Ekspozitë në Cyrih, në nderim të jetës dhe veprës së Presidentit Rugova

194

Përmes kësaj ekspozite, këtu në mes të Evropës, Ibrahim Ukë Rugova nuk kujtohet vetëm si letrar, si kryetar i parë i LDK-së, por edhe si dijetar, si burrështetas dhe si President i parë i Kosovës sonë, theksoi me rastin e hapjes ekspozitës Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Në 13 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, mbrëmë në restorantin “Salmen” të Schlierenit në afërsi të Cyrihut u hap një ekspozitë fotografish dhe eksponatesh, me titull: “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Republikës së Kosovës”. Ekspozita, që në ditën e parë nxiti interesimin e shumtë të mërgimtarëve me pjesëmarrje nga kantone të ndryshme të Zvicrës, me shumicë ishe aktivistë të LDK-së.  Por edhe nga SHBA . aktori i mirënjohur Xhevat Limani. Po ky interesim dhe numri i shumtë i eksponateve bëri që në momentin e fundit ekspozita e paraparë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, të bartet në restorantin “Salmen” në Schliren .
Në fillim konsullja Shukrije Ramadani i dha fjalën ambasadores së Republikës së Kosovës Nazane Breca, e cila foli për rolin vendimtar qe luajti doktor Ibrahim Rugova  për pavarësinë e Kosovës si në planin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Pastaj fjalë rasti mbajtën Arian Daci Zëvendësministër i Ministrisë së Diasporës dhe Dr. Sadik Krasniqi, bashkautorë i ekspozitës me Mr. Besnik Rraci, përfaqësues të Muzeut të Kosovës, i cili këtë ekspozuar më parë në mize, tash e ka shndërruar në ekspozitë shëtitëse nëpër disa shtetet të Evropës.

Ndër të tjera Dr. Sadik Krasniqi foli për punën që ka bërë Muzeu i Kosovës për grumbullimin dhe mbarështimin e materialit tejet voluminoz, filluar nga trungu i familjes Rugova dhe rrugëtimi i gjatë e mundimshëm deri tek finalja e pavarësisë së Kosovës, si dhe falënderoj Ministrinë e Diasporës së Kosovës për mbështetjen financiare ndërsa Konsullatën e Kosovës në Cyrih  për bashkëpunimin në organizim.

Nderim njeriut, që na bashkoi rreth kauzës për lirinë e Kosovës

Ambasadorja Nazane Breca, në fillim potencoj se : “Ndoshta mund të tingëllojë patetike, e megjithatë me lejoni të shprehem që,për mua personalisht është nder i jashtëzakonshëm që me prezencën time sot në këtë përvjetor, dhe në këtë ekspozitë,  ta nderoj kujtimin e përjetshëm të një figure të veçantë të Kosovës dhe të kombit shqiptar –  Ibrahim Rugovën – Presidentin e parë të Republikës së Kosovës.

Nuk është aspak e lehtë për të gjetur fjalët adekuate me të cilat do të përshkruhej një njeri që u shndërrua në emblemën e përpjekjeve të kombit të tij për liri dhe pavarësi. Çdo hap i yni në rrugën drejt ndërtimit të shtetit na sjellë ndërmend rrugëtimin tonë të përbashkët në kohë të vështira. Çdo sukses na sjell ndërmend forcën e ndërtuar në përkrahje gjithëpopullore.

Sot në këtë 13 vjetor të shkuarjes së tij në amshim, me shkas të hapjes së kësaj ekspozite, përgatitur nga Muzeu i Kosovës, jemi mbledhur, pikërisht më 21 janar, për të kujtuar njeriun që, për më shumë se një dekadë, na bashkoi rreth kauzës për lirinë e Kosovës.

Prijës i një rezistence të paparë paqësore

Kjo ekspozitë me titull “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”, tregon më së miri se ai ishte fuqishëm i përkrahur nga populli pa dallim moshash, gjinishë, profesionesh apo prejardhjesh, duke u bërë prijësi i një rezistence të paparë paqësore, kështu duke u bërë zëri ynë liridashës.

Presidenti Rugova e dinte që historia dhe proceset e saja dinë të jenë shumë të rënda dhe të dhimbshme. Këtë leksion ai e mori bashkë me gjirin e nënës, mënjeherë pas ardhjës së tij në jetë, kur të njëjtit armiq, më të cilët u përballëm, atij i vranë të atin dhe gjyshin. Dhe tani në një histori më të re ai u vu në krye të një lëvizje mbarëpopullore, duke e bërë një kthesë përfundimtare në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi.

