Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha 2021”-Malësi e Madhe- në gusht

 

SHKA “Rapsha” njofton ansamblet dhe grupet artistike simotra se sivjet organizon edicionin e gjashtë të Festivalit Mbarëkombëtar tëFolklorit “Rapsha 2021” – Malësi e Madhe. Sipas programit të kësaj shoqërie, festivali do të mbahet me datat 20, 21 dhe 22 gusht 2021 në skenën e hapur në Vitojë. Kryetari i shoqërisë, David M. Junçaj, na njoftoi se pjesëmarrëse në Festival do të jenë grupe, SHKA dhe ansamble folklorike kombëtare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, përfshirë edhe ato nga diaspora dhe se për ndryshimet eventuale,si shkak i masave në fuqi kundër pandemisë COVID-19, opinioni do të njoftohet me kohë.

 Nga Rexhep Rifati

Disa rreshta per historikun dhe aktivitetin e SHKA “Rapsha” nga Drume e Hotit, e themeluar në vitin 1978 në Malësi të Madhe. Do theksuar se ky ansambël që shquhet jo vetëm për këngë, valle e kostume origjinale ( edhe si trashëgimtare e denjë xhubletës mijëvjeçare), por edhe për organizime kulturore me dimensione kombëtare.

Nga pjesëmarrja ime në festivalin e kaluar, në skenën e hapur Vitojë të Tuzit, që tuboi 25 grupe nga gjitha  trojet shqiptare, mbajtur nga data 18- 20 Gusht 2017, që i përkiste edicionit të pestë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha 2017”, pa ta rastin të shoh një organizim të mrekullueshëm që bënë “Rapsha” edhe si grup artistik e edhe si mikpritës e nikoqir.

Ndaj edhe uroj që të krijohen parakushte që edhe festivali i sivjetmë të ketë sa më shumë sukses, me dëshirën që edhe ambienti shëndetësor të jetë në favor të këtij manifestimi. Me shpresë  që kjo një ngjarje e planifikuar me peshë sa etno-kulturore aq edhe kombëtare, që përshkohet edhe me organizimin tradicional të një defileu të grupeve të shumta pjesëmarrëse si dhe paraqitjes në skenë të haptë për tri net të  grupeve të shumta që përmes këngëve, valleve dhe kostumeve përplot shije e kolorit të dëshmohet edhe njëherë se arti popullor në mjaft mese tona dhe mërgatë po ruhet e kultivohet me shumë mund e dashuri dhe në veçanti zemër e në shpirt të malësorëve të këtushëm që përgjatë shekujve në rrethana shumë sfiduese arritën ti ruajnë e avancojnë ritet dhe zakonet e të parëve.

Përndryshe, Shoqëria “Rapsha”, shquhet për një organizim të shkëlqyer, me një kryesi thuaja se përherë shembullore, e që rreth vetes ka një trup artistike, që ku do që është paraqit në festivale, qoftë në rrafshin rajonal, republikan apo edhe ndërkombëtar, ka shndritë dhe fituar jo vetëm mirënjohje por edhe admirim e respekt, falë artit që kultivon tash e dyzet vite. Madje edhe vet “Rapsha” për të 5-tën herë, në Vitojë, është organizatore e këtij festivali madhështor, me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë prej disa mijëra vetave dhe dhjetëra grupeve artistike nga mbarë trojet etnike.

Ndaj edhe nga pozita e një kroniku që viteve të fundit kam përcjell në hap “Rapshën” si në Malësi ashtu edhe gjatë turneut në Kalabri, si dhe Redaksia e portalit tonë prointegra.ch i urojmë një festival sa më të suksesshëm me dëshirën që te jemi edhe pjesëmarrës për të raportuar nga ky aktivitet kulturor mbarë kombëtar.