Festivali Folklorik Kombëtar “Gjirokasta 2020”, mbahet në shtator

216

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, manifestimi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë shpirtërore, sivjet do të zhvillohet në muajin shtator 2020, në Kalanë e Gjirokastrës. Ky festival, përndryshe është shembull i shpirtit krijues të shqiptarëve dhe vitalitetit , i aftë për t’u ringritur pas çdo vështirësie, thuhet në faqen zyrtare të këtij festivali, me zanafillë që nga viti 1978

Përshkrim i përgjithshëm i festivalit

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një festival artistik që zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambjentet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.

Qëllimi i festivalit

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe Qarkun e Gjirokastrës. FFKGJ synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti. FFK i Gjirokastrës përcjell në publikun e gjerë kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare. FFK evidenton vlerat e qytetit të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, në kuadër të nxitjes së turizmit kulturor, dhe shtimin e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumentet e trashëgimisë sonë kulturore duke e kthyer qytetin e Gjirokastrës në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor në rajon.

Përse zhvillohet konkursi

Qëllimi i konkursit të është të zgjedhë dizajnin e logos më të mirë me të cilën do të prezantohet festivali i këtij viti. Nisur nga vlerat e mirëfillta artistike të veprës “Shqipëria vallëzon”, e autorit Abdurrahim Buza, dhe për historikun e saj, e cila ka qenë pjesë e traditës  përfaqësuese së imazhit të këtij festivali në vite, (1978-1988 dhe 2015), është në nderin e Ministrisë së Kulturës dhe gjithë publikut mbarëshqiptar që edhe për vitin 2020, përdorimi i imazhit të kësaj vepre, të jetë pjesë e Logo-s identifikuese të këtij festivali, i parë në një këndvështrim stilistik ndryshe.

Do theksuar se krahas trupave artistike nga trojet etnike në këtë festival marrin pjesë edhe artistë e grupe nga mërgata, ndër ta siç kam mësuar deri tash edhe nga Zvicra.