Ekspozita “Gjergji në Art” në Bülah, dëshmi e arritje kulmore e mërgatës sonë në shtetin helvetik

 

Dhe jo vetëm kaq, por edhe e një bashkëpunimi të ndërsjellë me artistët e trojeve etnike, të cilët krahas veprave ishin edhe vet të pranishëm në këtë akt arti e kulture, që thënë figurativisht doli sikur Kryetrimi ynë të kishte thirr princat e tij ne Lezhë, por kësaj here përmes madhështisë së tij të shkrirë në të gjitha zhanret e artit pamorë -, Duke i përshëndet në emër të tri ambasadave, zonja Shukrije Ramadani potencoi se ky  vit simbolik, 620-vjetori i lindjes së heroit tonë kombëtar, nuk është thjesht një ekspozitë, por një akt nderimi, një rikthim në rrënjë, dhe një zë i fuqishëm që e bën të gjallë amanetin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut: bashkimin, identitetin dhe dinjitetin tonë si komb.- Dhe mbi të gjitha në tërë këtë aktivitet qëndron puna dhe angazhimi i kryetarit të Shoqatës “Gjergj Kastrioti” në Zvicër, Agim Pepaj, i cili bashkë me stafin e tij, brenda më pak se një dekade, për çdo vit na befason me organizime të shkëlqyeshme që trajtojnë tematika të ndryshme arti, kulture e historie që lidhen me figurën e Heroit Kombëtar. 

Teksti Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi

 

Sa herë që flasim për një ekspozitë kemi parasysh se në te janë ekspozuar vepra me tematikë të ndryshme. Por ajo që pamë e përjetuam kësaj të diele në rrugën Grampenweg 5, 8180 Bülach, të kantonit të Cyrihut me titull simbolik “Gjergji në Art”, ishte më shumë se ekspozitë sepse në te thuaja se gërshetoheshin të gjitha gjinitë e artit: piktura, skulptura, grafika, mozaiku, por edhe kënga e vallja madje të përcjella edhe me instrumente tradicionale kombëtare siç janë lahuta e sharkia. E më e rëndësishmja që ftesës së organizatorit i ishin përgjigj skulptorë, piktorë e kuratorë eminentë , apo edhe këngëtar, instrumentist apo edhe ansambli eminent “Vatra”, si  bashkëpjesëmarrëse edhe në organizim. Vështirë është që të gjithë artistët ti përmendim veç e veç, por e rëndësishme ishte që ata vinin nga të gjitha trevat etnike: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova Lindore.

Manifestimi filloi me intonimin e Himnit Kombëtar, meqë rast moderatori Arben Rexhepi në fillim i dha fjalën Arim Pepajt në cilësinë e organizatorit ndërsa në emër të tri ambasadave ( Kosovë , Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut) përshëndeti Shukrije Ramadani, zëvendsambasadore në Ambasadë e Republikës së Kosovës në Bernë, ndërsa që pjesëmarrës ishin edhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Shipërisë në Bernë dhe Shefi i Misionit Konsullor në Cyrih, Vigan Berisha.

 Me këtë rast shkëputem sa fragmente nga fjala e Zonjës Shukrije Ramadani:  Të nderuar pjesëmarrës, të dashur artistë, të respektuar organizatorë, bashkëkombës, miq të artit dhe të historisë, më lejoni që të ju drejtohem në  emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës, të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, dhe të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kam nderin e veçantë që të përshëndes sot këtë ngjarje të jashtëzakonshme, që na mbledh të gjithëve rreth një figure që nuk njeh kufij: Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në këtë vit simbolik, kur shënojmë 620-vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar, ky takim artistësh, krijuesish dhe dashamirës të atdheut nuk është thjesht një ekspozitë. Është një akt nderimi, një rikthim në rrënjë, dhe një zë i fuqishëm që e bën të gjallë amanetin e Skënderbeut: bashkimin, identitetin dhe dinjitetin tonë si komb.

Në këtë ekspozitë, përmes penelit, skulpturës, zërit, fjalës dhe shpirtit të artit, Skënderbeu vjen mes nesh jo si një figurë e largët nga librat, por si një frymë që na bashkon edhe sot – nga Prishtina, Tirana e Shkupi, e deri në çdo cep të diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.

Në këto vepra artistike nuk shohim vetëm portretin e një heroi. Shohim shpresën që mbijetoi, kulturën që nuk u shua, dhe amanetin që mbetet i gjallë: amaneti për të ruajtur gjuhën, identitetin, vlerat dhe nderin tonë – pa u lodhur, pa u përkulur, dhe pa harruar kurrë nga vijmë.

Në emër të tre ambasadave tona, ju falënderojmë me mirënjohje për këtë organizim dinjitoz. I falënderojmë artistët që sollën shpirtin e tyre përmes artit, Shoqatën “Gjergj Kastrioti” – Zvicër për vizionin dhe përkushtimin, dhe ju të gjithëve për praninë dhe dashurinë ndaj historisë dhe kulturës shqiptare.

Lavdi Skënderbeut! Lavdi artit që e mban gjallë kujtimin e tij! Lavdi bashkimit tonë kulturor, përtej çdo kufiri!”.

Më pastaj krahas pikave artistike me fjalë rasti shumë kompetente për figurën e kryetrimit tonë në art foli kuratori Ilir Muharremi, që kishte ardhur nga Prishtina (fjalën e të cilit e kam postua dje në fb tim ) ndërsa për figurën e kryetrimit që ka lënë vulë në histori , historiani Paulin Zefi, që kishte ardhur nga Lezha.

Më tej pasuan pika artistike nga individë e grupe, qoftë me interpretime këngësh apo valle, që e përmbushën këtë ngjarje edhe me pika shumë të qëlluara arti. Por edhe prania e skulptorëve eminent siç janë Gëzim Muriqi, Mal Myrtaj e të tjerë apo poetë si Musa Jupolli, Mentor Thaqi, Shqipe Bytyqi, pjesëtarë shoqatash e asociacionesh të ndryshme, si LKSHM “Hora e Skënderbeut”, Shoqata e Bizneseve e të tjera,  që i dhanë një dimension plotësues kësaj ngjarje me peshë sa kulturore aq edhe kombëtare.

Organizatori, pos që ishte kujdes për pije e ushqim të mjaftueshëm për të gjithë pjesëmarrësit i nderoi me mirënjohje të gjithë artistët e ardhur, që kishi ekspozuar si dhe sponsorët dhe mjetet e informimiont ndër të cilat edhe platforma jonë elektronike : prointegra.cha , të cilën Agim Pepaj ia dorzoi fotoreporterit tonë Afrim Nezadi, i cili edhe realizoi një sërë fotosh nga kjo ngjarje që do të mbahet gjatë në mend.

Dhe krejt në fund si konstatim i përgjithshëm se: Ekspozita “Gjergji në Art” në Bülah, ishte dëshmi e arritjeve kulmore të mërgatës sonë në shtetin helvetik, shtet këtë të cilin edhe duhet ta falënderojmë për krijimin e kushteve për të gjtha komunitetet në këtë vend për të ushtruar vlerat e tyre kulturore- identetare.