Familje elbasanase Deliana i fali Tetovës e Kërçovës mësues e mësuese (27)

 

Për zgjatjen e këtij fejtoni, kontribuuan disa miq, dashamirë të shkollës shqipe, që ofruan njoftime se në vitet e `40-ta në mesin e qindra mësuesve pati edhe familje që dha nga dy mësues, siç është rasti me Derën e famshme Deliana nga Elbasani që dha vëlla e motër: Nosin që shërbeu në rrethin e Tetovës dhe Afërditën në atë të Kërçovës.-  Po kjo derë dha edhe ministrin e shquar të arsimit Thoma Deliana

Përgatiti Rexhep Rifati  

Në vazhdën e shkrimeve kushtuar mësuesve të viteve 1941-45 në Shqipërinë etnike, pjesa më e madhe e tyre kishin kryer Normalen e Elbasanit, ndaj edhe Elbasani konsiderohet vatra kryesore prej nga mbuloheshin prefekturat me kuadro shkollore.  Sipas historianit dhe publicistit elbasanas Arben Llalla, vetëm: “Në qytetet Tetovë, Gostivar, Kërçovë, të cilët ishin përfshirë në Prefekturën e Dibrës dhanë mësim rreth 95 mësues që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit, 34 prej tyre ishin elbasanas. Disa nga mësuesit që dhanë mësim në trojet e Shqipërisë Etnike ishin: Islam Hoxha, Dalip Zejneli, Enver Palluqi, Skënder Hoxha, Skënder Tupe, Qamil Skuqi, Tomorr Starova, Todi Dhamo, Nexhip Minarolli, Afërdita Gjylabi, Alipi Pajuni, Alush Balteza, Antoneta Gjylabi, Bexhet Hoxholli, Dede Shala, Myfit Synojmeri, Edip Tërshana, Elena Todi, Josif Todi, Enrieta Panduku, Faik Pajuni, Gani Daiu, Gjergj Bullati, Hamit Pitja, Hasan Belshaku, Hysen Pajenga, Jonuz Balla, Liri Topalli, Nos Topalli, Mexhit Bekteshi, Mirtezan Katzadei, Marika Shala, Mahmud Torro, Marije Dashi, Nos Deliana, Afërdita Deliana, Pandi Treska, Xhaferr Narazani, Pjetër Janura, Qemal Agolli, Enver Agolli, Hasan Preka, Gani Jaja, Vangjel Daka, Jorgji Shuteriqi, Vasil Papajani, Thoma Kalefi, Fatbardha Çaushi, Spiro Gjini, Ruzhdi Guranjaku, Vasil Andoni, Dhimitër Fullani, Violeta Monçi, Afërdita Monçi e plot të tjerë.

Por ajo në të cilin do të përqendrohem këtu, në vazhdimin e 26 të fejtonit, ka të bëjë me kontributin e madh të familjen Deliana nga Elbasani, e cila pos ministrit të arsimit, Thoma Deliana dha edhe dy mësues nga gjiri i saj për Prefekturën e Dibrës, gjegjësisht: një mësues për Tetovë dhe një mësuese për Kërçovë.

Ndërsa që, që më parë kisha shkruar për tri mësuese, që nga Shqipëria shkuan në Kosovë, por në saje të një fotoje që na e dërgoj kryetarja e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare”, arrita të mësojm se në atë periudhë edhe mësuesja Afërdita Deliana ishte dërguar me misionin e mësueses në Kërçovë, siç tregon një foto e saj pranë një busti të Skënderbeut në Kërçovë.

Në gjurmim të këtij njoftimi mësova se edhe një anëtar i familjes Deliana ka punuar në një fshat të Tetovës, gjegjësisht Nos Deliana i cili ka dhënë mësim në Shkollën fillore “Oso Kuka” në fshatin Kamjan të Tetovës, duke zëvendësuar mësuesin e parë në këtë shkollë shqipe, Llazar Stefin. Përmes një shkrimi të shkurtër të dhënë në internet m¨sova se në vitin shkollor 1942/43 shkolla fillore e Kamjanit i kishte gjithsej 99 nxënës, pa asnjë vajzë.

Më vonë mësojmë edhe për arritjet e këtyre dy mësuesve, pa ditur saktësisht a ishin vëlla e motër se: “ Nos Deliana , ish drejtor i Institutit të Perfeksionimit të Arsimtarëve, ndërsa, Afërdita pedagoge e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Thoma Deliana Ministër Arsimit” shkruan Portali i Arkivit Digjital të Elbasanit, i cili jep shënime me shumë peshë e vlerë për shumë familje elbasanase duke i ilustruar edhe me fotografi një nga të cilat, për familjen Deliana e huazuam.  për këtë shkrim

Ja edhe pak të dhëna nga një shkrim me autor Rexhep Hida e Nikolla Sudar, për familjen Deliana: “ Të lësh gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit, këtë do ta dëshironte cilido që mendon dhe punon për të dhe për atdheun. I tillë ishte dhe do të mbetet përherë humanisti i shquar, personaliteti i madh i arsimit, i kulturës dhe sportit shqiptar, ministri më i suksesshëm në tërë historinë moderne të Shqipërisë, mendjendrituri Thoma Deliana.

Thomai u lind në Elbasan, më 20 shkurt 1924, në një familje të thjeshtë, por me emër në qytet. I pari i tyre, Ndrek Deliana kishte ngritur strehën e vet në lagjen “Kala”. Ndreka kishte gjashtë fëmijë e midis tyre do të evidentohej Thomai, njëri nga argjendarët më në zë të qytetit. Ky kishte djalë Mihalin, i cili rriti dhe edukoi me virtyte të larta Nosin, që më vonë u bë drejtor i Institutit të Kualifikimit të Mësuesve; Afërditën, pedagoge në fakultet dhe veprimtarin e rrallë e me të kaluar të ndritur, ish- ministrin e Arsimit, të dënuar nga diktatura, Thoma Deliana”.