Hapet edhe një pikë shkollore dhe renditet në vargun e dhjetëra shkollave të reja që filluan me mësimin në gjuhën shqipe, në këtë vit shkollor 2019/20
Gjuha shqipe për fëmijët shqiptarë është gjuha me të cilën ata identifikohen. Edhe pse kanë lindur në dhe të huaj, edhe pse rritën në vend të huaj, ajo është gjuha e nënës, pa të cilën shumë gjëra në jetën e tyre shihen ndryshe.
“Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.”
Këto vargje antologjike për gjuhën shqipe të poetit Ndre Mjedja tingëllojnë fuqishëm edhe sot. Dhe na detyrojnë të angazhohemi në vazhdimësi në shërbim të gjuhe shqipe, shkollës shqipe sepse pa njohjen e gjuhës shqipe – gjuhës së nënës, emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rritën në mërgim nuk shkëlqejnë mjaftueshëm.
Dhjetëra nxënës të rijë me abetare në duar, të cilët filluan mësimin në shkollën shqipe në Ferhaltorf, të Kantonit të Cyrihut, ishin lajmi më i mirë, në mërgatën shqiptare. Ata, të hënën me datën 23. Shtator edhe zyrtarisht filluan mësimin në gjuhën shqipe, duke iu bashkëngjitur edhe zyrtarisht pikave të reja shkollore, të cilat u hapën këtë vit shkollor 2019/20.
Në këtë pikë shkollore punon mësuesja e shkollës shqipe Qefsere Sejdiu, e cila që 21 vjet shpërndan dritë diturie në shkollat shqipe në Flums, Untertezen, Sevelen, Mels, Walenstadt, Buchs, Rapperswil-Jona, Uznach etj. dhe tani edhe në Fehraltorf.
Ajo, që velen te theksohet është se interesimi i prindërve shqiptarë që banojnë në këtë anë ishte jashtëzakonisht i madh. Filluam me një familje dhe arritëm në dhjetëra. Në mesin e tyre dallohet znj. Majlinda Krasniqi, e cila me angazhimin e saj dhe të disa prindërve arritën ta bëjnë shkollën shqipe në maje të kodrave të Zvicrës, në Fehraltorf.
Një interesim i vazhdueshëm i prindërve derisa sa arritën që fëmijëve të tyre, t`ua përshtatin orarin e shkollës shqipe me orarin e rregullt të mësimit në shkollën zvicerane.
Një mirënjohje e veçantë shkon për Drejtoritë e shkollave zvicerane të cilat ndihmuan dhe na ndihmojnë përditë në sistemin e dhjetëra e dhjetëra nxënësve nëpër këto pika shkollore, për të cilat duhet ta pranojmë se filluam me vonesë, për hir të pengesave të shumta nga individë të caktuar, të cilët gjithmonë kanë penguar dhe e pengojnë rritën e shkollës shqipe.
Prandaj, buzëqeshja e nxënësve të shkollës shqipe: Besarta, Lorena, Dorentini, Ardiana, Fazliu, Fatjoni, Amari, Anduena, Loriku, Muhamedi, Ekremi, Drita, Flamuri dhe të tjerët i ftojnë edhe nxënësit tjerë, të cilat për mungesë të informacionit ende nuk janë regjistruar. Ata me plot gojën thonë:
Ejani bashkohuni me ne, ejani në shkollën shqipe në Ferhaltorf, ku mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet çdo të hëne nga ora 17:00.