Ditë më parë në Uster të Zvicrës u organizua Panairi i Librit nga Shoqata “Bashkimi” Uster me një titull simbolik “Diaspora 2019”. Ajo që u theksua nga pjesëmarrësit ishin fjalë tepër të zgjedhura drejtuar organizimit të Panairit dhe Shoqatës në fjalë.
Nga Vaxhid Sejdiu
Ditë më parë në Uster të Zvicrës u organizua Panairi i Librit nga Shoqata “Bashkimi” Uster me një titull simbolik “Diaspora 2019”. Ajo që u theksua nga pjesëmarrësit ishin fjalë tepër të zgjedhura drejtuar organizimit të Panairit dhe Shoqatës në fjalë. Por, ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi, ajo që më bëri më së shumti përshtypje në këtë takim me librin ishin nxënësit e shkollave shqipe, konkursi letrar për nxënësit e shkollave shqipe, valltaret dhe valltarët e Shoqatës dhe angazhimi i tyre.

Në Zvicër, kohëve të fundit janë mbajtur një mori takimesh dhe aktivitetesh të natyrave të ndryshme. Por një kontakt kaq i fortë me librin nuk ishte parë. Prandaj ato lëvdata që mori atë ditë Shoqata nga pjesëmarrësit e Panairit ishin më se meritore. Botuesit, vizitorët, shitja e lakmueshme e librit, prezenca e të gjithë atyre njerëzve gjatë tërë ditës sa zgjati Panairi, prezantimet e suksesshme, renditja, rendi dhe rregulla brenda sallës, përmbyllja dhe darka e përbashkët ishin shenja të cilat do ta karakterizojnë këtë eveniment kulturor.
Dhe për Panairin librit kane shkruar mjaft autorë, por unë në këtë rast do të ndalem pikërisht në ato elemente veçuese, të cilat edhe këtë Panair e bëjnë të veçantë.
E para – organizimin e bëri një shoqatë amatore, por me mjaft sukses.
E dyta – anëtarët e Shoqatës ishin gjatë tërë kohës në shoqëri të mysafirëve dhe pjesëmarrësve. U kujdesën që pjesëmarrësit e Panairit të ndihen sa më mirë. Ishin kujdesur edhe më herët që t`i njoftojnë sa më mirë mërgimtarët, që atë ditë të ketë sa më shume shitje të librit, me qëllim që libri shqip të shpërndahet sa më shumë në familjet shqiptare.
E treta – valltarët; vajza dhe djem me veshjet e tyre kombëtare dëshmuan dashurinë e tyre të madhe ndaj kulturës kombëtare, valleve shqipe dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Edhe pse të lindur në mërgim ishin pjesë e bukur e këtij evenimenti kulturor. Lloj-llojshmëria e veshjeve, sjellja e tyre e kulturuar, shoqërimi i mysafirëve ishin elemente të dukshme që rrisnin vlerën e këtyre të rinjve edhe pse të lindur në mërgim.
E katërta – ishin nxënësit e shkollave shqipe, të cilët morën pjesë në konkursin letrar të shpallur enkas nga organizatori, me poezi, tregime, përshkrime apo me hartime letrare. Ishin gjithesejt 27 punime të nxënësve (11 poezi dhe 16 tregime dhe hartime shkollore), të cilët konkurruan në konkursin letrar. Në komision nuk ishin caktuar mësuesit e shkollës shqipe, por përkundrazi ishin caktuar poetë, shkrimtar, nga Shoqata e krijuesve Shqiptarë në përbërje Gani Bytyqi kryetar i Komisonit, Muharrem Blakaj dhe Besim Xhelili. Vlen të përmendet se kjo ide i kishte shtyrë në garë fëmijët e një mori shkollave shqipe, të garojnë dhe natyrisht të synojnë një nga çmimet duke hyrë në rrethin e “shkrimtarëve” pjesëmarrës të Panairit. Të gjitha krijimet ishin të shënuara me shifra dhe në arsyetimin e shkrimtarit Gani Bytyqi dëgjuam për punime të mrekullueshme për moshën dhe vendin ku rriten. Dëgjuam se punimet e tyre “kishin një vlerë të caktuar, për fjali mirë të formuluara dhe punime që premtojnë. Por ja që konkursi ashtu e ka që nga ky numër i madh i krijuesve të vegjël të fitojnë vetëm tre prej tyre”.
Dhe vendin e parë e mori poezia “Vendi im” me shifrën “vendi im”, të dytën “Tregimi për gjyshen”, me shifrën “Anila” dhe vendin e tretë hartimi shkollor “Në muzeun e dinozaurëve” me shifrën “muzeu” . Ashtu siç ishte paraparë me konkurs letrar vendi i parë mori një shpërblim prej 150 fr. , i dyti me 100 fr. dhe i treti shpërblimin prej 50 fr. zvicerane. Shpërblimet i ndanë shkrimtarët Mimoza Hysa dhe Gani Bytyqi, edhe atë për nxënësit Erijon Dervishi, nxënës i shkollës shqipe në Neuenhof, të kantonit të Argaut, vendi i dytë mbeti të konfirmohet autorësia dhe vendin e tretë nxënësit të shkollës shqipe në Uster – Fisnik Maxhunit.
Dhe e pesta, ekspozita e gazetarit të mirënjohur Rexhep Rifatit, e cila ishte një ekspozitë e pasur me fotografi dhe dëshmi nga kullat dhe odat shqiptare, të cilën vizitorët e përcollën me një vëmendje të veçantë.
Dhe në fund, thënë shkurt këto elemente e bënë këtë Panair libri, të veçantë dhe mjaft tërheqës për të gjithë pjesëmarrësit dhe vizitorët e shumtë. Kohëve të fundit, ky panair Libri u bë kryefjalë e të gjitha takimeve dhe shkrimeve në mediet shqiptare.