Endrit Sadiku është kandidat për në Parlamentin kantonal në Basel-Stadt, në zgjedhjet e 20 tetorit 2024.
Ai është 29 vjeç, banues në Basel dhe më 20 tetor synon të sigurojë një vend në Parlamentin e këtij kantoni. Endriti punon në qendrën rinore të Kleinhüningen-it, ku shumica e të rinjve vijnë nga familje migrante. Ai drejton projektin e aplikacionit “Jugend App” në Basel. Po ashtu është përgjegjës për Mediat Dixhitale dhe Rininë dhe sapo ka përfunduar studimet master në Shkencat Sociale. Sot gjatë bisedës sime që pata me z. Endrit Sadiku, ai më shpjegoi për motivet dhe gjithë angazhimin e tij në politikë.
Me këtë rast ai duke folur rreth fillimeve të para në aktivitet të Partisë Socialdemokrate, tha se që në moshën 17-vjeçare kam qenë shumë aktiv. Kjo ka ndodhur para 12 vitesh me të rinjtë socialistë «JUSO» dhe gjatë kësaj periudhe kam qenë president i organizatës së nxënësve në Gjimnaz, anëtar i këshillit të komunës në Füllinsdorf dhe kam marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme të Partisë Socialdemokrate. Aktualisht jam president i Partisë Socialdemokrate në zonën «Klara-Wettstein» në Basel. Më ka intriguar gjithmonë mënyra se si politika ndikon në jetën tonë të përditshme, dhe më pëlqen të angazhohem drejtpërdrejt si me njerëzit, po ashtu edhe për temat e përditshme që i preokupojnë ata. Pikërisht këtu dua të arrij, të jem pjesë e vendimmarrjes dhe të sjell ide të reja në parlament, shpreht z. Endrit Sadiku.
Vizioni i ideve politike
Në vazhdim z. Endrit Sadiku tha se të punosh profesionalisht në angazhim të përmisimit të kushteve të njerëzve në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti nuk është aspak e lehtë. Ai ka punuar një kohë të gjatë me të rinjtë. Ai tha se nëse të rinjtë janë mirë edhe Baseli do të jetë më mirë. Prandaj, z. Endrit Sadikun e shqetëson veçanërisht përdorimi i tepruar i mediave sociale nga të rinjtë, në platformën TikTok. Rastet e radikalizmit të të rinjve përmes rrjeteve sociale në Zvicër, por edhe në Gjermani e kanë konfirmuar këtë fenomen shqetësues. Aktualisht, në media po qarkullon termi “Talahons”, i cili po bëhet trend në TikTok dhe promovon një qëndrim përbuzës ndaj grave ndër të rinjtë meshkuj. Këtu në këtë fazë, shprehet z. E. Sadiku, se është koha për të vendosur rregulla të qarta për mediat sociale dhe të gjithë së bashku të krijojmë një tryezë të rrumbullakët me ekspertë për një monitorim kombëtar të këtyre aktiviteteve. Një shqetësim tjetër që e shpreh z. E. Sadiku është edhe prezenca shumë e madhe e çështjes së «Fake News», që ne duhet të merremi ne të ardhmen me të, edhe më shumë, pasi shumë të rinj nuk i kuptojnë këto lajme të rreme ose i kuptojnë ato vetëm në një mënyrë sipërfaqësore. Por, në kohën e luftës së informacionit dhe dixhitalizimit, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh lajmet e rreme nga burimet e besueshme. Madje edhe për të rriturit është sfiduese. Unë, thotë E. Sadiku, jam çdo ditë në kontakt me të rinjtë dhe i informoj kur më tregojnë video të ndryshme në TikTok.
Të jetosh në Zvicër është një privilegj
Një nga çështjet tjera që nënvizoi kandidati për Parlmentin kantonal të Baselit (për garën e 20 tetorit të këtij viti), është edhe ajo e mundësisë së pjesëmarrjes në votim. Ai tha se, është një privilegj që jetojmë në Zvicër. Ky vend i dëgjon qytetarët e tij katër herë në vit dhe u lejon atyre të marrin vendime. Ndërkaq, në Basel kemi një përqindje të lartë të popullsisë së huaj, rreth 38.3%. Këta njerëz janë të përjashtuar nga pjesëmarrja politike. Sipas të dhënave, aktualisht vetëm 50.5% e banorëve në Basel kanë të drejtë të marrin pjesë në politikë. Duke marrë parasysh prurjet e pritshme të imigracionit në vitet e ardhshme, kjo do të thotë se së shpejti një pakicë do të vendosë për shumicën. Mendoj se kjo nuk është një gjë e mirë për demokracinë dhe paqen tonë sociale. Prandaj, së bashku me Partinë Socialdemokratike të Basel-Stadt, kërkoj futjen e një iniciative për të drejtat e votimit të të huajve në nivel kantonal. Ky votim do të mbahet në nëntor dhe synon t’u japë të drejtën e votës atyre që, edhe pse nuk kanë pasaport zvicerane, kanë leje qëndrimi dhe kanë jetuar për pesë vjet në Basel, thekson z. Endrit Sadiku.
Në fund të bisedës sonë, përveç vizionit dhe qëndrimeve të shprehura më lart, ai përmend edhe një argument shumë të rëndësishëm, pse duhet që qytetarët e kësaj zone të Bselit në «Klara-Wettstein» ta votojnë z. Endrit Sadikun. Ai shtoi se aktualisht, pensionet po bien dhe pagat po humbasin fuqinë blerëse për shkak të inflacionit. Partia Socialdemokrate në Basel angazhohet pikërisht për një fuqizim më të mirë të fuqisë blerëse. Kjo do të thotë se ajo dëshiron të ulë tarifat e sigurimit shëndetësor dhe të sigurojë që qiratë të mbeten të përballueshme. Për më tepër, vitin e kaluar ajo prezantoi pagën minimale kantonale, e cila siguron një standard minimal për njerëzit që punojnë në sektorin me paga të ulëta, një standard që është i nevojshëm për një jetë dinjitoze në Zvicër. Këto synime do t’i ndjek më tej në parlamentin kantonal në Basel dhe janë çështje që gjithashtu më janë paraqitur nga njerëzit me prejardhje emigrimi, u shpreh z. Endrit Sadiku, që me këtë rast në emrin tim dhe në emrin e radaksisë i uruam shumë suksese në garën e 20 tetorit. Padyshim unë mbeta me shumë përshtypje të mira, jo vetëm për përgatitjen intelektuale, por edhe për mënyrën e komunikimit, dhe të sqarimit të vizionit të tij politik për të ardhmen.