Fallkunara arbëreshe, që ruan ende të gjallë gjuhën, ritet dhe zakonet

Në vazhdën e prezantimeve të katundeve arbëreshe kësaj të hëne portali ynë prointegra.ch ju njofton me qytezën arbëreshe Fallkunarë(Italisht: Falconara Albanese), që është edhe një komunë në Provincën e Kozencës së Rajonit të Kalabrisë në Itali, në afërsi të Shën Benediktit. .- E themeluar në vitin 1517 nga mërgimtarët shqiptarë që mbërritën në Kalabri.- Në autostradën Salerno-Rexho Kalabria, menjëherë sapo kalon Paola-n (qytezë kalabreze), tabelat rrugore të japin drejtimin për në Falconara e në udhëkryqin e parë drejt saj gjen të shkruar në shqip Fallkunarë, që në mbrendi ka edhe një muze etnografik

Nga Rexhep Rifati

Për Fallkunarën mund të thuhet se është një qytezë në provincën e Cosenza, në Kalabri, që përfshin edhe fshatrat e Torremezzo, që në vitin 2017, sipas një regjistrimi kishte 1450 banorë, e që në pikëpamje gjeografike qëndron në një mjedis malor në 634 metra mbi nivelin e detit dhe me pamje nga deti Tirren, në kufi me komunat e Cerisano, Fiumefreddo Bruzio, Marano Principato, San Lucido. Siç mësohe, pas rënies së Krujës në 1478 dhe të Shkodrës një vit më vonë, pati një eksod të mëtejshëm të shqiptarëve në mbretërinë e Napolit, kur edhe refugjatët nga Kruja dhe Shkodra shkuan për tu vendosur në Basilicata dhe Kalabria. Ishte kjo periudha që mendohet se po në këtë kohë që shqiptarët erdhën në Falconara Albanese.

Karakteristike nga pikëpamja e peizazhit, është e ashtuquajtura Castelluccio, ku mund të ngjitesh nëpërmjet shkallëve të ngushta, mbi të cilën qëndron kryqi, i dukshëm nga fshati. Ndaj edhe në Kalabrinë e brigjeve të Tirrenit, vlerësohetse qyteza më e njohur dhe më e rëndësishme e “gjegëve” të zonës është pikërisht Fallkunara apo Falconara Albanese. Për të arrit deri në këtë vendbanim, shfrytëzohet autostrada Salerno-Rexho Kalabria, menjëherë sapo kalon Paola-n (qytezë kalabreze), ku tabela rrugore të jep drejtimin për në Falconara e në udhëkryqin e parë drejt saj gjen të shkruar në shqip Fallkunarë.

Mali përballë është guida drejt “gjegëve” të Tirrenit. Kthesat janë aq të shumta, rruga e ngushtë e shtruar mirë, tek-tuk ndonjë makinë, e sy brenda tyre që të shikojnë kuriozisht deri sa humbet pas anës së malit. Herë majtas, herë djathtas, gjithnjë e në ngjitje duke shpresuar që përballë të shfaqet Fallkonara. Asnjë shtëpi nuk ndesh buzë rrugës, veç nga një anë pyje e nga ana tjetër një masë e pafundme deti e qielli, lidhur në një ngjyrë unike që të lë pa frymë nga bukuria.

Gjendesh gjithnjë e më lart duke iu larguar detit e duke përshkruar malin rreth e qark. Kur mbërrin pothuajse në majë të tij, 700 metra mbi nivelin e detit e krejtësisht në anën e kundërt të asaj pjese që më parë shihte në horizont Tirrenin, shfaqet Fallkunara.

Mësojmë se banorët e parë të Fallkunarës ishin shtatë familje shqiptare të ardhur nga Kruja e Shkodra e që quheshin: Musacchio, (pa dyshin Muzaka në shqip), Candreva, Manes, Staffa, Fionda, Scuragreco e Ioschi. Familjet Musacchio, Scuragreco e Ioschi janë zhdukur e veç nga kjo e fundit ka mbetur toponimi i një përroi në rrethinat e Fallkonarës i quajtur “Përroi Josh”.

Legjenda popullore që arbëreshët kanë ruajtur e që i tregojnë çdokujt që i pyet se s’dinë mbi historinë e vendndodhjes së banorëve të parë në këtë tokë, thotë se brigjet e deti Jon qenë destinacion i këtyre shtatë familjeve të larguara nga Shqipëria për t’i shpëtuar pushtuesve turk. Bregdeti jonik për afërsinë territoriale e lidhjet miqësore midis dy popujve duhej të ishte vendqëndrimi i kërkuar nga ata. Të gjendur në det, stuhia e fortë e një nate i shtyn në ngushticën e Messinës duke i detyruar të ndërrojnë drejtim. Vazhduan udhëtimin duke mos iu larguar bregdetit në kërkim të një toke të sigurt për ti mirëpritur. Ndaluan në afërsitë e Fiumefreddo Bruzzio-s, pronë e princit Girolamo Sanseverino, i cili i priti mjaft mirë duke i caktuar një territor banimi të quajtur “Campo”.

