E shtunë, 12 qershor 1999: Kukësi qendra e  madhe e rikthimit

Sot qytet erdhën rreth 2000 vetë, që janë vendosur në qendra të tjera pritëse. Lajmi se forcat paqeruajtëse të NATO-s do kalojnë nëpër Kosovë, ka bërë që shumë prej tyre të nisen menjëherë drejt Kukësit. Mesa shihet, Kukësi që shërbeu si qendra e parë e madhe e pritjes së të dëbuarve me dhunë do shërbejë edhe si qendra e madhe e rikthimit të tyre.

 Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi Kukës

Këto ditë jam në përkthim me një grup gazetarësh dhe kameramanësh të televizionit gjerman të ZDF- së. Ekipi i xhirimit disa herë sot ka ndërruar vend. Fillimisht në krye të Urës së Drinit të Zi, përballë lokalit piktoresk të Abedin Oruçit, më mbas në anën tjetër të urës. Aty kah dreka, pranë Gjashtëkatëshit. Vetëm kah mbasditja ekipi i xhirimit zhvendoset pranë kampit “Kukës 1”. Kameramanët shpjegoj- në se po përpiqen të gjejnë një pikë sa më tërhe- qëse xhirimi për të fiksuar ardhjen e forcave

paqeruajtëse gjermane të KFOR-it. Në një rast, i them gazetarit Tom Sievers se rruga Kukës – Prizren është shumë e shkurtë dhe nuk mban as një orë. Ai thotë se e dinte këtë gjë, por shton me të qeshur se rruga Kukës – Tiranë është mbase rruga më e gjatë në botë.

Të gjithë ata që vijnë për herë të parë në Kukës ankohen për rrugën Tiranë – Kukës. Thonë se është një rrugë që ua ha shpirtin, por edhe kur u thua se banorët e këtyre anëve e bëjnë gjithë jetën e tyre këtë lloj rruge, atyre s’u bën përshtypje kjo gjë, por ia nisin e ankohen përsëri. Mesa duket, u bie ndërmend rruga e kthimit.

Pothuajse gjithë mbasditen bie shi.

Pikat e para të shiut ia nisin të stërpikin aty nga ora 15 dhe më mbrapa, masa stërmadhe e shiut mbulon qytetin dhe hapësirën rreth e rrotull. Shiu bie e bie dhe duket sikur po shkulet krejt qielli që kemi përmbi krye dhe po zë vend nëpër udhë, mbi eprina të ndërtesave dhe mbi çadrat e panumërta të kampeve. Duke shkuar pranë kampit të ndërtuar nga italianët (“Kukësi 1”), menjëherë sapo dalloj kampin, çadrat më ngjajnë si deve të pangarkuara tek nisen për udhë të largët. Me grupin e gazetarëve të ZDF-së janë edhe dy vëllezër egjyptianë (Ibrahim dhe Mahmoud El Batout), kameramanë, të cilët këto ditë bashkëpunojnë me gazetarët e ZDF-së. I them Ibrahimit se çadrat atje përtej më ngjajnë si deve të pangarkuara që nisen për udhë. Ibrahimi me të qeshur shton se atij i ngjajnë si deve që po lahen në shi. Por edhe si deve që s’do ecin, por do fluturojnë nëpër qiell. Unë përsëri e plotësoj mendimin duke thënë se njerëzit që kanë banuar n’ato çadra dhe që shpejt do i braktisin do i mbajnë tani e mbrapa në kujtesë vetëm si deve që fluturojnë në qiell. Por edhe si pata të egra që fluturojnë e fluturojnë derisa humbin Brenda qiellnajës.

Pra, si deve që s’ecin por fluturojnë nëpër qiell, por edhe si pata t’egra që fluturojnë.

Më vonë, shumë kohë më vonë njerëzve që banuan në këto shtëpiza, në këto çadra – shtëpiza, do t’u duket se dikur kanë pa n’ëndërr çadra që u ngjanin deveve dhe patave të egra që po niseshin nëpër qiell. Nëpër qiell, mu në brendësi të tij, në një rrugë të largët. Në një rrugë pa kthim. Njerëzit mbase mund ta harrojnë këtë ëndërr, por së paku, kohën kur e panë atë, pikërisht në pranverën dramatike të 1999-s do ta kenë të vështirë ta shkëputin prej mendjes.

