Një vdekje që na ngriu zemrat
(në kujtim të dr. Sami Dalipit)
Sami Dalipi, njeriu i mirë e i çmuar nga mbarë komuniteti shqiptar në Zvicër dhe mjeku i devotshëm, nuk jeton më. Ai ndërroi jetë sot, papritmas, kur po bënte shumë plane për vitet pak më të rehatshme pa stresin e punës si psikiatër e psikoterapeut në rrethinën e Luzernit në Zvicrën qendrore.
Sami Dalipi, i lindur në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit, studioi mjekësinë në Universitetin e Beogradit dhe të Prishtinës në vitet 80-të. Pas përkeqësimit të gjendjes në Kosovë, në fillim të viteve 90-të, ai mërgoi në Zvicër. Këtu me zell të pashoq iu përkushtua specializimit në fushën e psikiatrisë, duke u bërë njëri nga mjekët e parë shqiptarë të kësaj fushe në Zvicër.
Sami Dalipi ishte ndër njerëzit më të hareshëm, më zemërgjerë dhe më humanë që kam njohur. I tronditur thellë dhe i pikëlluar pafund nga ky lajm i rëndë, kujtoj sot një miqësi mbi 30-vjeçare me Sami Dalipin. Një miqësi që u mbajt fort me biseda plot përmbajtje, me udhëtime të përbashkëta në Kroaci, Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi, me vizita të ndërsjella këtu në Zvicër. Po aq sa kishte talent për të kaluar me humor pothuaj çdo situatë në përditshmëri dhe për ta bërë festë çdo takim, Sami Dalipi ishte gjithashtu i përkushtuar në punë dhe përherë i gatshëm të ndihmojë pacientët dhe të ndikojë që edhe në komunitetin e këtushëm shqiptar të detabuizohen sëmundjet që ai i trajtonte si profesionist.
Sami Dalipi kishte një adhurim të madh për muzikën (sidomos për këngët shkodrane e serenatat e Korçës), ishte një valltar i pashoq – nga vallja e Deli Agushit, një trim i Karadakut, deri te vallet e bukura të jugut të Shqipërisë shpirti i tij fluturonte.
Sot Sami Dalipi qenka nisur në vallen e tij të fundit, me këmbët e tij të shkathta e të lehta, të cilat do të doja të mos lëviznin edhe shumë nga kjo botë që e deshi aq shumë. Vallëzim të lehtë, njeri i mirë. Faleminderit që na dhurove aq shumë çaste të paharrueshme.