi, që përdhosja e vlerave kombëtare shoqërore, si edhe veprimet e shpronësimit, gllabërimit e shkatërrimit të pasurisë publike e shoqërore dhe arritjeve me mund që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri tashmë në Kosovë e më gjerë, është bërë si diçka “e zakonshme” dhe “normale”. Nuk duhen përjashtuar me këtë rast, edhe pengesat kryesore të shkaktuara nga infiltrimet dhe atakimet e tjera nga ana e armikut dhe e faktorëve të tjerë të interesit, deri edhe ndërkombëtarë. Megjithatë, mund të konstatojmë se deri më tani ne kemi vepruar e kaluar më mirë se lëvizjet e ngjashme, p.sh., sesa ajo kurde, tamile, baske, irlandeze etj., pasi ne kishim një shtet amë, i cili në mënyra të ndryshme jepte kontributin e vet të natyrshëm dhe të pamohueshëm.

Përkundër të gjitha vështirësive të njohura e të panjohura, lëvizja jonë atdhetare e shoqërore arriti të zhvillojë edhe luftën çlirimtare të drejtuar nga mekanizmi i saj, UÇK-ja, luftë kjo që u realizua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, identiteti, sovraniteti, integriteti dhe shtetësia e mirëfilltë e së cilës mbetet të konsolidohet si në kuptimin kombëtar, ashtu edhe shoqëror, bashkë me të gjithë mekanizmat e duhur që shtetin e bëjnë shtet. Edhe rrugëtimi i saj për shtetndërtim të mirëfilltë, krahas integrimeve shqiptare, europiane e ndërkombëtare, bashkë me zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e mekanizmave të kontrollit publik e shoqëror, mbetet një sfidë më vete. Përfshirja e të gjitha pasurive e resurseve të saj brenda vendit dhe veçanërisht në mërgatën shqiptare gjithandej nëpër botë (që ndërkohë është duke u bërë më transnacionale), në bashkëpunim të strukturuar mes institucioneve të shteteve përkatëse – duke ruajtur e zhvilluar arritjet pozitive ekzistuese që kanë krijuar brezat me shumë punë, mund, sakrificë e gjak – gjithashtu paraqet një sfidë emergjente aktuale për një të ardhme më të mirë për të gjithë.