Për tri netër resht publiku artdashës i mërgatës shqiptare në Zvicër përmes festivalit “Tri Net Film Fest” të mbajtur në kinemanë Pathé në Spreitenbach, me organizimin e trupës teatrore “Aktrimi”, në mbështetje të Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Republikës së Kosovës e ndihmuar edhe nga sponsor të firmave shqiptare këtu në mërgatë, përmbylli me shumë sukses misionin e tij sa artistik aq edhe bashkëpunues e kolegjial mes trupave të artit skenik e filmik në relacionin trojet etnike- mërgatë.
Nga Rexhep Rifati
Edicioni i tretë i filmave të shkurtër e dokumentar nën moton : “Tri Net Film Fest” mbajtur në Spreitenbach të Zvicrës, jo larg Cyrihut u përmbyll mbrëm me shumë sukses me shfaqjen e tre filmave: “𝗖𝗿𝗮𝘇𝘆 𝗟𝗼𝘃𝗲” – Izer Aliu; “𝗧𝗵𝗶𝗿𝗿𝗷𝗮” – Mirak Zymberaj dhe “𝗜 𝗽𝗮𝗯𝗲𝘀𝗶” – Musa Isufi, falë edhe një pjesëmarrje më të madhe të publikut artdashës i cili në fund të programit përshëndeti me duartrokitje por edhe ndarjen e mirënjohjeve regjisorët, aktorët dhe sponsorët që i dhanë frymë e jetë edhe këtij edicioni të tretë. Dhe jo vetëm kaq , sepse ajo ishte karakteristike për këtë manifestim, për ndryshim nga shumë ngjarje kulturore, që janë me bollëk këtu në mërgatën shqiptare në Zvicër, ishte atmosfera, ngrohtësia dhe afërsia e miqësia, çka u dëshmua edhe një herë se asnjë fushë e jetës nuk arrin të ia kaloj artit dhe dashurisë që kultivojnë njerëzit për te. U pa edhe njëherë se sa na kanë munguar kontaktet dhe bashkëpunimi i kësaj natyre mes njerëzve të vullnetit të mirë atyre që e bëjnë artin, respektivisht filmin këtij zhanri arti shumë të kushtueshëm , por që aktorët, skenaristët e regjisorët vullnet mirë, siç ishin të gjithë ata që i bënë dhe i sollën këta filma duke pas edhe shumë vështirësi jo vetëm financiare por edhe pasoja të natyrës politike, sidomos për filmat e realizuar në Luginën e Preshevës siç ishte rasti me filmin “I pabesi”. Ndaj edhe një përkushtim më i madh institucional është më se domosdoshëm. Ndonëse sa i përket pjesëmarrjes së përfaqësuesve konsullor e diplomatik nga trija shtete: Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ata nuk munguan kësaj radhe dhe shpresojmë për një përkrahje edhe më të madhe dhe për kineastët tanë qoftë në trojet etnike apo mërgatë.
Me këtë rast shkëputa një vlerësim të shefit të shërbimit konsullor në Konsullatën e Cyrihut, Z. Vigan Berisha i cili organizoi edhe një pritje për organizatorët dhe pjesëmarrësit e ardhur nga Kosova e më gjerë i cili ndër të tjera thotë se:
Tri Net Film Fest 2024, organizuar në kinemanë Pathé në Spreitenbach, ishte një përvojë që theu kufijtë e zakonshëm të një aktiviteti të shfaqjes së filmave të shkurtër. Përmes këtyre filmave të përzgjedhur me kujdes nga regjisori i njohur Ben Apolloni, ky edicion i tretë ishte një ndërthurje e ndjenjave, kulturës dhe historisë shqiptare, duke na dhënë të gjithëve një shans të rijetojmë momente të thella të identitetit tonë përmes ekranit.
Me një program të pasur që përfshinte 10 filma të shkurtër dhe një dokumentar, festivali e ktheu kinemanë në një urë që lidh brezat dhe kujtimet tona kolektive. Filmat ofruan pasqyrime të ndryshme – nga dashuria e çmendur dhe lufta për liri te kujtimi dhe qëndresa – duke reflektuar jo vetëm jetën e përditshme, por edhe sfidat, ëndrrat dhe sakrificat që përbëjnë shpirtin shqiptar.
Ky festival ishte më shumë se një ngjarje kulturore; ishte një takim ku mërgata shqiptare u bashkua përmes artit, një moment krenarie që rikujtonte se kinemaja shqiptare ka zërin e saj unik në arenën ndërkombëtare. Falë bashkëorganizimit të Studios Aktrimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, nën kujdesin e Benit, Tri Net Film Fest tregoi edhe një herë fuqinë e kulturës sonë për të ndikuar, për të lidhur dhe për të ndriçuar rrugën tonë në të gjithë botën.
Me të përfunduar të kësaj ngjarje kulturore filmike, regjisori dhe përzgjedhësi i filmave për këtë festival, Ben Apolloni, u shprehi mirënjohje regjisorëve apo autorëve dhe aktorëve të filmave siç janë: Mentor Zymberaj, Arjola Demiri, Sabri Pajaziti, Burim Haliti dhe Gani Veseli, që lanë obligimet tjera dhe ishin pjesëmarrës aktiv në këtë eveniment. Ben Apolloni pase i shprehi një mirënjohje trupës së “Aktrimit” në cilësinë e nikoqirit e organizatorit, shprehu dëshirën që edicioni katërt të jetë edhe më me më shumë filma e me më shumë pjesëmarrje të publikut.
Kësaj radhe çka do që do shkruaja për organizatorët e Studio “Aktrimit” do të ishte pak, ndaj edhe i rezervoj vetës edhe një shkrim e falënderim të veçantë, sepse ata u treguan se jo vetëm në skenë por edhe në organizim din të jenë të shkëlqyeshëm.
Mirupafshim në edicionin e radhës !