Në këtë pikë legjenda merr disa versione: ai më popullori thotë se një ditë prej ditësh shtatë familjet shikojnë së largmi në det anije turke që i afroheshin brigjeve. Braktisin gjithçka duke iu ngjitur malit gjithnjë e më larg detit. Versioni tjetër thotë se shtatë familjet u përzunë nga banorët e Fiumefreddo-s, të frikësuar nga sulmet e piratëve turk, e nga diferencat gjuhësore, fetare e zakonore. Një tjetër akoma tregon se qenë vetë arbëreshët e ardhur që u larguan nga mikpritja e princit Sanseverino, në kërkim të tokave më pjellore për kultivim.

“Gjegët” janë arbëreshët e Kalabrisë Tirrenike, prej shekujsh popullojnë territore në këtë zonë, duke shënuar fatkeqësisht humbjen e rëndësisë së tyre si minorancë etnike. Disa prej qytezave janë asimiluar me popullsinë autoktone, disa të tjera kanë pasur fatin e shumë fshatrave kalabrezë me një popullsi gjithnjë në pakësim, për shkak të emigrimit të kushtëzuara nga një ekonomi e orientuar veç në blegtori. Po të gjendesh në anën tjetër të Kalabrisë, në atë që laget nga brigjet e detit Jon, realiteti është krejt ndryshe, qytezat arbëreshë janë të shumta, të lidhura mes tyre e më një rol të respektueshëm në jetën sociale-ekonomike të territorit.

Fallkunara ka shumë rrugica të ngushta, që lidhin mes tyre shtëpi e ndërtesa publike. Duke i përshkruar ato habitesh kur ndeshesh me makina që xhirojnë lirshëm në këto hapësira e që më shumë qetësi presin sa ti të s’postoheshin në ndonjë kthinë porte për t’i lejuar kalimin. Nga rrugët e qytezës, më kryesoret janë: rruga “Jeronim De Rada”, rruga “Felice Staffa”, shkrimtar e poet falkonar, rruga “Nënë Tereza” e sheshi “Skanderbeg”.

I ndodhur në sheshin “Skanderbeg” me kokën e ngritur lart mund të admirosh në distancë një nga pamjet më të bukura të Fallkunarës. Quhet “Castellucio”, vendi piktoresk që çdo banor në shesh të fton ta vizitosh. Është një masë gjigande shkëmbi i lartë 50 metra, pak i përkulur para, që i ngjan një kulle shkëmbi të mbirë nga toka. Nuk është një ndërtim i epokës mesjetare, siç mund të mendosh në vështrim të parë, nuk ka as urë e as kullë brenda tij, është një krijim i natyrës veshur nga të gjitha anët me gjelbërimin e bimëve të zonës. Për t’u ngjitur deri aty mjaftojnë 127 shkallë guri e në pikën e tij më të lartë është vendosur një kryq i madh çimentoje. Pak shkallë poshtë kryqit ndodhet një kishë e vogël “Madona dell’ Assunta” e ndërtuar më 1544, e pranë saj një hark me formën e një kulle ofron përballë dy kambana, që në një anë të tyre shënojnë datën 1757.

 

Arbër Agalliu, që ka vizitua këtë lokalitet arbëresh shkruan se: “Falconara Albanese, e quajtur nga banorët e saj arbëreshë Fallkurana në gjuhën e lashtë arbërishte, është qyteti i vetëm i pakicës gjuhësore shqiptare që ndodhet në anën e Tirrenit, afër qytetit të Paola, në provincën e Kozencës.

E themeluar në vitin 1517 nga mërgimtarët shqiptarë që mbërritën në Kalabri, Falconara ruan ende gjallë gjuhën, përdorimet dhe zakonet edhe sot, përveç ritit grek-bizantin.

Unë pata kënaqësinë jo vetëm të vizitoja këtë margaritar të Arbërisë, por ta kisha shëtitur atë shumë larg së bashku me Angelo Matrangolo, një doktor i vërtetë ciceroni dhe arbëresh.

Duke filluar nga Piazza Scanderbeg, arritëm në kryqin Castelluccio, i vendosur në rrethin Kurtina, në një lartësi prej rreth 50 metrash, duke kaluar rrugicat e ngushta që karakterizojnë të gjithë qytetin.

“Moj e bukura Fallkunarë”