Rugova i palëkundur në përballje kundrejt një hegjemonie të egër

Ekspozita na i rikujton qëndrimet e tij. Ai edhe përballë një hegjemonie të egër ishte i palëkundur në vizionin e tij se Kosova dhe e ardhmja e saj shtet, do të arrihej vetëm dora dorës me miq ndërkombëtarë; ishte vizioni i tij dhe bindja e tij se miqësia me SHBA-të është vendimtare për lirinë dhe ardhmërinë e Kosovës. Njëjtë veproi edhe në raport me shtetet e Evropës. Asnjëherë nuk kërkoi lëmoshë sepse ishte i bindur se historia, e vërteta, vetë lashtësia jonë, ishin argumentet më të mira për një zgjidhje të drejtë.

Kjo ekspozitë tregon qartë se forca e tij ishte forca e popullit që i besonte dhe e mbështeste me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat që përballej.

Fuqizimi i raporteve me miqtë edhe sot e aktual

Edhe nga kjo ekspozitë shihet se vizioni i tij,  për të arritur çlirimin me mjete paqësore për fatin e keq nuk u realizua, prapëseprapë mbeti po ai vizion me fuqi profetike, si në periudhën e shtetformimit, ashtu edhe tash në rrugën e shtetndërtimit, del të jetë i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Fuqizimi i raporteve me miqtë tanë për të ndërtuar një shtet ku të gjithë pa dallim jetojnë të barabartë, në paqe harmoni dhe prosperitet janë shtyllat kryesore të politikës aktuale, se për Kosovën është jetike të jetë anëtare e barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në NATO, në BE dhe në organizatat ndërkombëtare, si një synimi i përpjekjeve tona për ta bërë shtetformimin e plotë siç e deshëm, e duam dhe siç do ta duam gjithmonë.

Nga përmbajtja dhe ideja e kësaj ekspozite del se kombi ynë, sikurse edhe kombet tjera, përgjatë gjithë historisë ka nxjerrë figura kolosale dhe ne jemi më shumë fat që njëra nga këto figura ishte një bashkudhëtar i yni. Trashëgimia e tij në shtetformimin e Kosovës, sot është një udhërrëfyes për të ecur përpara. Është një udhërrëfyes dashurie për atdheun tonë.

Obligim i brezit, një shtet siç e ka aspiruar Rugova

Ashtu siç ishte rrugë e pakthyeshme shtetformimi, ashtu është rrugë e pakthyeshme edhe shtetndërtimi i Kosovës sonë, i shtetit tonë. Rrugëtimi ynë me Presidentin Rugova për shtetformim, është fakti më i fuqishëm se çdo gjë arrihet me përkushtim dhe dashuri për njëri-tjetrin. Barra e brezit tonë, sot është ndërtimi i një shteti shembull ashtu siç ka aspiruar Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Një shprehje e vjetër popullore thotë: “Nuk ka vdekje pa një peng!” dhe vërtetë sot në këtë 13 vjetor, kur po kujtojmë dhe nderojmë figurën e Presidentit Rugova, përmes kësaj ekspozite, domosdoshmërisht me vjen ndërmend vetë ironia e jetës! Ironia e jetës deshi që ai i cili rreth dy dekada punoi pa u ndalur për pavarësinë e vendit të tij, të ikte nga kjo botë vetëm pak para se të shihte finalizimin e ëndrrës së tij dhe të ëndrrës së gjithë neve. Besoj që nga lart ai e shijon bërjen e Kosovës shtet.

Sot, përmes kësaj ekspozite, këtu në mes të Evropës, Ibrahim Ukë Rugova nuk kujtohet vetëm si letrar, si kryetar i parë i LDK-së, por edhe si dijetar, si burrështetas dhe si President i parë i Kosovës sonë, përfundoi ambasadorja e Kosovës.

Nga eksponatet më së shumti të pranishmit i tërhoqën kostumet e presidentit Rugova, pranë të cilave shumëkush donte të ketë një foto-kujtim.

Ekspozita vazhdon të jetë e hapur deri të shtunën me 26 janar 2019.
Adresa: Restoran “Salmen” Uitikonerstrasse 17/ 8952 Schliren, Cyrih.