A dua të kthehem në Kosovë? Kjo është njëlloj sikur t’i thuash të verbërit a do sy.
Fjalët e një të ardhuri prej Kosove në një emision në TV shqiptar, para do ditësh shprehin në mënyrën më proverbiale atë dëshirë, atë krye- dëshirë të tyre për t’u kthyer prapë atje. Kjo dëshirë është kthye në një ankth të pandërprerë, gati-gati të papërballueshëm prej shpirtrave të tyre të lënduar. Ata që e panë gjëmën me sytë e tyre për një çast e mbajnë në vetveti dhe ndërkohë i mundon moskthimi i shpejtë. Dëshira e padurueshme sikur është kthye në një kumt, i legjitimuar tek secili. Ata mund të mendojnë çdo gjë, por jo moskthimin dhe kjo është kthye në një recetë të gatshme ku është shkruar: “Së shpejti”. Pra, fjalët “Së shpejti” u krijojnë një shqetësim të ri, një pezmatim tjetër. Ata e mendojnë se do të kthehen, po kur s’e mendojnë saktësisht se kur, kjo i zhyt në dëshpërim.
Zakonisht kur ndodh një gjëmë, një fatkeqësi, njeriu fillimisht s’e ndien sa duhet, i duket si e pabesueshme, si jo e përnjimendtë. Më vonë, kur e ndien seriozisht atë çfarë i ka ndodhur atëherë e mbulon dëshpërimi. Kështu ndodhi edhe me të ardhurit nga Kosova. Ata tani kanë filluar të ndiejnë peshën e humbjes së atdheut. Peshën e humbjes së t’afërmve. Tani ata e ndiejnë se janë mbushur me mungesë të madhe. Dhe mungesa po i bren. Por kur mendojnë se do të kthehen në tokën e tyre, kjo gjë sikur i ngushëllon, ua heq dhimbjen. Në tokën e tyre të lirë, pa ushtri pushtuese.
Shumë prej tyre e kanë të vështirë të largohen nga Kukësi për në zona të tjera të Shqipërisë. Thonë se e kanë më afër Kosovën. Thonë se nuk u pret shpirti derisa të kthehen dhe duke qenë këtu, janë afër, shumë afër.
Njëri prej tyre (Habib Ajazaj prej Zhuri, 51 vjeç), thotë se edhe mund të shkonin në Tiranë a në ndonjë qytet tjetër, por këtu janë afër Kosovës dhe sa të lirohet ajo, udha e kthimit prej Tirane do t’u dukej tepër e largët. Thotë se s’kanë më fuqi, por as frymë me pritë. Hazir Bytyçi (punon në Zvicer), që erdhi me marrë prindët me veti tregon me pezmatim se ata nuk dëgjojnë të shkojnë me të se në Kukës janë më afër shtëpisë së tyre në Kosovë dhe shpresojnë të kthehen sa më shpejt atje.
Por disa prej tyre s’mund të largohen nga Kukësi edhe për një arsye tjetër: Thonë se kanë traktorët me vete dhe s’u ka mbetur gjë tjetër mbas shpirti.
Dhe brenga e trishtimi vazhdojnë ritualin e tyre të zakonshëm.
( Nga ditari i shkrimtarit, Petrit Palushi, Kukës)