Ëmbëlsirë biskotë për ditëlindje

Ëmbëlsirë biskotë për ditëlindje

Për ditëlindjen e fëmijës tuaj mund ta përgatisni këtë lloj të ëmbëlsirës biskotë, të cilës mund ti jepni formë të shkronjës apo edhe numrit, varësisht se si dëshironi. Formën mund t’ia jepni duke e printuar numrin ose shkronjën në një fletë A4, ose edhe duke e bërë me dorë të lirë. Masa e brumit të recetës që do ta gjeni më poshtë, mjafton për dy numra.

 

Përbërësit që iu nevojiten janë:

250gr gjalp në temperaturë të dhomës

1 gotë uji sheqer pluhur

1 ve

1 sheqer vanilje

1 lugë caji pluhur për pjekurina

4 ose 4.5 gota miell

 

Përgatitja:

Të gjithë përbërësit hedhni në një enë të thellë dhe përzieni mirë me dorë derisa të krijoni një masë të mirë brumi, njejtë sic e bëjmë kur përgatisim biskotat. Pasi ta kemi masën e brumit gati, e ndajmë në dy pjesë. E marrim njërën dhe e vendosim mbi letër kuzhine dhe e shtypim me t’hollues mirë që të mbes njejtë nga të gjitha anët. I vendosim sipër fletën ku kemi vizatuar numrin dhe e prejmë brumin sipas asaj formë. Pasi ta heqim fletën, e rregullojmë mirë që të mos mbesin anët e cara dhe e fusim në furrë të piqet në 180 gradë Celsius, për 10-15 minuta.

Njejtë veprojmë edhe me pjesën tjetër të brumit. Vetëm se duhet ta hedhim në tjetër tepsi dhe ta pjekim ndaras. Pasi që të piqen, i lëmë të ftohet tërësisht. Madje preferohet të gatuhen një ditë më parë, në mënyrë që të ftohen komplet.

Përbërësit për kremin:

75ogr mascarpone

1 sheqer vanilje

400 ml ajkë e ëmbël

1 gotë sheqer pluhur

Mënyra e përgatitjes:

Të gjithë këta përbërës i bëjmë bashkë dhe i rrahim me mikser derisa të fitojmë një masë kremoze. Këtë masë e vendosim sipër biskotës me shiringë. Pastaj sipër kremit vendosim biskotën tjetër ppor pa e shtypur. Mbi biskotë përsëri vendosim kremin me shiringë dhe e dekorojmë sipas dëshirës.