Libri «Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim» me tërë përmbajtjen e tij paraqet një dëshmi dokumetuese, që përmbush pos tjerash një detyrim karshi shokëve e bashkëveprimtarëve dhe njëkohësisht ndaj historisë sonë të re, pasi që askush nuk mund ta shpjegon te kaluarën atdhedashëse më mirë se përjetuesit dhe protagonistët e saj. Autori dhe kontribuuesit tjerë të librit i japin vulën e fuqishme gjithë monografisë kushtuar Skender Ibishit dhe Organizatës në të cilën ai ishte organizuar qysh në rini, me çka të gjithë bashkë nderojnë veten edhe epokën në të cilën kane jetuar e vepruar.
Fitim Fitimi*, më 31.03.2022, Neuhausen am Rheinfall, Zvicër
Posa përfundova së lexuari librin “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim” të dhuruar nga autori Osman Osmani. Leximi i të cilit shkakton emocione të ndryshme e të shumta, herë gëzimi e përmallimi, por edhe kujtime dhimbjeje. Gjatë të lexuarit përballemi edhe me kureshtje të përzierë me brengosje, se athua vallë autorit edhe përkundër mundit e përkushtimit a ka arritur qëllimin e dëshiruar.
Librin “Skender Ibishi – Liria nuk ka çmim” të autorit Osman Osmani e konsideroi si një punë të madhe dhe me shumë vlerë. Gjatë leximit të tij, kemi mundësi të mësojë shumë gjëra të reja që nuk kemi pasur mundësi ti dimë dhe gjithashtu ky libër na kujton edhe ato që në ndërkohë kemi mundur t’i harrojmë.
Libri në fjalë është dokumentues dhe ka shumë përmbajtje, me argumente bindëse, pa hiperbolizime, pa filozofime monotone, nuk shpërfaqë mendjemadhësi dhe nuk përmban fyerje e polemika të kota.
Ky libër, ndër të tjera, me përmbajtjen e tij nderon shumë shokë e bashkëveprimtarë, gjë që librin e bënë më me peshë. Në libër, me kontributet e tyre, janë përfshirë shumë njerëz, kryesisht veprimtarë të çështjes organizative atdhetare e çlirimtare, që ia shtojnë vlerën monografisë për Skënder Ibishin.
Vepra sie tillë e përjetëson të ndjerin Skender Ibishi, i cili tani na mungon vetëm fizikisht. Sie tillë ajo paraqet edhe një dhuratë me vlerë edhe për vet familjen e Skender Ibishit dhe gëzon edhe farefisin, miqtë, ne veçanti shokët e bashkëveprimtarët e tij të shumtë.
Në këtë libër ishte përfshirë edhe një kontributin imi si dëshmi përshkruese, fjalë e mbajtur me rastin e tubimit përkujtimor për protagonistin e librit, që paraqet një përshkrim dokumentues real e objektiv nga ana ime. Është për tu vlerësuar përcaktimi i autorit që të përfshijë kontribuues tjerë në librin e tij dhe të prezantojë ata me një biografi të shkurtër të shoqëruar me fotografi. Me këtë përfshirje e prezantim edhe ne të tjerët bëhemi pjesë kontribuuese të librit dhe kështu autori i librit e bënë një vepër të përbashkët shoqërore.
Unë jam i bindur se autori ka në plan librin e dytë të radhës dhe se atë do ta kryejë edhe më suksesshëm, sepse sa më shumë që shkruan njeriu, të shkruarit, thurja e fjalëve dhe radhitja e fjalive përsosët edhe më shumë.
Autorit për veprat e ardhshme do ti kisha sugjeruar që tani e tutje gjatë përshkrimit të ngjarjeve të ndjekë kronologjinë. Përvoja e bërë tanimë me ketë libër do të shmangë përsëritjet dhe ndonjë stërzgjatje të mundshme gjatë përshkrimit të ngjarjeve, me çka lexuesve ua bënë më të lehtë kuptimin e mesazheve të librit dhe thjeshtëzon besueshmërinë në ngjarjeve e përshkruara.
///
*Fitim Fitimi (Nysret Hajdari)
Veprimtari atdhetar Nysret Hajdari (tani zyrtarisht Fitim Fitimi) nga Tërpeza e komunës së Vitisë, njihet si pjesë e pandarë e të gjitha zhvillimeve politike, nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e mbetur nën sundimin serbo-maqedonas-malazez.
Nga viti 1969 e deri në fund të vitit 1985, Nysret Hajdari, si edhe shumë shqiptarë të tjerë, ka emigruar në Gjermani, ku ndërkohë ka vazhduar arsimimin e tij pa shkëputje nga puna, duke përfunduar shkollën profesionale si teknik i ndërtimtarisë. Që nga fundi i vitit 1979 e deri në fillim të vitit 1982, bashkëvepron me grupimin politik të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, kurse nga gjysma e vitit 1982 deri në vitin 1985 bashkëvepron në kuadër të lëvizjes së re politike të kohës me grupimin e Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit e Faton Topallit. Nysret Hajdari arrestohet nga organet jugosllave në janar 1986 dhe dënohet me 4 vite burg, kurse me 3 vite burg dënohet djali i tij, Skënderi, i cili në vitin 1993 arrestohet dhe dënohet për herë të dytë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Nysreti (Fitimi) vazhdon më tej veprimtarinë e tij atdhetare e çlirimtare, fillimisht me UNIKOMB-in e drejtuar nga Mr. Halil Alidema dhe Dr. Ukshin Hoti, dhe që nga fillimi i saj në mbështetje të UÇK-së.
Në vegën vijues mund të lexoni edhe fjalën e Fitim Fitimit mbajtur në tubimin përkujtimor me 3 nëntor 2018 në Schaffhausen të Zvicrës: https://prointegra.ch/skender-ibishi-emr-i-pavdekshm-i-shqiptaris/





















