Ese politike; Shkëputur nga romani në dorshkrim“Diplomacia e shterrur”
Fisnikëria e sjelljeve si themel i kulturës politike dhe zhvillimit shtetëror
Nga Safet Sadiku
Fisnikëria nuk është thjesht një tipar personal i disa njerëzve të rrallë. Ajo është një mënyrë e të menduarit dhe vepruarit që i jep njeriut dinjitet, peshë morale dhe ndjenjë përgjegjësie përtej interesit vetjak. Në jetën politike dhe publike, fisnikëria është shumë më tepër se sa mirësjellja: është vetë themeli i etikës në qeverisje, në përfaqësim dhe në marrëdhënien me qytetarin. Nëse në profesionet e tjera fisnikëria ndihmon në ndërtimin e besimit dhe respektit ndërpersonal, në politikë ajo është domosdoshmëri. Një politikan pa fisnikëri është si një drejtues autobusi pa drejtim, i cili mund të lëvizë, por nuk e di ku po shkon, nuk njeh destinacionin dhe nuk kujdeset për pasagjerët që ka në përgjegjësi. Pa ndjeshmëri njerëzore, pa kulturë sjelljeje dhe pa dinjitet moral, politika rrëshqet lehtësisht në arrogancë, harbutëri dhe përçmim ndaj qytetarit.
Ata që sillen me harbutëri në politikë nuk janë thjesht të pasjellshëm, por janë të rrezikshëm për rendin demokratik, sepse nuk kuptojnë se pushteti është shërbim, jo përfitim. Njeriu i pashpirt dhe i pakulturuar nuk mund të ndërtojë drejtësi, barazi e as dinjitet kolektiv. Në të vërtetë, pa kulturë njerëzore nuk mund të ketë as kulturë shtetërore. Zhvillimi institucional nuk është fryt vetëm i ligjeve dhe mekanizmave formalë, por mbi të gjitha i shpirtit etik të atyre që i drejtojnë institucionet. Shteti është pasqyra e udhëheqësve të tij. Kur sjelljet janë fisnike, edhe shteti ngjason me qytetërim; kur janë të egra, shteti degradohet në primitivizëm. Fisnikëria nuk e bën politikanin të dobët. Përkundrazi, e bën të fortë në mënyrën më të pastër, sepse ai vepron jo nga frika apo interesi, por nga ndërgjegjja. E bën të qëndrojë i drejtë edhe kur është i vetëm dhe të dëgjojë kur të tjerët bërtasin. Për një shoqëri që aspiron demokraci të vërtetë dhe dinjitet kombëtar, fisnikëria e udhëheqësve nuk është luks, por nevojë ekzistenciale. Sepse në fund, nuk janë vetëm programet që ndryshojnë fatin e një populli, por cilësia morale dhe etika në punë e atyre që i zbatojnë ato.
Disfatizmi politik në skenën institucionale të Kosovës
Pas 13 herësh të mbledhur dhe pas shumë përpjekjesh për t’u votuar Kryetari i Kuvendi të Kosovës, kjo gjë mjerisht ende nuk ka ndodhur. Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet e të zgjedhë Kryetarin e tij. Kjo situatë përfaqëson një disfatë të rëndë institucionale dhe një mjerim politik të paprecedent. Në vend që të mbizotërojë vullneti për bashkëpunim dhe ndërtim institucionesh funksionale, dominojnë interesat e ngushta partiake dhe hakmarrjet politike. Ky bllokim e dëmton jo vetëm funksionimin e shtetit, por edhe besimin e qytetarëve në demokracinë dhe përfaqësimin politik. Kuvendi nuk është thjesht një sallë debati, por zemra e demokracisë. Kur ai bllokohet, paralizohet zhvillimi institucional, social dhe ekonomik i vendit. Në një shtet të ri si Kosova, ku çdo institucion është ndërtuar me shumë mund, djersë dhe gjak, kjo bllokadë është më shumë se dështim politik, por është edhe përbuzje ndaj sakrificës së dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ata nuk sakrifikuan që partitë të përdorin institucionet si mjete shantazhi apo betejash personale. Ata dhanë jetën për një shtet funksional, demokratik dhe të drejtë. Kuvendi është zemra e sovranitetit popullor, por ende nuk po arrin të funksionojë! Kjo i bie që i gjithë sistemi shtetëror ndodhet në paralizë. Nuk ka politika publike, nuk ka zhvillim, nuk ka reforma, nuk ka përfaqësim. Dhe mbi të gjitha, humbet besimi i qytetarit në politikë dhe në shtet, një humbje shumë më e vështirë për t’u rikuperuar se çdo krizë politike. Kjo bllokadë duhet të jetë thirrje alarmi për të gjithë aktorët politikë sepse liria nuk është privilegj për të sunduar, por përgjegjësi për të shërbyer. Vetëm përmes dialogut, kompromisit të ndershëm dhe përkushtimit ndaj interesit të përbashkët mund të nderohet trashëgimia e atyre që luftuan për këtë shtet.
Rekomandime për kapërcimin e krizës institucionale:
1) Dialog i strukturuar ndërpartiak: Duhet të krijohet një tryezë e përhershme ndërpartiake, e lehtësuar nga figura neutrale kombëtare ose ndërkombëtare, ku palët vendosin rregulla të përbashkëta loje, larg emocioneve dhe hakmarrjes politike. Pa komunikim të sinqertë, nuk ka zgjidhje.
2) Deklaratë për përgjegjësi politike: Udhëheqësit e partive duhet të japin një deklaratë të përbashkët për angazhim në funksionalizimin e institucioneve, duke pranuar përgjegjësinë për bllokimin dhe duke u zotuar për hapa konkretë.
3) Angazhimi i shoqërisë civile dhe mediave: Shoqëria civile, organizatat studentore dhe mediat duhet të ushtrojnë presion të vazhdueshëm publik për hapjen e institucioneve dhe ndëshkimin moral të bllokuesve të proceseve demokratike. Heshtja ende po nxit krizën.
4) Përdorimi i mjeteve kushtetuese: Në rast të vazhdimit të bllokadës, Presidentja e Republikës duhet të veprojë brenda kompetencave të saj, duke kërkuar zgjidhje përmes konsultimeve ose, nëse është e nevojshme, duke iniciuar zgjedhje të reja.
5) Arsimimi politik dhe reforma zgjedhore: Në plan afatgjatë, Kosova ka nevojë për një reformë zgjedhore që ndalon manipulimin e mandateve dhe bllokimin institucional për interesa të ngushta. Po ashtu, duhet investuar në arsimimin politik të brezave të rinj për të ndërtuar një kulturë politike demokratike dhe të përgjegjshme.