Është koha që të bashkë-krijojmë!

Konferenca “Diaspora Flet” 2023 në Prishtinë

Osman Osmani, maj & qershor 2023, Prishtinë/Kosovë & Neuhausen/Zvicër

Me 18, 19 dhe 20 Maj 2023 u zhvillua konferenca e organizuar nga GERMIN që synonte të forcojnë dialogun ndërmjet anëtarëve të diasporës, politikë-bërësve, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit nga vendet amë, lidhur me temat kyçe si: fuqizimi i të rinjve dhe adresimi i emigrimit, të drejtat dhe përfaqësimi politik i diasporës, filantropia, investimet dhe lidhjet e tregut, integrimi gjinor e shumë tema të tjera. Përveç temave të lartpërmendura kishte edhe aktivitete të tjera me synim të lidhjes, rrjetëzimit dhe forcimit të raporteve në mes palëve pjesëmarrëse.

Pas fjalës mirëseardhëse të dy bashkë drejtuesve të GERMIN Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi, hapja zyrtare e konferencës u bë nga dy anëtarët e bordit të organizatës Anila Hyka-Smøgrav dhe Avni Mustafaj, të cilët përshëndetën pjesëmarrësit dhe ftuan ata për bashkë-krijim gjatë konferencës.

Në ditën e parë folësja kryesore e nderit ishte presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, e cila vlerësoi se diaspora jonë është një aset shumë i çmuar dhe pjesa më e bukur e jona si komb. Ajo theksoi mbështetjen socio-ekonomike dhe politike të diasporës në etapa të ndryshme historike.

Ndërsa në ditën e dytë, folës kryesor ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi gjithashtu se platformat si «Diaspora Flet» janë ato që na mundësojnë të forcojmë partneritetin me dhe mes diasporës për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit tonë, njëkohësisht përmirësimin dhe zhvillimin e komuniteteve të diasporës kudo që janë. Pas tij, Liza Gashi, zv. Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, prezantoi Kornizën e re të Angazhimit të Diasporës. Në një lidhje direkte me Zv. Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila tha se e kupton shumë mirë jetën në mërgatë dhe dëshirën e vullnetin e bashkatdhetarëve për të kontribuuar në vendin amë. Në këtë drejtim, ajo shtoi se është duke u bërë një punë e madhe nga ana e qeverisë për të mundësuar kanalizimin dhe transferin e kapitalit njerëzor dhe financiar nga diaspora në Kosovë.

Karakterizuese e kësaj konference ishte fakti se shumica e folësve kërkuan përfshirjen pa vonesë të diasporës në të gjitha çështjet kanë të bëjnë me diasporën dhe me të gjitha zhvillimet në vendin amë. Sa i përket ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, identitetit dhe traditave pozitive si dhe modeleve funksional të diasporës, duhet tu referohemi më shumë bashkëkombësve tanë – Arbëreshëve në Itali!

Paneli bashkëveprues i shqiptaro-zviceranëve “Emigrimi i të rinjve dhe ‘ikja e trurit’
Një prej shqetësimeve kryesore të të dy qeverive e shoqërive, si e Shqipërisë ashtu edhe e Kosovës – është patjetër “ikja e trurit”. Prandaj, për këtë temë në lidhje me ikjen e të rinjve të talentuar dhe të shkolluar është diskutuar në ditën e dytë të Konferencës “Diaspora Flet”. Tema e panelit ishte: “Emigrimi i të rinjve dhe ‘ikja e trurit’: Çfarë mund të bëjmë për të trajtuar këtë fenomen?”.

Panelistët kanë ndarë përvojat dhe njohuritë e tyre mbi tendencat aktuale dhe strategjitë që mund të ndikonin në ndalimin e ‘ikjes së trurit’. Për tu përballur sa me mirë me fenomenin folësit theksuan nevojën enjë dialogu gjithëpërfshirës e të gjithë akterëve relevantë, si: qeveria, punëdhënësit, punëmarrësit, shoqëria civile si dhe profesionistët nga diaspora.

Folësit e këtij paneli ishin: Ilir Gedeshi, drejtor i Qendrës për Studime Sociale; Ardiana Gashi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës; Osman Osmani, themelues i prointegra.ch; Marsela Ceno, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Ky panel u moderua nga Hilmi Gashi, anëtar i bordit të GERMIN, politikan dhe veprimtar i mirënjohur shqiptaro-zviceran.

Pas 72 orëve, mbi 400 pjesëmarrësve, 74 folësve dhe 21 organizatave dhe institucioneve partnere e mbështetëse të Konferencës “Diaspora Flet” – pasditen e të shtunës, u mbyllë edicioni i tretë i konferencës. Ceremonia përmbyllëse u mbajt në Lapidariumin e Muzeut dhe u organizua me mbështetjen e Komunës së Prishtinës.

Pjesëmarrësit e Konferencës ditën e shtunë ishin mysafirë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku çuditërisht, sikur edhe në ditët tjera të konferencës dhe në gjithë punimet e saj, munguan përfaqësuesit e subjekteve politike të Kosovës, ata të komisioneve parlamentare dhe të institucioneve e ministrive përkatëse që kanë të bëjnë edhe me diasporën. As një javë pas përmbylljes së konferencës «Diaspora Flet» 2023 në Prishtinë, anëtarë të komisionit për punë të jashtme e diasporë, ishin në Cyrih e Bernë të Zvicrës, ku takuan një grusht bashkatdhetarësh. Ata, përjashto deputeten Arbëreshë Kryeziu Hyseni dhe Fitore Pacolli, nuk e panë të udhës të ishin prezent gjatë punimeve të konferencës as në vet Kuvendin e Kosovës, ku morën pjesë me qindra pjesëmarrës nga 18 vende të mërgatës sonë. Në punimet e konferencës munguan thuaja se te gjitha deputetët, anëtarët e grupet parlamentare si dhe ata të komisioneve parlamentare.