Bedri TAHIRI, Prishtinë, shkurt 2020
Më 6 shkurt 2020, Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja »LenaGraphic», me pronar Hajadar Fejzullahun, e cila është më prestigjiozja në gjithë trojet shqiptare, nxori në dritë librin e ri monografik të studiuesit të plaodhur Hazir Mehmeti me titull “MËSIMI SHQIP NË AUSTRI”- Monografi II (2013-2018)”.
Duke i uruar autorin dhe botuesin, unë si redaktor po i them dy fjalë për librin:
“Gjithmonë e kam imagjinuar parajsën si një lloj biblioteke” (J. Borges)
Mësuesi dhe veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Hazir Mehmeti, tashmë është bërë emër i njohur edhe në fushën e krijimtarisë publicistike-letrare e të kulturës në përgjithësi. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në Vjenë e më gjer në mërgatë; publicist, tregimtar, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.
Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë gjeti vend edhe muza e krijimtarisë artistike hulumtuese, duke e ngacmuar botën e tij të brendshme që me penë të skalis monumente përjetësie në fushën e publicistikës, derisa e nxori në dritë librin më të ri ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”. Në fakt, ky libër, të cilin autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë të ndjerë, shkencëtares së papërsëritshme, Vlorë Mehmetit- Tërshani, vjen si vazhdimësi e monografisë “Mësimi shqip në Austri”, në të cilën autori pati përfshirë punën sistematike njëzet e pesë vjeçare (1987-2012).
Pa kaluar as gjysmë viti, nga ky autor i zellshëm e hulumtues i palodhshëm, na vjen dhurata tjetër, mjaft e çmuar, libri “MËSIMI SHQIP NË AUSTRI”- Monografi II (2013-2018).
Ai, sikur e ka ndjerë këtë si një obligim, ngase: ”Vjena ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Deri më tani pak i është kushtuar rëndësi këtyre, andaj ne dimë pak për ta dhe veprat e tyre. Në përgjithësi na mungon tradita e shkrimeve. Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitet rreth mësimit dhe atyre kulturore në rrethet e gjëra të vendorëve dhe vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e mirë që nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e kuptoj si të tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,- shprehet vetë autori.
Libri “MËSIMI SHQIP NË AUSTRI– Monografi II (2013-2018)”, përfshinë një periudhë kohore pesëvjeçare, mbushur përplot me ngjarje e aktivitete kulturore, andaj autori i vëmendshëm e me përvojë, për ta bërë sa më atraktiv dhe të kapshëm për lexuesit kureshtarë, gjithë lëndën e begatë, e ka konceptuar në këta kapituj:
- Shkollimi i shqiptarëve në Austri pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë;
- Marrëdhëniet mes dy kombeve në arsim;
- Të dhëna për numrin e nxënësve, orëve mësimore dhe të mësimdhënësve;
- Tekstet dhe materialet mësimore;
- Seminaret e mësuesve nga Diaspora në atdhe;
- Seminaret në Austri dhe në vendet e rajonit;
- Kuizet e diturisë;
- Aktivitete të veçanta;
- Aktivitete kulturore;
- Aktivitete sportive;
- Mësues e mësuese;
- Ekskursione në vendlindje dhe
- Integrime e takime.
Pra, duke shëtitur kujdesshëm nëpër kapitujt e librit “MËSIMI SHQIP NË AUSTRI– Monografi II (2013-2018)”, shohim se autori me një pedanteri të pashoqe, ka arritur të na i prezantojë, deri në hollësi, veprimtaritë kulturore, botuese, arsimore, të shoqatave, klubeve e organizimeve të ndryshme në Austri. Këtu mësojmë për raportet e mira dhe shkëmbimet e përvojave midis Ministrive Arsimore të Austrisë dhe të Kosovës, për botimet e teksteve mësimore në të dy gjuhët, për seminaret e ndryshme, organizuar anekënd trojeve shqiptare e në Austri e në vende të tjera si dhe për kuizet e shumta të diturisë, të mbajtura brenda viteve 2013-1018.
Portretizimi i njëzet mësimdhënësve (mësuese e mësues) të dalluar shqiptarë në Austri, jepet në kapitullin e njëmbëdhjetë, duke vazhduar më pastaj me kapitujt, ku pasqyrohen aktivitete të larmishme, me peshë kombëtare, si: shënimi i datave të rëndësishme historike, Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Kosovës, aktiviteteve sportive të nxënësve në Austri, përurimeve të librave të ndryshëm, ekskursioneve nëpër Trojet shqiptare, takimeve të ndryshme e kuvendeve zgjedhore.
Edhe kapitulli i fundit, Integrime dhe takime, del shumë interesant dhe tërheqës. Autori, në mënyrë telegrafike, shkurt e qartë, paraqet takimet që ka pasur me personalitete të veçanta, si me: Ministren e Arsmit të Austrisë, znj. Dr. Elisabeth Gehrer, ambasadorin Albert Rohan, me pinjollët e Habzburëve: Sandor e Margarete Habzburg; drejtuesen e mësimit të gjuhëve të huaja në Austri, mag. Elfie Fleck; ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, z. Vili Minarollin; historianin Neol Malcolm; Zonjën Vahide Hoxha; piktorin shqiptar, Gazmend Freitag; mësuesin veteran nga Dibra, Petrit Marku; zëvendëskryetaren e Parlamnetit Evropian, znj. Ulrike Lunacek; z. Anton Nikë Berisha; Prof. Ismail Çeta; Prof. dr. Johan Gunther; Prof. dr. Paul Smit; luftëtarin e lirisë, Muharrem Mehmetaj; përjetuesit e Mauthuzenit, amerikanët Jeam Blackman dhe Pal Friedmann.
Dhe, e gjithë kjo punë do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: Një foto flet sa njëmijë fjalë, atëherë, del se libri “MËSIMI SHQIP NË AUSTRI– Monografi II (2013-2018)”, paskësh vlerë të madhe njohëse, informative, edukative dhe mësimore.
Në përmbyllje, autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit dhe bibliotekat tona!