Me gjithë shiun që s’ka të sosur, banorë të kampit

“Kukës 1” janë në anët e rrugës që në mëngjes dhe presin të përshëndesin forcat paqeruajtëse gjermane të KFOR-it, që do kalojnë për në Prizren. Njëri prej të pranishmëve aty, Idriz Qusaj (para se të vinte në Kukës, mësues në shkollën “M. Çami” në Pllajnik), të cilin e njoha në ditën e parë të mbërritjes në Kukës, thotë se e nesërmja të shkojë në Kosovë i duket e largët, jashtëzakonisht e largët. Pyetjes së gazetarit të ZDF-së se pse po i pret me kaq padu- rim forcat gjermane të KFOR-it, përgjigjet: “Nuk e ke provue me të dëbue prej shpisë tande dhe vetëm mbasi ta kesh pësue nji fat të të tillë, atëherë e kupton më së miri këtë gjë ”.

Aty nga ora 18 njerëzit fillojnë të shpërndahen, kur lajmërohen se trupat gjermane do kalonin atypari për në Prizren vetëm të nesërmen.

Në qytet kthehemi aty nga ora 19.

Shiu tashmë ka pushuar. Gazetari Tom Sievers thotë se të nesërmen në mëngjes duhet të ndodhemi në Doganën e Morinit për të ndjekë kalimin e forcave paqeruajtëse gjermane, së bashku me gazetarët e tjerë. I them atij se nesër do të shihet se ç’do të thotë kufi absurd dhe se, si kjo vijë e dhunshme që ka nda shqiptarët mund të shkrihet si bora n’ujë.

Një vajzë e vogël, quhej Egzonë, më thoshte: “Nesër po shkojmë n’Kosovë se asht çelë Kosova njëjtë si me u çelë dita a nji mot i mirë”.Dy pjesët e rrugës kryesore të qytetit, janë mbushur me njerëz, sa është e vështirë të kalohet. Shumë nga të rinjtë mbajnë flamuj shqiptarë dhe gjermanë. Duket se kalimi i trupave gjermane të nesërmen për në Prizren, ka nxitur bisedat që bëhen shkujdesshëm dhe me zë të lartë. Grumbullimet në këtë mbrëmje pranë Gjashtëkatëshit, ku më së shumti flitet për Gjermaninë më kujtojnë mbrëmjet e famshme nga fundi i viteve ‘80, kur luheshin ndeshjet e kampionateve evropiane dhe botërore të futbollit dhe pjesa më e madhe e të rinjve të qytetit, tifozë me skuadrën e Gjermanisë Perëndimore mblidheshin dhe diskutonin me entuziasëm të pa- përmbajtshëm. Por, veçse atëherë të rinjtë s’mund të mbanin flamuj dhe të mbaje n’atë kohë një flamur gjerman ishte njëjtë si të shkoje vetë drejt burgut.

Njerëzit shpërndahen vetëm aty rreth orës 20 kur shiu ia nis përsëri.

Shiu bie si ujët e kroit. Qyteti nis e lahet prapë. Një shi i rrëmbyeshëm. I frikshëm. Jashtëzakonisht i frikshëm.

Në orën 21 të mbrëmjes, bashkë me mikun tim

Adrian Nela, inxhinier në TV Kukësi, jemi të ftuar nga një grup të rinjsh në një ndeje shkurtë. Agron Kryeziu (prej katundit Pagarush të Komunës së Malishevës), që erdhi i dëbuar si mijëra e mijëra të tjerë, mbush 20 vjet. Erdhi me familjen e vet me 3 prill, ndërsa dy vllaznit, Xhevdeti me Isanë qenë përfshi në radhët e UÇK-së. Agroni thotë se mezi po prejt me u nisë nesër në Kosovë, të paktën vetëm me pa çfarë ka ndodhë në katundin e vet. Ai shton se gjithherë ka pritë me u lirue Kosova, por kjo gjë që po ndodh tani i duket si n’andërr dhe duke qenë sa më pranë lirisë e nesërmja e mbërritjes në Kosovë i duket e largët, e largët.

 Duke e përmbyll botimin e vazhdimeve të librit KUKËSI NË 79 DITË – Pranverë 1999 –, Redaksia e prointegres  falënderon shkrimtarin Petrit Palushi për ofrimin e librit të tij në PDF, një dokumentar ky i shkëlqyeshëm për të ikurit tanë në Shqipëri me rastin okupimit të Kosovës nga shteti serb.