E shtunë, 1 maj 1999: Kukësi duket sikur jeton me luftën në trup

Përgjithësisht, disa qytete të vogla janë bërë të njohur në botë veçanërisht në kohë lufte. Edhe Kukësi, me sa shihet, s’i ka shpëtuar rregullit. Në pamje të parë, mund të krijohet përshtypja se qyteti është në klimën e paqes. Por paqja këtu është e vrazhdë, trazuese. Një paqe mashtruese. Qyteti duket sikur jeton me luftën në trup, por askush s’e vë re ose nuk shqetësohet për këtë gjë.

 Nga Ditari i shkrimtari Petrit Palushi, Kukës

Megjithatë, është diçka normale të jetosh në këtë qytet me rreth 200 mijë banorë dhe ku për asnjë çast s’të zihet fryma. S’të bën përshtypje as varfëria e banorëve të këtushëm dhe as varfëria e një pjese t’ardhurve (pothuajse të mbetur pa gjë, madje familje të tëra kanë kapërcye kufirin vetëm me teshat e trupit). Tani edhe ardhja pothuajse e përditshme e të dëbuarve u bë e zakonshme dhe njerëzit janë mësuar me këtë ardhje, siç mund të jenë mësuar me mëngjesin, drekën dhe darkën. Por tani s’të bëjnë përshtypje as interesimet intensive të qeveritarëve të qendrës dhe ato vendorë, si dhe të organizmave të huaja se ata, të zhvendosurit nga tokat e tyre në Kosovë dhe që janë vendosur nëpër kampe duhet të largohen nga Kukësi, nga frika se ushtria serbe mund të bombardojë qendrat ku janë mbledhur të ardhurit, dhe se, në këtë qytet vështirësitë për ta janë shumë të mëdha. (Pra, mund të bombardohen kampet dhe vala e bombardimeve mund të përfshijë vetëm ato, ndërsa qyteti që ndodhet vetëm një kilometër larg tyre, nuk llogaritet në arsyetimin e zyrtarëve. Kjo do të thotë se absurdi shpesh legjitimohet, merr frymë dhe bëhet autoritar, shumë autoritar).

Qyteti sikur është veshur me të zakonshme.

Zyber Jata, nëpunës në Bashkinë e qytetit tregon se një vëzhgues i OSBE-së i kish thënë para pak ditësh se atij i vinte si çudi se njerëzit në këtë qytet dhe rrethinat e tij e kanë luftën si këmishën ngjitur pas trupit. Zyberi i kishte thënë se kjo gjë ishte normale dhe i kish cituar dy vargje të një këngë popullore të trevës së Lumës:

“Mori Vilë, mori të vraftë Zoti!

S’piqet kafja kur kris topi”,

duke i shpjeguar ndërkohë se në fillimet e këtij shekulli, kur në katundin Vilë po niste beteja kundër pushtuesit, një banor i këtij katundit pushkën e mbante në dorë dhe në zjarr kish vënë me pjekë kafen. Njerëzve që kish pranë u kish thënë se po merrte pak zjarr, pak fuqi dhe ish nisë me të tjerët në luftë. Mbas këtij shpjegimi, përfaqësuesi i OSBE- së u shpreh se përsëri kish të drejtë t’ia mëshonte me forcë mendimit të tij se njeriu në këto treva e ka luftën pranë siç e ka të ngjitur këmishën për trupi, dhe s’i bën kurrfarë përshtypje. Po prap, ai kish qortuar vetin se njerëzve këtu s’u bënte përshtypje lufta se janë mësuar me të dhe për këtë është diçka tjetër që vihet re: Ata qëndrojnë për t’u mbrojtur dhe jo për të sulmuar kënd, ndonjë tokë të huaj apo ndonjë vend të huaj.