E premte, 16 prill 1999, Kukës: Po ndodh që buka shpejtë mbaron

Në çdo kohë mund të vësh re radhët e gjata të njerëzve: Në radhë me kalue Doganën e Morinit dhe me ardhë në Kukës, në radhë me folë në telefon, në radhë me marrë bukë e ushqime të tjera.

Nga Ditari i Petrit Palushit, Kukës

Në radhë të gjatë edhe me marrë qumështin për fëmijët e vegjël, që shpërndan shoqata “Nxënësit e Jezusit”. Në një rast, UNHCR-ja shpërndante bukë pranë hotelit në Kodër të Hazirve dhe radha e gjatë e njerëzve shtrihej prej ndërtesës së Prefekturës. Askush s’e prishte radhën dhe ndoshta, më tepër se kudo, aty rregulli është i jashtëzakonshëm.

Aty nga ora 8 e mëngjesit të djeshëm, në kabinën telefonike pranë shkollës “Lidhja e Prizrenit”, njëri provoi të futej me folë pa e respektuar radhën, ndërsa dikush prej atyre që rrinin në radhë ia priti: “Mos e prish rendin se ne s’po ruajmë sorrat këtu!”. Radhët e gjata të banorëve të rinj shfaqen në çdo kohë të ditës dhe deri në mbrëmje vonë, siç vazhdon ardhja e të tjerëve në këtë qytet dhe nisja e tyre për më në brendësi të krahinave të tjera të Shqipërisë. Por ndodh që buka a diçka tjetër mbaron dhe mbeten shumë vetë pa marrë. Sidoqoftë, largohen të pezmatuar dhe askush nuk flet. Askush nuk bërtet.

Sot pranë Monumentit të Skënderbeut ndahej  bukë, por mbaroi shumë shpejt. Për një kohë, duart e shtrira drejt kamionit mbetën pezull derisa  u lajmërua se buka mbaroi. Nga radha e bukës doli një fëmijë nja shtatë vjeç që po qante.