Ekspozitë e pavarur e Emrush Xhemajlit në Wallliselen të Cyrihut

“Unë kam pikturuar në kohën e fëmijërisë dhe në gjitha kohërat edhe pse jam marr me tjera punë, të politikës, madje edhe në luftë kur kishim kohë bënim ndonjë skicë,  sepse thëngjill kishte boll nga shtëpitë e djegura dhe kemi bërë atë që kem ditur”, ka deklaruar ky piktor gjatë një ekspozite të tij të pavarur.

Rexhep Rifati

Pas disa e ekspozitave, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, piktori Emrush Xhemajli,  hapi edhe një ekspozitë të pavarur më 5 dhjetor në Wallisellen të Cyrihut, ku u ekspozuan 30 punime në teknika dhe tematike të ndryshme , të cilat tërhoqën  interesimin e publikut artdashës shqiptar zviceran.

Me rastin e hapjes së ekspozitës në lokalet e FEG (Freie Evangelische Kirche) në Wallliselen, në mungesë të autorit, një fjalë rasti e mbajti e bija e Emrushit, Jona Xhemajli e cila  edhe i përshëndeti të pranishmit, në mesin e të cilëve, pos familjarëve kishte edhe dashamirë arti edhe nga radhët e zviceranëve. Jona përkujtoi se babai i saj, derisa ishte si fëmijë në shkollën fillore, mësuesi tek ai kishte zbuluar një talent të rrallë për pikturë dhe se ngjyrat akuarel kanë qenë të parat ngjyra që ia kishte blerë, babai i tij arsimdashës, Muharremi,  pasi që ngjyrat e vajit ishin shumë të shtrenjta.

Emrush Xhemajli u lind më 1 maj 1959 në Komogllavë të Ferizajt, ku edhe kreu  Shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Sa i përket rrugëtimit artistik, ai së pari pikturonte me ngjyra uji, që paraqet njërën ndër teknikat më të vështira, teknikë këtë të cilën edhe sot e gjithë ditën e zotëron në mënyrë të shkëlqyer. Pas përfundimit të shkollës së mesme , Emrushi në vitin 1975 hap ekspozitën e tij të parë në shtëpinë e vet, duke bërë edhe mediet kureshtare për te, ndonëse atëbotë ishte vetëm 15 vjeçar. Në fillim të viteve tetëdhjetë, për shkaqe politike ai arratiset në Zvicër, ku edhe për 14 vite vijon të jetojë me familjen e tij të re në Biel/Bienne dhe aty hap ekspozitën e tij të parë në Zvicër, ndërsa të dytën në vitin 1995 në St. Gallen.

E gjithë familja në vitin 1999 kthehet në Kosovë dhe kështu, në vitin 2004 ai përfundon edhe studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ndërsa që pasojnë edhe disa ekspozita të tjera kolektive në Bruksel dhe në disa vendet e Ballkanit. Por si politikan që ishte, ai nuk kishte kohë të mjaftueshme që t`i kushtohej pikturës, përkundër pasionit të madh që kishte për te.  Ndër detyrat dhe aktivitet politike Emrush Xhemajli,  deri në vitin 2010 ishte deputet në Parlamentin e Kosovës. Aktualisht punon profesor në një universitet në Maqedoni dhe në një tjetër, privat, në Kosovë. Ai jeton në kryeqytet, në Prishtinë ku edhe është tejet aktiv edhe në fushë të artit. Kjo ekspozitë në një lokalitet në afërsi të Cyrihut ishte mundësuar nga “A bis Z Generalunternehmungen GmbH”, që drejtohet nga  pronarët Zejnije Gashi dhe Afrim Asani, të cilët  edhe i falënderoj në veçanti, Jona Xhemajli, e bija e piktorit.

Secili nga fëmijët kishte një histori pak sa më të veçantë në fushën e artit, nga të cilët, Emrushi, që nga mosha e re, derisa ishte nxënës i fillores u përqendrua në fushën e artit pamor, kryesisht në pikturë, pasi edhe kishte një talent të rrallë për këtë.  Pavarësisht pengesave dhe sfidave me të cilat për shumë vite u ballafaqua, Emrushi deri në ditët e sotme nuk u nda piktura.

Shkëputëm disa vlerësime nga ekspozitat e viteve të fundit të Emrush Xhemajlit. Në një ekspozitë të tij në Tetovë, Profesori i artit, Mexhait Pollozhani, ndër të tjera ka potencuar, se tek pikturat e Emrushit:  “Unë shoh se ngjyra e tij e ka ruajtur atë freskinë e cila më bën të bindem që kultivimi i ngjyrës nga ky autor është një nga mjeshtrit shumë të theksuara”, ndërsa që vetë Emrush Xhemajli ka nënvizuar se : “Unë kam pikturuar në kohën e fëmijërisë dhe në gjitha kohërat edhe pse jam marr me tjera punë, të politikës, madje edhe në luftë kur kishim kohë bënim ndonjë skicë sepse thëngjill kishte boll nga shtëpitë e djegura dhe kemi bërë atë që kem ditur…”  Përndryshe, Emrushi është  sidomos një kultivues i rryer i portretit, peizazhit, natyrës së qetë.

Ndërsa gjatë hapjes së një ekspozite në Artanë (Novobërdë), vet piktori Emrush Xhemajli, ka theksuar se atë që ka dashur të tregojë e ka pasqyruar në punimet e tij, në të cilat dominojnë ngjyrat e ndezura, si ngjyrë hiri, kaltër dhe e kuqe, të cilat në vete kompozojnë një lojë ngacmuese, depërtuese dhe estetike për të pranishmit. Ndërkaq, kritiku i artit, Ilir Muharremi, duke e shpalos anën teorike të punimeve të, ka shtuar se : “Piktori, Emrush Xhemajli, në artin e tij individual nuk sjell vetëm parajsën ose ferrin, sepse shpirti i tij është i prekur edhe nga lashtësia, e cila dikur kishte ndriçuar dhe ishte tejet funksionale. Kullat, infrastrukturën mesjetare të Novobërdës, funksionin e saj ideal, artisti Xhemajli e ringjallë në peizazhet e tij, të cilat posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë më trajta të ndryshme”. .
Krejt në fund, vlen të kujtojmë se Familjes Xhemajli nga Komogllava e Ferizajt, ( prej të cilit fshat është edhe prejardhja ime), që rriti fëmijë tejet të talentuar në fusha të ndryshëm arti, ishte ndër familjet më të përndjekura, jo vetëm në këtë komunë,  por edhe në Kosovë, meqë rast edhe shumica nga fëmijët e saj përjetuan kazamatet serbe dhe represionin e vazhdueshëm politik, megjithatë nuk hoqën dorë nga veprimtaria politike atdhetare, duke qenë edhe pjesëmarrës aktiv edhe në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.