Facebook-u, ditëlindja e tezës dhe Rusia

Agron M. Çuni

Tezakja mërgimtare nga Zvicra, me mall kishte postuar në Facebook një foto të nënës së saj, kur ajo ishte më e re dhe kishte shkruar disa rreshta dedikim me një zemër në fund. Ç’është e vërteta, zemra (emoji) në fund të shkrimit, dhe duke e ditur se s’ishte 8 Marsi, ma dha përshtypjen edhe mua se ajo mund ta kishte datëlindjen. Kështu jemi mësuar. Ne që nënat ende i kemi gjallë, postime për to bëjmë veç për 8 Mars dhe për datëlindje. Kurse, të tjerët, që nënat u kanë vdekur, edhe më rrallë – në ndonjë përvjetor mortor.

Sidoqoftë, një koment e shkrova me fjalë miradie për tezen time. Të gjithë e dimë se Facebook-u t’i sjell disa njoftime, sa herë të tjerët komentojnë në statusin ku ka komentuar përdoruesi. Kështu edhe mua. Ngaqë ishte e shtunë dhe koha ishte pak si me tepri, i hapa njoftimet dhe, pashë se tash motra ime nga Gjermania e kishte bërë një koment të gjatë.

Vërtet, ky koment binte në sy. Përveç se ishte goxha i gjatë, ishte i mbushur me simbole të ndryshëm, me zemra, plotë të puthura dhe tortë. Por, e kishte edhe urimin “edhe 100 vjet tete!” Gjithë kjo pa e pasur datëlindjen tezja ime, e cila me shumë gjasa nuk i do datëlindjet duke e ditur se mosha e shtyrë frikësohet nga ikja e viteve.

Huh! Çka të shohësh më pas?! Vërshim komentesh, lumë. Për pak minuta numri i komenteve në statusin e tezakes sime nga Zvicra, e cila kishte postuar thjesht nga malli një foto të nënës së saj/tezes sime, ishte mbi 100. Të gjithë këta u koritën duke ia uruar datëlindjen tezes sime për fajin e gabimit të motrës. Kunatat e tezes, fqinjët, dajat e mi/vëllezërit e tezes. Shumë, shumë njerëz. Çfarë respekti virtual?! I mahnitshëm!

Dy orë pas postimit, duke u frikësuar se ishte koritur me nënën e tij, djali i vetëm i tezes sime i ra ziles së banesës së prindërve të vet me tortë para duarsh. Me të hapur derën, tezes sime i dolën nipi dhe mbesa para me këngën “Happy birthday to you, gjyshe!”. E gjora gjyshe, mendoi se e kishte harruar datëlindjen e saj! I përqafoi nipin e mbesën dhe, pavarësisht se nuk e kishte datëlindjen, tortën e hëngrën. Madje, edhe mua më ra një hise aty.

Pjesa e deritashme e tregimit që po e ndaj me ju ka një karakter argëtues, megjithëse në vetvete jep mirë shembullin shoqërisë sonë të pasinqertë. Shumë njerëz nuk e kuptuan që tezja nuk e kishte datëlindjen. Shumë prej tyre nuk e lexuan komentin e vajzës mërgimtare, por i mashtroi fotografia dhe një zemër në fund të statusit. E, pothuajse të gjithë të përfshirët me komente “urime datëlindjen e dashur/motër/e respektuar/engjëll” e lloj-lloj epiteti u ndikuan fillimisht nga gabimi i motrës sime, e pastaj nga gabimi i njëri-tjetrit. Kjo është jeta jonë, jeta virtuale.

Po mendoja, po jeta reale sa është e varur nga kjo virtualja?! Shumë.

Dje, para Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë u mbajt protesta e parë e shqiptarëve. Nuk e kam idenë sesi përfunduan këta të rinj, megjithëse një grusht syresh para Ambasadës sikurse para tezes sime i biri, me nip e mbesë dhe me tortë në duar?!

Një shoqëri që funksionon automatikisht sikurse ne; një shoqëri, si kjo e jona që nuk lexon; që është indiferente ndaj emocionit dhe dashurisë së vërtetë, përfundon lehtë duke protestuar para atyre që u bënë shpëtimtarët tanë në vitin 1999.

Kjo pastaj bëhet edhe më e lehtë kur qëllimisht në Facebook, një njeri që mund t’i shërbejë armikut tonë më të madh, bën një postim me emocion dhe fton në protestë në ndonjë bojkot apo çfarëdo qoftë tjetër!

Një shoqëri që Abetaren, gazetën, librin e historisë apo edhe enciklopedinë e ka veç në Facebook, përfundon lehtë sikurse i biri, nipi dhe mbesa e tezes sime me tortën përpara duarsh dhe me këngën “Happy birthday to you gjyshe” në derën e tezes sime.

