Fjala dhe mendja që u bënë liri!
Nga Safet Sadiku
(Kushtuar Mr. Halil Alidemës)
Ai nuk ishte zë i rastit në erë,
por mendim që digjte prangat,
Halil Alidema emër i rëndë,
ishte i vrazhdë për armiqtë tanë!
emër i rrënjosur në themelet
e lirisë sonë kombëtare.
Në ’81-shin e zjarrit dhe gjakut,
kur Kosova kërkonte emër e dritë,
ai doli bashkë me Ukshin Hotin,
me kërkesën: Kosova Republikë!
Ata ishin udhëheqësit e studentëve
Ata s’i trembi as burgu, as frika.
Organizator i zërit të rinisë,
ideolog i një ëndrre që s’vdiq,
burgosur për mendim e dinjitet,
por kurrë i thyer, kurrë i fikur shpirtërisht.
Nga qelitë e errëta lindi ideja,
që më vonë u bë pushkë e UÇK-së,
se liria nuk bie nga qielli,
ajo fitohet me mendje, me gjak, me besë.
Sot, tridhjetë vjet pas ikjes së tij,
emri i Halil Alidemës rri zgjuar,
jo në gurë të ftohtë, por në histori,
në çdo hap ku Kosova ecën e lirë,
e armatosur me kujtesë e histori.



















