Sukseset e Elbenita Kajtazit nuk kanë të ndalur. Sopranoja e njohur së fundi u vlerësua me çmimin e titulluar ‹Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis›, çmim ky nga Fondacioni operistik i Hamburgut.
Në positmin e saj në rrjetet sociale ajo shkruan:
Është një privilegj dhe krenari e madhe për mua të vlerësohem kaq lart nga qyteti i Hamburgut. Për këto 8 vite që jetoj dhe punoj në Gjermani kam pranuar vetëm përkrahje dhe vetëm dashni dhe shtytje përpara për zhvillimin e një rrugëtimi të mrekullueshëm operistik.
Çmimi në fjalë u dhurohet vetëm artistëve që kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit. Në çertifikatën e çmimit të saj pos tjerash thuhet se me artin e saj shumë natyral ajo është e aftë të shkelqejë e të zgjojë gjithë publikun në këmbë, dhe njëkohësisht të vlerësohet si nga kolegët, ashtu edhe nga publiku i gjerë.
Elbenita Kajtazi me prejardhje nga Kosova studioi në Universitetin e Prishtinës dhe më pas u zhvendos në Gjermani, ku filoi karriera e saj ndërkombëtare. Gjatë asaj kohe e deri me sot ajo është nderuar me shumë çmime dhe me sukseset e saj ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe mbarë publikut.