Por, një postim me sherr, i bërë nga një rusofil (paramendojeni shqiptar dhe rusofil!), njëherë si rezultat pati protestë para Ambasadës amerikane. Nesër, kjo shoqëri nuk e di ku përfundon?! Kësaj shoqërie nuk i duhen as zgjedhjet! Çka i duhet demokracia një shoqërie të tillë? Shoqëria jonë e Facebook-ut shpresoj të mos bjerë në greminë! Ani pse e di që pothuajse asnjë nga ta nuk do ta lexojë këtë! Shpresa më mban se kjo do të tregohet vesh në vesh, nëpër kafene!

Disi duhet të vetëdijesohemi, qoftë me thashetheme! Në fakt, me thashetheme jemi çoroditur, veç duhet ta kthejmë gëzofin mbarë! Cila është tash ana e mbarë? Po njëmend, e kundërta!

///

Redaksia: Autori i këtij shkrimi në Facebook i ka bërë edhe një letër publike personit, i cili ka ftuar protestë para ambasadës amerikane. Në vijim po publikojmë edhe apelin e tij publik:

Bojkotoni protestën e paralajmëruar para Ambasadës së SHBA’ve në Prishtinë, e thirrur mbi argumentimin që SHBA-të janë shtet fashist dhe administrata e Trump-it e njëjtë si ajo e Millosheviqit.

I dashtun Vud!

Këtë letër të hapur për ty e fillova me thirrjen per bojkot sepse thirrja Juaj për protestë në vetvete është skandaloze, dhe nuk i shërben aspak emancipimit dhe vetëdijësimit të qytetarit kundër fenomenit negativ të racizmit. Nuk jemi armiq, anipse dikur ishim shokë dhe kjo më shtyri të mendoj gjatë derisa vendosa të flas me ty në këtë mënyrë ose thënë popullorçe “prej shpatit e jo sy më sy”!

Shok, më duhet të të them se më ktheve në të kaluarën për një kohë të shkurtër sidomos kur i lexova disa komunikime të hershme në të cilat hiq nuk ishim kursyer nga gjuha raciste, nuk kisha dashtë me i lexu edhe Ti sepse sigurisht do të ndihesh keq! Nuk e përmenda komunikimin tonë si akuzë kundër teje, tash organizator i protestës, por për të ilustruar se sa prezent është ky fenomen në shoqërinë tonë dhe nënvetëdijën tonë.

Në vend se qytetarët t’i përgjigjen thirrjes suaj skandaloze për të protestuar para Ambasadës së SHBA-ve kundër shtetit “fashist e racist” Amerikan, qytetarët ndoshta duhet t’i drejtohen sheshit, dhe të reflektojnë për racizmin e tyre kundrejt komunitetit Ashkali, Rom, Egjiptian, dhe secilit komunitet tjetër që përballet me diskriminimin dhe racizmin në Kosovë. Mbështetja më e madhe ndaj Black Lives Matter, është që ne të luftojmë racizmin aty ku jemi, dhe jo të krijojmë narrativë të rrezikshme dhe nisma lehtë të manipulueshme, të pakontrollueshme dhe që i hapin udhë antiamerikanëve dhe influencave malinje. Kosova nuk është një vend që duhet të protestoj racizmin para Ambasadave të shteteve mike, por para institucioneve, shkollave dhe universiteteve ku diskriminimi i kategorive të margjinalizuara të shoqërisë, është prezent.

Prandaj secili që dëshiron ti bashkëngjitet Black Lives Matter, le të luftojë racizmin e fjetur brenda tij, në familjen e tij, në rrethin e tij, e jo ti drejtohet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara duke mbështetur një protestë e cila është dizajnuara mbi premisa të gabueshme. Sot është momenti që shoqëria jonë të problematizoj çështjen e racizmit dhe diskriminimit ndaj komuniteteve të caktuara, dhe jo të bëjë protesta hipokrite duke vendosur të shikoj larg, përpara se të shikojë vetveten.

Pjesëmarrja në protestën e thirrur kundër “racizmit e fashizmit” Amerikan, do të përbënte protestën e parë anti-amerikane në Kosovë. Unë do t’i bashkëngjitesha kësaj proteste të thirrur para ambasadës Amerikane, sikur arsyetimi i saj të ishte i vërtetë, por ai arsyetim është produkt i keq-informimit dhe në vetvete i pavërtetë.

I dashtun Vud, në fund po ta them troç, nga thirrja juaj për proteste fitojnë vetëm antiamerikanët, RUSIA!

Prandaj, anuloje Protestën!